Mjekët vullnetarë kinezë trajtojnë mbi 290 milionë pacientë jashtë vendit
2023-09-27 18:49:00

  “Engjëll kinez me të bardha, do të të mbaj mend gjithmonë”; “Keni krijuar mrekulli, faleminderit mjekë kinezë! Ekipi mjekësor kinez na sjell shpresë!”; “Faleminderit që na dhatë përvojë të vlefshme”...  Këto janë vlerësime nga pacientët e mjekët e huaj për ndihmën mjekësore kineze.

Foto:CMG

Ekip kinez i ndihmës mjekësore në Cape Verde(Foto:Xinhua)

Sivjet është 60-vjetori i misionit të ndihmës mjekësore të Kinës për vendet e tjera. Që kur dërgoi ekipin e vet të parë të mjekëve në Algjeri më 6 prill 1963, gjatë 60 vjetëve të fundit, Kina ka dërguar gjithsej një personel mjekësor prej 30 000 vetash në 76 vende e rajone të botës, të cilët kanë trajtuar 290 milionë pacientë.

Ata u kanë shërbyer me gjithë zemër të sëmurëve me nivel të lartë profesional dhe etikë fisnike, duke marrë vlerësime të larta nga bashkësia ndërkombëtare.

Tani  mjekët kinezë të ndihmës po punojnë në 115 pika të 56 vendeve, gati gjysma e të cilave janë në zona të largëta dhe me kushte të vështira. Por të gjitha këto nuk e pengojnë përkushtimin e tyre për shpëtimin e jetës së banorëve vendorë. “Qeshja e pacientëve të shëruar është inkurajim i madh.”; “Është detyra jonë dhe duhet t'i trajtojmë pavarësisht të gjitha vështirësive”… kështu thanë shumë mjekë kinezë që kanë kryer misione ndihmë jashtë vendit.

Vitet e fundit, Kina ka shtuar edhe bashkëpunimin mjekësor me vendet e rajonet pjesëmarrëse në nismën “Një brez, një rrugë” për ngritjen e nivelit mjekësor vendor dhe shpëtimin e jetës së banorëve. Për shembull, në Chitwan, rreth 140 kilometra larg kryeqytetit të Nepalit Katmandu, gjendet Spitali Onkologjik "B.P. Koirala" i ndërtuar me ndihmën e Kinës. Tani këtu po punojnë 17 anëtarë të grupit të 14-të të ndihmës mjekësore kineze nga disa spitale të provincës Hebei. Ditët e fundit, ata u dekoruan me Medaljen Kombëtare të Nderit të Rojtarëve të Shëndetit nga kryeministri nepalez Prachanda.

Foto:CMG

Ekip kinez i ndihmës mjekësore në Cape Verde(Foto:Xinhua)

Jia Xiaopeng-u punon në Departamentin e Urologjisë të Spitalit të Tretë të Universitetit Mjekësor të Hebei-t. “Që kur zgjodha të studioja për mjekësi, kam ngulur këmbë në bindjen se do të jem një mjek i përkushtuar ndaj shërimit të pacientëve dhe shpëtimit të jetës”, i tha ai Grupit Mediatik të Kinës në një intervistë.

Në vitin 2013, një miku i tij u zgjodh si anëtar i grupit të nëntë të ndihmës mjekësore për Nepalin. Nga ai Jia Xiaopeng-u mësoi për kushtet e vështira mjekësore në Nepal. Kështu që kur erdhi rasti, u regjistrua menjëherë dhe u ndje shumë i nderuar që u përzgjodh.

Puna e tij është trajtimi i pacientëve ambulatorë, kryerja e operacioneve dhe trajnimi i mjekëve vendorë.

Gjatë qëndrimit në Nepal, Jia Xiaopeng-u zbuloi se mjekët vendore preferojnë më shumë operacionet me  prerje të gjerë në trup sesa ato invazive minimale dhe arsyeja ishte aftësia e tyre e dobët për të kryer kontrollin e saktë të ultrasonografisë të tipit B. “Por prerja e gjerë krijon plagë të madhe e të thellë, gjë që nuk është e mirë për shërimin e pacientëve. Prandaj fillova t'i trajnoj si t'i përdorin dhe analizojnë rezultatet e ultrasonografisë të tipit B. Jo vetëm unë, por edhe kolegët e tjerë kështu bëjnë. Ne mendojmë se ndihma mjekësore e Kinës nuk është vetëm ndihmë në ndërtesat spitalore dhe pajisjet, por është edhe në shkëmbimin e koncepteve mjekësore dhe metodave të diagnostikimit e mjekimit,” tha Jia.

Foto:CMG

Jia Xiaopeng punon bashkë me kolegë në Nepal(Foto:CMG)

Tani grupi i tij ka trajtuar mbi 30 mijë pacientë. Përveç punës në spital, ata shpesh dalin për të kryer vizita falas, duke mjekuar mbi 6000 pacientë të tjerë që jetojnë në zona të largëta malore dhe të prekura nga varfëria. Gjithashtu, ata kanë krijuar 11 pika shëndetësore në krahina të ndryshme në Nepal për të siguruar furnizimin rregullisht me barna dhe për të kryer konsultime në internet.

Në Algjeri, ekipet e ndihmës mjekësore kineze organizojnë leksione akademike, kurse trajnimi për mjekësinë tradicionale kineze, si akupunktura, dhe aktivitete të tjera mësimore e kërkimore. Në Vanuatu, përveç diagnostikimit dhe trajtimit të përditshëm, ekipet mjekësore kryejnë turne nëpër ishuj, duke zhvilluar vizita klinike falas dhe edukim shëndetësor për banorët. Në Maltë, Qendra Mesdhetare e Mjekësisë Tradicionale Kineze e krijuar nga ekipet e ndihmës ka zhvilluar dhjetëra kurse trajnimi për akupunkturën për studentët nga Gjermania, Italia, Zvicra, Serbia dhe vende të tjera evropiane.

Ndihma mjekësore e Kinës është një pasqyrim i dashurisë së popullit kinez për paqen dhe jetën. Pas shpërthimit të epidemisë vdekjeprurëse të ebolës në Afrikën Perëndimore, Kina dërgoi më shumë se 1 200 punonjës mjekësorë, të cilët mjekuan mbi 800 pacientë, dhe kreu më shumë se 12 000 trajnime për shëndetin publik. Që nga shpërthimi i COVID-19, Kina ndau metodat e parandalimit e të diagnostikimit me 180 vende e më shumë se 10 organizata ndërkombëtare e rajonale në mbarë botën, mbajti videotakime me më shumë se 160 vende e organizata ndërkombëtare dhe dërgoi 38 grupe mjekësore në 34 vende, duke ofruar ndihmë materiale antiepidemike për më shumë se 150 vende e 15 organizata ndërkombëtare.

Foto:CMG

Në të ardhmen, Kina do të vazhdojë të kryejë në mënyrë aktive bashkëpunimin ndërkombëtar në fushën mjekësore, për të mbrojtur si duhet shëndetin e njerëzimit