Wang Yi: Keqësimi i marrëdhënieve Kinë-ShBA nuk është në interes të të dy popujve
2023-09-27 15:03:52

Foto nga MPJ

Keqësimi i marrëdhënieve Kinë-ShBA nuk është në interes të të dy popujve ose të bashkësisë ndërkombëtare, theksoi të martën anëtari i Byrosë Politike të Komitetit Qendror të Partisë Komuniste të Kinës dhe drejtori i Zyrës së Komisionit Qendror për Punët e Jashtme Wang Yi në takimin me ish-sekretarin amerikan të Thesarit dhe kryetarin e Institutit "Paulson", Henri Paulson, në Pekin.

Duke vlerësuar angazhimin afatgjatë të Paulson-it në promovimin e zhvillimit të marrëdhënieve kino-amerikane, Wang shprehu shpresën se Paulson-i e instituti i tij do të vazhdojnë të luajnë një rol konstruktiv në përmirësimin e marrëdhënieve dypalëshe.

Keqësimi i marrëdhënieve dypalëshe nuk është në përputhje me prirjen e zhvillimit të kohëve, tha diplomati i lartë kinez, duke shtuar se politika e Kinës ndaj ShBA-së ka ruajtur gjithmonë një shkallë të lartë qëndrueshmërie dhe vazhdueshmërie.

Duke vënë në dukje se në marrëdhëniet e saj me ShBA-në Kina ndjek parimet e respektit të ndërsjellë, bashkëjetesës paqësore dhe bashkëpunimit me përfitime të përbashkëta, Wang shprehu shpresën se politika e ShBA-së ndaj Kinës do të kthehet në një rrugë racionale dhe pragmatike.

Ai bëri thirrje për ndërmarrjen e veprimeve konkrete dhe shtimin e fushave të bashkëpunimit, në mënyrë që të dy vendet të bashkëjetojnë paqësisht.

Paulson-i dhe të pranishëm të tjerë në takim nga pala amerikane thanë se përshëndesin rinisjen dhe vazhdimin e dialogut nga  të dy vendet kohët e fundit, duke shtuar se të dy palët duhet të gjejnë mënyrën e duhur për të pasur marrëdhënie të mira dhe për të shtuar besimin e ndërsjellë.

Ata kërkuan shtimin e përpjekjeve për të nxitur stabilizimin dhe përmirësimin e marrëdhënieve ShBA-Kinë dhe për të eksploruar mënyra për të zgjeruar bashkëpunimin në fushat me interes të përbashkët, të tilla si ekonomia, financat, bujqësia dhe trajtimi i ndryshimeve klimatike.

Duke shprehur besim në të ardhmen e ekonomisë kineze e të marrëdhënieve dypalëshe, ata thanë se Instituti "Paulson" do të vijojë të luajë rol pozitiv në forcimin e komunikimit e shkëmbimeve dypalëshe dhe do të punojë me Kinën për arritjen e rezultateve pozitive në Konferencën e OKB-së për Ndryshimin Klimatik në Dubai,  për të ndihmuar vendet e Jugut Global të trajtojnë ndryshimin e klimës.