Foto nga VCG
Nga Pekini në Guangzhou dhe më pas në Hangzhou, përgjatë 33 vjetëve, Kina ka mbledhur tre herë njerëz nga vende e rajone të ndryshme nën emrin e Lojërave Aziatike.
Për Hangzhou-n, organizimi i Lojërave Aziatike është një "kalim pishtari" dhe një trashëgimi.
Më 4 shtator 2023, Lu Baoquan, një 79-vjeçar fotograf nga Hangzhou, hapi një nga albumet e veta fotografike dhe mendimet e tij u kthyen menjëherë te një ditë 33 vjet më parë. Në atë kohë, 46-vjeçari Lu po ngiste një biçikletë dhe po mbante një aparat fotografik "Minolta" që e kishte blerë në Hong-Kong për më shumë se 400 juanë, duke u nisur për në sheshin "Wulin" të Hangzhou-t. Ai fotografoi skenën e kalimit të pishtarit nga sheshi "Wulin" për në rrugën "Yan'an".
"Nuk e prisja që kjo foto të publikohej në faqen e parë nga media bashkiake e Hangzhou-t ditën e dytë," thotë Lu Baoquan duke buzëqeshur si fëmijë. Duke parë sërish këtë foto, duket sikur ajo përcjell gjithashtu shpirtin e popullit të Hangzhou-t. Me këtë shpirt, shoqëria ka pësuar ndryshime kaq të mëdha.
Zhang Jianhua, i cili punon në Drejtorinë Sportive të distriktit Jianggan të qytetit Hangzhou, u emocionua shumë kur pa lajmet për kalimin e stafetës së pishtarit të Lojërave Aziatike të Pekinit në Hangzhou dhe fotot e bëra nga Lu Baoquan-i të botuara në gazetë. Ai mendoi se sa mirë do të ishte nëse do të kishte mundësinë të merrte pjesë në Lojërat Aziatike. Pas njëzet vjetëve, dëshira e tij u realizua.
Në Lojërat e 16-ta Aziatike të Guangzhou-t në vitin 2010, 63-vjeçari Zhang Jianhua u bë arbitër boksi.
Ky "udhëtim" në Lojërat Aziatike i la Zhang Jianhua-së një përshtypje të thellë për sa i përket Guangzhou-t. Në vitin 2010, Guangzhou kishte metro. U deshën më shumë se 40 minuta për të shkuar me metro nga vendi i zhvillimit të ndeshjeve të boksit në Foshan për në Guangzhou. Pika e re simbol e qytetit, Kulla e Kantonit "me bel të hollë", sapo ishte përuruar.
Foto nga VCG
“Pishtari” i zhvillimit urban u dorëzua kështu nga Guangzhou në Hangzhou.
Tashmë 76 vjeç, Zhang Jianhua po shijon një jetë të lumtur në pension, por Lojërat e 19-ta Aziatike po zhvillohen në vendlindjen e tij Hangzhou. Në kohën e Lojërave Aziatike të Guangzhou-t nuk kishte telefona inteligjentë, kështu që ai nuk ka shumë fotografi për kujtim.
Jo shumë kohë më parë, Zhang Jianhua vizitoi Fshatin e Lojërave Aziatike dhe shkroi: "Pasi hipa në linjën 6 të metrosë, pashë ndërtesat krejt të reja dhe nuk po e njihja rrugën fare. Një rojë sigurie entuziast më pyeti: 'Xhaxha! Çfarë po kërkoni?' Unë iu përgjigja: 'Po kërkoj një ëndërr'".
Zhang Yunru gjithashtu po ndjek ëndrrën e vet. Në Lojërat Aziatike të Guangzhou-t 2010, ajo mund të jetë takuar me Zhang Jianhua-në, por pa e njohur.
Para trembëdhjetë vjetëve, Zhang Yunru, e cila studionte në Universitetin e Jinan-it, u bë vullnetare për Lojërat Aziatike të Guangzhou-t dhe vullnetare e ndeshjeve për Paralimpiadën Aziatike si studente.
"Detyra kryesore gjatë Lojërave Aziatike ishte ruajtja e rendit dhe popullarizimi i njohurive." Zhang Yunru thotë se në Lojërat Paralimpike Aziatike, ajo shpejt "e ndryshoi identitetin e saj" në atë të një vullnetareje të ndeshjeve, duke qenë përgjegjëse për operacionin mediatik dhe lidhjen me gazetarët nga vende të ndryshme.
Që atëherë, ajo filloi të priste që një ditë edhe në vendlindjen e saj të zhvilloheshin veprimtari sportive të nivelit të lartë si Lojërat Aziatike, e ajo patjetër do të merrte pjesë në to.
Foto nga VCG
Pas trembëdhjetë vjetëve, si pedagoge e Universitetit të Industrisë dhe Tregtisë të Zhejiang-ut, Zhang Yunru jo vetëm që shërbeu në jurinë e përzgjedhjes së studentëve të këtij universiteti për vullnetarë të Lojërave Aziatike, por gjithashtu u regjistrua menjëherë për t'u bërë anëtare rezervë e ekipit të shërbimit në stadiumin e hendbollit.
Me përvojën e saj si vullnetare e qytetit në Lojërat Aziatike, Zhang Yunru e di se, përveç shikimit të lojërave, turistët kinezë dhe të huaj dëshirojnë edhe të njohin Hangzhou-t dhe ajo mendon se duhet të fillohet me kulturën e qytetit. "Vetëm me vetëbesim kulturor mund t'i tregojmë më mirë botës qytetin Hangzhou dhe provincën Zhejiang," shprehet ajo.
"Trashëgimia historike dhe kulturore mund të shihet kudo në këto lojëra aziatike." Zhang Yunru dha shembuj, nga maskotët "Cong Cong", "Lian Lian" dhe "Chen Chen", deri te pishtari i Lojërave Aziatike "Xinhuo" dhe medalja e Lojërave Aziatike "Hushan", që tregojnë kulturën e Hangzhou-t.
Zhang Yunru beson se Lojërat Aziatike të Hangzhou-t përmbajnë elemente të kulturës orientale e të estetikës së Lojërave Aziatike me karakteristika kineze, duke u mundësuar më shumë të huajve të njohin Hangzhou-n dhe Kinën. Ajo beson gjithashtu se vetëbesimi kulturor i popullit kinez do të transmetohet në çdo cep të botës. (Çang Çuo)