Foto nga CFP
Zv.kryeministri dhe Ministri i Jashtëm italian, Antonio Tajani, në një konferencë të përbashkët për shtyp në Romë me kryeministrin Edi Rama, ka shprehur edhe njëherë mbështetjen e Italisë në integrimin europian të Shqipërisë.
Tajani u shpreh se shpreson që integrimi europian të ndodhë para 2030-s, ndërsa theksoi se takimi që do të mbahet në muajin dhjetor do të jetë një rast për t’i dhënë shtysë procesit të zgjerimit në Bashkimin Europian, bën të ditur “RTSH”.
“Një vend që e kemi mbështetur dhe urojmë që kjo të ndodhë para 2030-s.
Insistojmë që të keni një proces integrimi të përshpejtuar. Takimi që do zhvillohet në dhjetor do të jetë rast për t’i dhënë impuls procesit të zgjerimit të BE-së. Ky angazhim i përforcuar italian do të vijojë përmes një koordinimi me BE-në”,- tha Tajani.
Në lidhje me takimin e Komitetit të Përbashkët për Investimet, Çështjet Ekonomike dhe Sociale Shqipëri-Itali, Tajani bëri të ditur se u ra dakord për disa linja veprimi në tri çështjet kryesore që lidhen me infrastrukturën, energjinë dhe sektorin bujqësor.
Tajani shprehu dëshirën për përfshirjen në këtë bashkëpunim edhe të sektorit privat. Sa i përket çështjes së emigrimit, zv.kryeministri italian theksoi se rruga e Ballkanit duhet mbajtur nën kontroll që mos të rritet prania e emigracionit klandestin. (Elona)