Foto nga facebook
“7 minuta në parajsë” është një film i stilit të Art House, një seri imazhesh dhe tingujsh lëvizës, që ngjallin kuriozitet për dashurinë e zjarrtë të një grupi miqsh ndërsa ata lundrojnë në ulje-ngritjet e jetës së tyre të përditshme. Premisa e filmit përqëndrohet rreth idesë që të gjithë duhet të jenë në gjendje të gjejnë të paktën shtatë minuta kohë në javë për të qeshur, luajtur dhe shijuar shoqërinë e të dashurve të tyre. Filmi fillon me një grup miqsh të vjetër që ribashkohen pas shumë vitesh të ndarë. Ndërsa kujtojnë kohët e vjetra, ata kuptojnë se sa shumë u mungojnë ditët e shkujdesura të rinisë së tyre. Ata vendosin të bëjnë një marrëveshje për të gjetur të paktën shtatë minuta çdo ditë për të bërë diçka që u sjell gëzim, pavarësisht se sa e zënë është jeta e tyre.
Ky film eksperimental tregon fragmente të këtyre momenteve të gëzimit, kënaqësisë, kërcimit, lojës dhe pushimit të pastër. Gjatë javës, miqtë shkojnë në aventura, provojnë gjëra të reja dhe rizbulojnë gëzimet e të qënit në shoqërinë e njëri-tjetrit. “7 minuta në parajsë” është një film që feston fuqinë e miqësisë dhe rëndësinë e marrjes së kohës nga jeta e ngarkuar në kohët e sotme për të shijuar kënaqësitë e thjeshta që sjellin lumturinë.
E ftuar në Radio Ejani për të na treguar më tepër rreth këtij filmi është artistja shqiptare Klodiana Vata, e cila është protagoniste e tij.
Klodiana Vata (Foto Melody tv)
CMG: Urime Klodi për pjesëmarrjen tënde në filmin "7 Minutes in Heaven"! Si erdhi ftesa për të marrë pjesë në këtë film?
Klodiana Vata: Është kënaqësi kur marr këtë lloj përkrahje, aq më tepër kur artistët largohen nga Shqipëria, për mua kjo do të thotë shumë dhe më bën të eci më përpara e të punoj fort.
Ftesa për të qenë pjesë e filmit "7 Minutes in Heaven" më është bërë nga regjisorja Sundance Nagrial , e cila mendoi se do të ishte një rol i përshtatshëm për mua dhe kështu ndodhi. Unë sapo lexova skenarin më pëlqeu shumë si rol. Kam punuar shumë për t'ju përshtatur dhe për t’i qëndruar sa më afër asaj çfarë vetë karakteri kërkonte. Doli një film që ne e prisnim që të ishte i suksesshëm, por jo deri në këtë pikë sa të arrihet të nominohej në 10 festivale.
CMG: Na trego për rolin tend në film
Klodiana Vata: Roli im është roli i Chloid, që është mbajtur për personazhin kryesor nga vetë regjisorja, që të përshtatesha më shumë në karakter. Ky është një pseudonim që unë përdor këtu në Kanada, duke qenë se njerëzit e kanë të vështirë që të përdorin emrin tim, por edhe historia është pak a shumë e përshtatshme me jetën time. Roli i Chloid është një personazh që punon shumë fort dhe vrapon pas suksesit. Është një këngëtare që do të arrijë majat dhe do të bëhet shumë e suksesshme, por duke punuar fort ajo harron se gjëja më e rëndësishme është që të kalosh mirë, pranë familjarëve të tu, pranë njerëzve të tu, pranë miqve, pranë atyre që janë njerëzit më të rëndësishëm në jetën tënde, ata që të mbështesin gjithmonë.
Është një temë aktuale, duke qenë se Chloi kalon një periudhë shumë të vështirë dhe më pas arrin që të reflektoj dhe të gjithë personazhet e kalojnë këtë gjë. Gjithë tema e filmit është mbi reflektimin e këtij fenomeni që po ndodh shpesh. Është një temë aktuale sepse të gjithë njerëzit janë të fokusuar tek suksesi, paraja, fama dhe harrojnë të argëtohen, që në fund të ditës për çfarë po e bëjmë gjithë këtë sakrificë. Ky rol mua më është dukur shumë i thjeshtë dhe e kam shijuar pafund.
Foto nga facebooku
CMG: Çfarë pret ti nga kjo pjesëmarrje?
Klodiana Vata: Unë kisha pritshmërinë që filmi të kishte sukses dhe dhashë 100 përqind maksimumin tim. Siguritsht që këtë gjë e arrita dhe çdo gjë tjetër është plus. Ne i kemi marrë çfarë prisnim, të gjitha komentet kanë qenë pozitive, madje kemi marrë më shumë nga sa kemi pritur. Të jesh në nominim dhe në festivale të rëndësishme nuk është pak. Kemi marrë komplimenta nga aktorë, regjisorë e kolegë dhe kjo për ne kjo do të thotë shumë.
CMG: Prej disa kohësh ti ndodhesh jashtë vendit. Si është jeta jote aty?
Klodiana Vata: U bënë dy vite që jetoj në Kanada dhe është një eksperiencë shumë e bukur. Kam fituar eksperiencë e jam mësuar me një kulturë shumë ndryshe. Kam mësuar shumë gjëra, ka disa gjëra që nuk kam arritur të përshtatem ende, por ndoshta kjo ngaqë kam selektuar ku unë dua të përshtatem dhe ku jo. Jam shumë e lumtur për këtë mundësi që më është dhënë dhe që mund të vazhdoj ëndrrën time.
Klodiana Vata (Foto nga facebook)
CMG: Klodi ne të kemi parë si këngëtare, një vajzë shumë e shkathët në prezantim, tani edhe si aktore. Si do të shohim në vazhdim?
Klodiana Vata: Unë jam shumë aktive në këto tre fusha, por në të ardhmen ndoshta mund të më shikoni dhe në diçka ndryshe. Çfarë do që të ndodhë në jetën time unë do mundohem ta publikoj në rrjetet e mia sociale, duke i njoftuar të gjithë njerëzit për çdo gjë të re apo seksese në jetën time. Do ta shihni shumë shpejt, pasi projekte të reja janë duke u punuar dhe priten të publikohen. Së shpejti do keni mundësinë që ti shihni.
CMG: Faleminderit dhe suksese!
Klodiana Vata: Faleminderit për ftesën! I përshëndes të gjithë dëgjuesit e Radio Ejani dhe shpresoj që shihemi nga afër në intervista të tjera.
"7 Minutes in Heaven" është një festë e jetës, dashurisë dhe fuqisë së qëndrueshme të miqësisë. Të gjithë po mbijetojnë në mënyrën më të mirë që dinë. Jo çdo javë e jetës suaj do të jetë e mirë, por mund të gjenden momente gjatë ditës që na lejojnë të shohim qëllimin tonë më të madh në jetë, të ekzistojmë dhe të jemi të gëzuar , të gjejmë paqen e munguar. Filmi kap thelbin e miqësisë dhe rëndësinë e marrjes së kohës nga jeta jonë e ngarkuar për të shijuar gjërat e thjeshta që na sjellin lumturi. Na kujton se sado e ngarkuar të jetë jeta, nuk duhet të harrojmë kurrë të gjejmë kohë për njerëzit dhe gjërat që kanë më shumë rëndësi në jetë.
Intervistoi Sava Lena