Foto nga CFP
Sekretari i përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres, bëri thirrje për eliminimin e armëve bërthamore.
“Në këtë ditë ndërkombëtare për eliminimin total të armëve bërthamore, ne i kujtojmë vetes një të vërtetë themelore: mënyra e vetme e vërtetë për të parandaluar përdorimin e armëve bërthamore është eliminimi i tyre”,- tha ai në një takim të nivelit të lartë të OKB-së.
“Çdo përdorim i një arme bërthamore, në çdo kohë, kudo dhe në çdo kontekst, do të shkaktonte një katastrofë humanitare me përmasa epike”,- paralajmëroi ai, citon “Xinhua”.
“Një garë e re shqetësuese armatimi po përgatitet. Numri i armëve bërthamore mund të rritet për herë të parë në dekada. Normat e fituara me vështirësi për të parandaluar përdorimin, përhapjen dhe testimin e tyre janë duke u minuar. Arsenalet bërthamore po modernizohen për t'i bërë këto armë më të shpejta, më të sakta dhe më të fshehta”,- vuri në dukje ai.
Guterres u bëri thirrje shteteve me armë bërthamore që të përmbushin detyrimet e tyre të çarmatimit dhe të angazhohen për mos të përdorur armë bërthamore në asnjë rrethanë.
Guterres bëri thirrje për dialog, diplomaci dhe negociata për të lehtësuar tensionet dhe për t'i dhënë fund kërcënimit bërthamor. (Elona)