Inteligjenca artificiale, një aleat produktiv për fermerët
2023-09-27 15:15:54

Foto nga VCG

Foto nga VCG

Phuvin Kongsawat përdori trajnimin e tij si inxhinier për të krijuar një kompani që ofron zgjidhje të bazuara në inteligjencën artificiale për të testuar cilësinë e orizit.  Shefi ekzekutiv i “Easy Rice Digital Technology” në Bangkok nuk ka trajnim formal në bujqësi, por duke u rritur në Tajlandë, eksportuesi i dytë më i madh i orizit në botë, ai ishte i njohur me prodhimin e orizit.

 

Hulumtimi i Phuvin tregoi se sa kohë kërkonte inspektimi manual i mostrave të kokrrave të orizit për të përcaktuar shumëllojshmërinë, cilësinë dhe përmbajtjen e lagështisë.  “Easy Rice” ofron një teknologji skanimi me inteligjencë artificiale që thuhet se është jo vetëm më e saktë se çdo inspektim i bërë me sy të lirë, por që mund të analizojë gjithashtu një kampion prej 600 kokrrash në pesë minuta.

 

“Inteligjenca artificiale mund të përdoret për të adresuar problemet që mund të krijohen”,- deklaroi Phuvin, duke iu referuar falsifikimit të varieteteve të orizit dhe pasaktësisë së inspektimeve të orizit.  “Easy Rice” bën të ditur se qëkur hodhi në treg produktet e saj në tetor 2021, tashmë ka si klientë më shumë se 200 eksportues dhe rreth 20.000 fermerë.

 

Foto nga VCG

Foto nga VCG

Kompania po zgjerohet gjithashtu në Vietnam, një tjetër eksportues kryesor i orizit, dhe po zhvillon një teknologji të ngjashme që mund të inspektojë edhe prodhimet për frutat durian dhe kafenë, tha Phuvin.

“Easy Rice” është një shembull se si Azia Juglindore po e përdor inteligjencën artificiale për të transformuar bujqësinë e saj.

 

Rajoni nuk ka vetëm eksportues kryesorë të mallrave si Tajlanda dhe Vietnami, por ka edhe një popullsi prej më shumë se 600 milionë banorësh që ka një kërkesë në rritje për ushqim.  Shtetet anëtare të Shoqatës së Kombeve të Azisë Juglindore e kanë përdorur gjithnjë e më shumë inteligjencën artificiale për të ndërtuar një sektor fermash produktive, të qëndrueshme dhe miqësore ndaj mjedisit.

 

Instituti Ndërkombëtar i Kërkimeve të Orizit në Filipine po përdor një grant prej 2 milionë dollarësh nga “Google.org”, në mënyrë që të mund ta përdorë inteligjencën artificiale për të vlerësuar bankën e tij të gjeneve të orizit. Kjo mund të përshpejtojë zhvillimin e varieteteve me prodhimtari të lartë dhe rezistente ndaj klimës.  Një nga projektet kryesore në udhërrëfyesin e inteligjencës artificiale të Malajzisë për periudhën e viteve 2021-2025 është ndërtimi i robotëve autonomë për të korrur palma vaji.

 

Foto nga VCG

Foto nga VCG

Malajzia është një nga eksportuesit më të mëdhenj në botë të vajrave bimorë.  Siva Kumar Balasundram, profesor i asociuar i bujqësisë së saktë në Universitin Putra të Malajzisë, deklaroi se inteligjenca artificiale mund të zgjidhë mungesat e fuqisë punëtore në industrinë e plantacioneve.

 

Sipas tij, robotët mund të programohen për të bërë punët e vështira dhe të rrezikshme, siç është aplikimi i produkteve të ndryshme të fermave në tokën bujqësore.

 

“Ne mund ta vendosim të gjithë këtë informacion në një platformë përpunimi të inteligjencës artificiale dhe më pas puna mund të bëhet duke përdorur robotë. Kjo do të zgjidhë shumë pengesa”,- tha ai.

 

“Inteligjenca artificiale gjithashtu mund të sigurojë që të aplikohet sasia e duhur e plehrave dhe pesticideve, të cilat jo vetëm që do të rrisin rendimentet, por edhe do të ulin kostot e prodhimit, sepse do të shkurtojnë mbetjet”,- tha Balasundram.