Kulla e tempullit "Famen" në provincën Shaanxi të Kinës Perëndimore/ foto nga CFP
Provinca Shaanxi ndodhet në pikënisjen e Rrugës së lashtë të Mëndafshit. Në vitet '80 të shekullit të kaluar, arkeologët zbuluan atje një pallat nëntokësor që ishte mbuluar për mbi 1 mijë vjet dhe nxorën në shesh mbi 2 mijë relikte të dinastisë Tang (618-907 të erës sonë).
Në fjalimin e tij në mars 2014 në selinë e UNESCO-s, presidenti i Kinës Xi Jinping e përmendi këtë zbulim të madh arkeologjik, që habiti mbarë botën:
"Në vitin 1987, në tempullin 'Famen' të provincës Shaanxi, nga pallati nëntokësor u nxorën 20 sende shumë të bukura prej qelqi me ngjyrë. Ato janë bizantine e islame dhe u çuan në Kinë gjatë dinastisë Tang."
Enët bizantine e islame prej qelqi me ngjyrë në tempullin "Famen" / foto nga Muzeu i Tempullit "Famen"
Tempulli "Famen" u themelua para mbi 1700 vjetëve dhe gjatë dinastisë Tang shërbeu si tempull perandorak dhe si vend i shenjtë budist. Në vitin 1986, gjatë restaurimit të kullës në këtë tempull, arkeologët zbuluan hyrjen e pallatit nëntokësor. Në prill të vitit tjetër, pas hapjes së dyerve të pallatit, u zbuluan mbi 2 mijë relikte prej ari, argjendi, mëndafshi, perle etj., duke përfshirë këto 20 enë prej qelqi me ngjyrë me stil të huaj.
Falë lulëzimit të Rrugës së lashtë të Mëndafshit, dinastia Tang ishte periudha e kulmit të hapjes në Kinën e lashtë. Tregtarë, diplomatë e studentë të huaj u mblodhën në kryeqytetin Changan dhe numri i tyre arriti në dhjetra mijë. Shkëmbimet njerëzore sollën edhe integrimin e ndërsjellë kulturor e fetar. Drejtori i Muzeut të Tempullit "Famen" Wei Xiaolong tha se këto objekte prej qelqi me ngjyrë në pallatin nëntokësor janë dëshmi të shkëmbimeve ekonomike, tregtare e kulturore midis Kinës dhe vendeve të tjera.
"Këto relikte karakterizohen nga numri i madh, forma e bukur, modelet e veçanta dhe historia e lashtë. Ato janë të rralla edhe në mbarë botën dhe mishërojnë mjeshtrinë e periudhës së Perandorisë Bizantine e të Perandorisë Perse, duke integruar edhe stilin islam. Rruga e Mëndafshit u hap gjatë dinastinë Han (206 para erës sonë-220 i erës sonë), ndërsa pas dinastisë Tang, shkëmbimet tregtare ndërmjet Kinës dhe vendeve të Azisë Qendrore, Azisë Perëndimore dhe Evropës u bënë më të ngushta," u shpreh Wei.
Kompleti çaji prej një çajoreje dhe një pjate prej qelqi me ngjyrë në tempullin "Famen" / foto nga Muzeu i Tempullit "Famen"
"Çajorja dhe pjata e saj e poshtme janë me elemente tipike kineze, por materiali i tyre është qelqi me ngjyrë, një material tipik bizantin. Ndërkohë, teknika dhe përdorimi i këtij kompleti çaji janë kineze. Veçanërisht kjo pjata e vogël poshtë çajores. Në atë kohë vetëm kinezët përdornin enë të tilla. Kjo pasqyron plotësisht shkëmbimet ndërmjet Kinës dhe Perëndimit."
Këto sende prej qelqi me ngjyrë u çuan në Kinë nga Azia Perëndimore nëpërmjet Rrugës së Mëndafshit dhe u përdorën për blatim në tempullin perandorak të dinastisë Tang, gjë që vërteton shkëmbimet kulturore ndërmjet Rrugës së Mëndafshit, por mishëron edhe bashkekzistencën harmonike ndërmjet qytetërimeve të ndryshme në atë kohë.
Shishe prej qelqi me ngjyrë në tempullin "Famen" / foto nga Muzeu i Tempullit "Famen"
Duke folur për këto sende prej qelqi me ngjyrë në tempullin "Famen" në fjalimin e tij në selinë e UNESCO-s, presidenti kinez Xi Jinping tha gjithashtu: "Kur çmoja këto relikte nga vende të tjera, mendoja gjithmonë për një problem: kur trajtojmë qytetërimet e ndryshme, nuk mund të mbetemi vetëm te shikimi i bukurisë së tyre të jashtme, por duhet ta vlerësojmë shpirtin humanitar brenda tyre dhe ta rigjallërojmë."
Si punonjës që merret me reliktet, Wei Xiaolong bie plotësisht në një mendje për këtë. Ai tha se reliktet mbartin vlera të vyera kulturore dhe artistike, të cilat mund të ushqejnë edhe jetën tonë të sotme. "Mund të themi se veçoria që na bën përshtypje te reliktet, është shpirti i tyre humanitar, si edhe historia e tyre që trashëgohet deri më sot."
Gjatë atij fjalim në selinë e UNESCO-s, Xi paraqiti konceptin që "qytetërimet bëhen më të shkëlqyera në saje të shkëmbimeve dhe më të pasura nga mësimi i ndërsjellë". Ai theksoi se shkëmbimet dhe mësimi i ndërsjellë ndërmjet qytetërimeve janë një forcë e rëndësishme nxitëse për përparimin e njerëzimit dhe për zhvillimin paqësor të botës.
Pjata prej qelqi me ngjyrë në tempullin "Famen" / foto nga Muzeu i Tempullit "Famen"
Shumë vjet me radhë, për nxitjen e shkëmbimeve dhe mësimit të ndërsjellë ndërmjet qytetërimeve të ndryshme, Kina ka paraqitur një sërë nismash dhe ka zbatuar një sërë masash, të cilat janë bërë pjesë e përpjekjeve të Kinës për nxitjen e reformës së qeverisjes globale.
Francesco Maringiò, ekspert italian për çështjet e Kinës, është i mendimit se propozimi i Kinës për nxitjen e mësimit të ndërsjellë ndërmjet qytetërimeve ka dhënë kontribut për zhvillimin e sotëm global:
"Në kohën kur realizon zhvillimin e vetvetes, Kina i ka paraqitur botës një sërë propozimesh, përfshirë ndërtimin e përbashkët të 'Një brez, një rrugë', Nismën e Sigurisë Globale, Nismën e Zhvillimit Global dhe Nismën e Qytetërimit Global. Këto nisma janë të hapura për mbarë botën dhe shpresoj se i gjithë njerëzimi do të mundë të zgjidhë sfidat e ndryshme në botën tonë me përpjekje të përbashkëta." (Wang Lei/ Artan)