Kledina Helshani, një logopede e përkushtuar
2023-09-27 10:38:07

Kledina Helshani gjate nje emisioni televiziv (Foto personale)

Kledina Helshani gjate nje emisioni televiziv (Foto personale)

Kledina Helshani ka mbaruar studimet e larta për Logopedi, Bachelor dhe Master të shkencave në Universitetin e Mjekësisë Tiranë. Ajo është e liçencuar si Logopede/Terapiste ABA dhe e çertifikuar nga Fondacioni Fëmijët Shqiptarë. Gjithashtu është e specializuar për vonesat gjuhësore dhe çrregullimet e artikulimit në Romë, si dhe çertifikuar për rehabilitimin e të folurit te fëmijët me ÇSA dhe për trajtimin e belbëzimit. Aktualisht punon si logopede në Qendrën Komunitare për Personat me Aftësi të Kufizuar (QK-PAK) në zonën e Laprakës në Tiranë. Në një intervistë për Grupin Mediatik të Kinës (CMG) ajo tregon për pasionin dhe studimet në fushën e logopedisë si dhe eksperiencën e saj në këtë fushë.

CMG: Si lindi pasioni për fushën e logopedisë?

Kledina Helshani: Lidhjet e mia me logopedinë janë të hershme që në fëmijëri, kur kam dashur të merrem me fëmijët. Kur kam qenë në klasë të parë kam patur në bangë një vajzë, e cila kishte humbje të dëgjimit, dhe asokohe kam mësuar gjuhën e shenjave. Me rritjen erdhi koha e gjimnazit dhe matura, ku u prezantova me logopedinë si degë që kishte shumë pak vite që ishte hapur në Shqipëri  dhe ka qenë zgjedhja ime e vetme. Mendova që të merresha me këtë degë, me pjesën e rehabilitimit të të folurit, sepse logopedi është ai profesionist i cili merret me diagnostikimin e problematikave të të folurit dhe me drejtimin e problematikave të të folurit, pra me çdo gjë që ka lidhje dhe që prek të folurën.

Kledina Helshani gjate punes (Foto personale)

Kledina Helshani gjate punes (Foto personale)

CMG: Ka qenë zgjedhja e kësaj dege një nga arsyet për punësim më të shpejtë dhe të sigurtë në Shqipëri?

Kledina Helshani: Nuk do e cilësoja si të tillë, sepse duke qenë se kishte shumë pak vite që ishte hapur në fillim nuk dihej se çfarë do të bëhej specifikisht. Kur fillova shkollën shumë persona më pyesnin se çfarë do të bëja kur ta mbaroja dhe me çfarë do merresha, cili ishte profilizimi dhe shumë pikëpyetje të tjera. Vitet e fundit, duke qenë se edhe njerëzit janë ndërgjegjësuar, prindi për fëmijën ka filluar të kërkojë asistencën logopedike  dhe kur shikon që fëmija është dy vjeç dhe nuk ka filluar akoma të flaës, mjekët i referojnë tek logopedi. Njerëzit vitet e fundit kanë filluar ta kuptojnë rolin e logopedit, ndërsa në fillim ka qenë shumë e vështirë sepse mungesa e informacionit bëri që edhe profesioni i logopedit të ishte i paqartë, ndryshe nga Europa që ka dekada që ekziston si profesion.

CMG: Ke pasur vështirësi gjatë viteve të para të studimit për të mësuar lëndët e kësaj dege?

Kledina Helshani: Mendoj se çdo student ka vështirësitë e veta, të gjithë ne pavarësisht nga dega që kemi studiuar. Unë kam qenë një studente shumë e fokusuar  dhe e kam pasur me shumë pasion informimin dhe ka qenë një punë e vazhdueshme. Nuk kam ndenjur ndonjëherë pushim, mbaroja shkollën dhe informohesha lidhur me një degë të caktuar. Pastaj duke qenë se logopedia është një degë e mjekësisë, është e vështirë sepse preken specialitete specifike, marrim lëndë specifike nga ORL-ja, neurologjia dhe psikiatria, që kanë vështirësitë e veta sepse ka shumë terma shkencorë të cilat ne duhet t’i memorizojmë. Gjithashtu janë shumë diagnoza, të cilat duhet t’i dimë, ku vështirësia e të mësuarit është e madhe, por është dhe e bukur sepse të jep mundësinë e shpalosjes së informacionit që ti ke me shumë persona, me të cilët mund të përballesh në jetë.

CMG: Ke pasur zgjedhje të dytë në fushën e studimeve, përveç logopedisë?

Kledina Helshani: Nuk kam pasur zgjedhje të dytë sepse në mendjen time e kisha të vendosur dhe duke qenë një studente e mirë dhe një nxënëse shumë e mirë në gjimnaz e dija që e kisha mundësinë për ta fituar si degë. Kështu që ndoqa pasionin tim, duke vendosur një zgjedhje të vetme. Formulari im i aplikimit ka qenë vetëm me një degë të caktuar, që ishte logopedia.

CMG: Ke pasione të tjera në jetë?

Kledina Helshani: Të gjithë grupmoshat në përgjithësi mendoj se kanë qejf dhe pasion udhëtimet. Më pëlqen shumë të udhëtoj, kryesisht me motrën dhe të fejuarin që organizojmë udhëtime të ndryshme. Momentalisht jemi të fokusuar në Europë, ku më pëlqen shumë historia e vjetër e Italisë, të shikoj historinë e romakëve të vjetër si dhe ndërtimet. Është magjepsëse kur shikon se çfarë kanë arritur të ndërtojnë, duke mos pasur informacionet që ne kemi në ditët e sotme dhe sesa mirë funksionojnë edhe sot. Gjithashtu më pëlqen shumë të lexoj jo vetëm libra profesionale, por edhe romane romantike. Më pëlqen si të gjithëve dhe të dal një darkë me shoqërinë .

