Wang Yi: Kina dhe Bashkimi Evropian janë partnerë e jo rivalë
2023-09-28 14:16:54

Foto nga Chinese Foreign Ministry

Foto nga Chinese Foreign Ministry

Kina dhe Bashkimi Evropian (BE) janë partnerë e jo rivalë, tha të mërkurën ministri i Jashtëm kinez Wang Yi gjatë një bisede telefonike me homologun e vet hungarez Peter Szijjarto. Sipas kryediplomatit kinez, zhvillimi i industrisë prodhuese varet nga konkurrenca e ndershme e jo nga proteksionizmi.

Wang, gjithashtu anëtar i Byrosë Politike të Komitetit Qendror të Partisë Komuniste të Kinës, shprehu shpresën se pala hungareze do të vazhdojë ta nxitë BE-në të ndjekë një politikë më pozitive dhe më të hapur bashkëpunimi ndaj Kinës, të punojë me Kinën për të praktikuar multilateralizmin e vërtetë, të mbrojë sistemin ndërkombëtar me OKB-në në qendër dhe të nxisë zhvillimin e shëndetshëm dhe të qëndrueshëm të marrëdhënieve Kinë-BE.

Hetimi antisubvencion i BE-së për automjetet elektrike kineze është kundër rregullave bazë të tregtisë ndërkombëtare dhe mund të dëmtojë zinxhirët globalë të industrisë e furnizimit të makinave, vuri në dukje Wang, duke shtuar se Kina këmbëngul në rrugën e zhvillimit të gjelbër, me karbon të ulët e të qëndrueshëm, gjë që është krejtësisht në përputhje me drejtimin e zhvillimit të BE-së.

Nga ana e tij, Szijjarto vuri në dukje se Hungaria kundërshton fort shkëputjen nga Kina, shpreson se BE-ja e Kina do të bashkëpunojnë ngushtë dhe nuk mbështet marrjen e ndonjë mase nga ana e BE-së që nuk ndihmon lidhur me konkurrencën e drejtë dhe bashkëpunimin.

Pala hungareze vlerëson përpjekjet e Kinës për nxitjen e paqes në Evropë dhe dëshiron që pala kineze të vazhdojë të luajë një rol aktiv në këtë drejtim, shtoi ai.