Foto nga Tv Klan
Ariz Osmani, prej më shumë se 30 vitesh punon si taksisit brenda dhe jashtë qytetit të Tiranës. I entuziazmuar në përditshmërinë e tij, ai tregon se marrëdhënia me klientët është e ngushtë dhe se ky ka qenë gjithnjë profesioni që ka dashur të bëjë.
Për Radio Ejani, Arizi rrëfen sfidat e tij si taksist, por dhe për jetën e tij familjare.
Ariz Osmani (Foto nga Tv Klan)
CMG: A i kujtoni fillesat tuaja në këtë profesion?
Ariz Osmani: Po i kujtoj dhe kanë qenë shumë të bukura njëkohësisht edhe sfiduese. Kur kam marrë taksi për herë të parë unë isha ende një djalë i ri plot me ëndrra për jetën. Kuptova rëndësinë e kësaj pune kur për herë të parë krijova klientët e mi besnikë.
CMG: Sot ndiheni i përmbushur?
Ariz Osmani: Ndonjëherë me duket sikur kam lindur bashkë me makinën. Makina, taksia për mua është shume e rëndësishme, më jep adrenalinën që më duhet për të vazhduar punën time .
CMG: Ju nuk jeni taksist vetëm brenda Tiranës, por edhe jashtë qytetit, apo jo ?
Ariz Osmani: Unë e kam nisur punën si taksist në Tiranë më pas edhe në qytete të tjera. Shqipëria është e madhe dhe ka mundësi pafund për të punuar.
CMG: Sipas jush, si një taksist me përvojë, cilat qytete të kanë mirëpritur ?
Ariz Osmani: Unë e kam shumë qejf juglindjen e vendit, Korçë, Pogradec,po ashtu edhe Sarandën. Në këto tre qytete kam ndjerë ngrohtësi dhe mirëpritjen e duhur .
Foto nga Albeu
CMG: Cilat do të ishin disa këshilla për taksistët e sapodalë në profesion?
Ariz Osmani: Fillimisht do të doja t'iu thoja që nuk është aq e lehtë. Të jesh taksist duhet të kesh një durim të madh dhe të butë për të përballuar çdo sfidë që të vjen përpara .Duhet të kesh kohë dhe të dush ta menaxhosh atë pasi edhe familja kërkon vëmendjen e saj.
CMG: Meqenëse dolëm tek një pikë shumë e rëndësishme, si e ndan kohën në familje?
Ariz Osmani: Familja për mua është e shenjtë dhe si e tillë përpiqem që të mos na mungojë asgjë, përpiqem me çdo kusht që të jem i gjindshëm për bashkëshorten dhe këtë gjë e kam pasur parim përherë gjatë gjithë jetës sime . Por së fundmi ato të cilat ma shtojnë jetën janë dy mbesat e mia. Kujdesem dhe i dua shumë ato, mendoj plotësisht se më kanë ndryshuar si njeri .
CMG: A keni mesazh për të rinjtë që ende nuk kanë gjetur një punë dhe ndoshta profesioni i taksistit mund të jetë zgjedhja e tyre ?
Ariz Osmani: Po kam një mesazh dhe ai është: Shihni mundësi të mira tek çdo gjë që dyshoni. Ju mund të dyshoni që nuk do ja arrini dot, por ja ku jam unë sot pas gjithë këtyre viteve punë dhe përpjekje në një jetë tashmë të lumtur .
Foto nga merrtaxi.com
CMG: Çfarë e bën një njeri të lumtur ?
Ariz Osmani: Jeta, familja dhe shoqëria.
CMG: A keni shumë shokë dhe nëse po, çfarë do t'iu thoje përmes bisedës?
Ariz Osmani: Kam shumë të tillë sepse jeta që bëj është dinamike më takon me njerëz të shumtë. Shumica e miqve te mi janë edhe në të njëjtin profesion dhe unë ndihem i gëzuar që kam kaq shumë njerëz që më duan, por edhe i dua. Do doja shumë t'iu thoja faleminderit që më qëndroni pranë dhe që ndajmë kohë cilësore bashkë çdo ditë në punën si taksist.
Intervistoi Megi Latifi