Kledina Helshani gjate punes si logopede (Foto personale)

Kledina Helshani gjate punes si logopede (Foto personale)

CMG: Me këtë profesion që ushtron me kaq përkushtim, ke kohë të lirë për të udhëtuar dhe të takuar shoqërinë?

Kledina Helshani: Nuk kam shumë kohë të lirë sepse në momentin që vjen një fëmijë me terapi jam e fokusuar drejt rehabilitimit dhe funksionimit sa më të mirë të fëmijës, gjithmonë në varësi të diagnozës. Orët e terapisë janë të përditëshme, nga e hëna në të premte dhe vetëm fundjavën kam të lirë, por mundohem të shfrytëzoj pushimet e vitit të ri, që shkëputem një javë ose dy javë për pushimet e verës. Këto janë pushimet e mia, pastaj gjatë ditës nga mëngjesi në 6.30 deri në orën 9 të darkës jam në punë dhe nuk kam kohë të lirë gjatë ditës.

CMG: Sa i vështirë ka qenë punësimi juaj në këtë profesion pas përfundimit të studimeve?

Kledina Helshani: Do e cilësoja të vështirë, sepse unë kam bërë shumë punë vullnetare, kam shkuar në shumë qendra të ndryshme private dhe shtetërore të Tiranës si vullnetare. Gjithashtu kam vëzhguar dhe gjatë kohës së studimeve, sepse doja të isha në brendësi të profesionit sa më shpejt, të shikoja pjesën praktike nga ata të cilët i ishin futur këtij profesioni më përpara. Ata të cilët kanë qenë përpara meje kanë patur ndoshta dhe më shumë vështirësi sesa unë, sepse duhet të krijonin bazat e logopedit dhe logopedisë si treg pune në Shqipëri.

Kam bërë shumë punë praktike, duke parë dhe prekur raste të ndryshme. Më vonë më janë ofruar vende punë, në të cilat kam punuar për vite, kam pasur dhe kam raste private që i ndjek prej vitesh. Momentalisht jam e punësuar pranë Qendrës Komunitare PAK në Laprakë si logopede e këtij institucioni.

CMG: Sa vite ke që punon në këtë profesion?

Kledina Helshani: Kam gjashtë vite punë si logopede, pa përfshirë praktikën që ka filluar gjatë studimeve në bachelor dhe dy vite të tjera praktikë, duke vëzhguar pjesën terapeutike, pra një total prej tetë vitesh kontakt me profesionin.

CMG: Sa të ka mbështetur familja gjatë kohës së studimeve dhe më vonë për punësimin?

Kledina Helshani: Familja ka qenë mbështetja ime më e madhe, sidomos mami ka qenë sugjeruese e degës. Mami im punon si mësuese matematike në gjimnaz dhe ajo në kontakt me një kolegun e saj kishte shprehur dëshirën time, dhe aty zbulon për logopedinë. Kur vjen në shtëpi më thotë se është një degë e re dhe e bukur që është hapur. Gjatë viteve të shkollimit kam pasur dhe mbështetje ekonomike, sepse kur vjen në Tiranë ke nevojë të fokusohesh tek studimet dhe familja nuk më ka lënë të më mungojë asgjë, që fokusimi të jetë drejt shkollës. Babai im ka qenë në shkollën ushtarake dhe prindërit e mi janë arsimdashës, e duan kulturën  dhe personin i cili ka ambicje dhe dëshirë për të ecur dhe mësuar. Prindërit kanë qenë forca ime më e madhe.

Klediana Helshani ne interviste per CMG

Klediana Helshani ne interviste per CMG

CMG: Si janë marrëdhëniet me kolegët në këtë qendër?

Kledina Helshani: Kam marrëdhënie shumë të mira sepse këtu bashkëpunojmë të gjithë dhe është një staf që funsionon shumë mirë. Këtu kemi psikologun, punonjësin social, infermierin, fizioterapistin dhe logopedin. Pra është një qendër që funksionon vërtetë shumë mirë dhe janë të gjithë të komunikueshëm, e ndihmojmë njëri-tjetrin në rast se ka ndonjë paqartësi dhe përqasja me pacientët që vijnë të marrin shërbimin tek ne është shumë e mirë, ku i hapim derën, dëgjojmë kërkesat e tyre dhe shohim nevojat e tyre. Jam shumë e kënaqur me bashkëpunimin dhe me institucionin se si funksionon, dhe kemi vërtetë marrëdhënie fantastike.

CMG: Je e kënaqur me arritjet profesionale të deritanishme?

Kledina Helshani: Mendoj se ka gjithmonë më shumë për të arritur. Unë mendoj se një person asnjëherë nuk duhet të jetë i kanaqur nga vetja, është gjithmonë në kërkim për të arritur më shumë nga ana profesionale, sepse janë teknika të reja në profesionin tonë, dhe gjëra që dalin dita-ditës. Mjekësia në përgjithësi është një shkollë e vazhduar dhe nuk mbaron kurrë së mësuari diçka të re, dhe unë kam akoma punë përpara.

CMG: Së fundi një përshëndetje për dëgjuesit tanë dhe miqtë tuaj.

Kledina Helshani: Ju përshëndes të gjithëve dhe ju uroj një ditë të këndshme.

Intervistoi: Gazmend Agaj