Bashkimi Evropian dhe Agjencia Franceze e Zhvillimit nisën projektin “BE për Ekonominë Qarkulluese dhe Rritjen e Gjelbër-Infrastruktura e Mbetjeve në Shqipëri”. Financuar nga BE-ja me një grant prej 19 milionë eurosh dhe zbatuar nga AFD-ja, projekti do të ndihmojë në uljen e ndikimit mjedisor dhe shëndetësor të mbetjeve të ngurta në zonat e Kukësit dhe Gjirokastrës, bëri të ditur Delegacioni i Bashkimit Evropian në Shqipëri, citon “ATSH”.
“Mbrojtja e mjedisit është një prioritet kryesor për BE-në dhe jam shumë i lumtur që nisim programin e parë të ekonomisë qarkulluese të BE-së në rajon”, - u shpreh i ngarkuari me punë i BE-së në Tiranë, ambasadori Luigi Soreca.
“Tani që kemi hyrë në procesin e negociatave të anëtarësimit, Shqipërisë do t’i duhet të përshpejtojë ndjeshëm të gjitha përpjekjet për zbatimin e standardeve mjedisore të BE-së dhe ky është gjithashtu një nga objektivat e këtij projekti”,- tha ambasadori Soreca. (Elona)