Polonia blindon kufirin me Sllovakinë kundër emigracionit të paligjshëm
2023-09-27 12:13:17

Foto nga VCG

Autoritetet polake njoftuan se do të vendosen masa kontrolli për automjetet që kalojnë kufirin nga Sllovakia, në përpjekje për të frenuar fluksin e emigrantëve të paligjshëm, shkruan “Panorama”.

Partia nacionaliste në pushtet, Ligj dhe Drejtësi (PiS), e ka kthyer emigracionin në një çështje qendrore në fushatën për të fituar një mandat të tretë në zgjedhjet e 15 tetorit.

Sllovakia po përballet me një rritje të numrit të emigrantëve të paligjshëm. Ai është rritur nëntëfish nga një vit më parë në më shumë se 27.000 deri më tani këtë vit, sipas Ministrisë së Brendshme të vendit.

“Udhëzova ministrin e Brendshëm që të vendosë masa kontrolli për furgona, makina, autobusë ku ka dyshime se ka emigrantë të paligjshëm”,- deklaroi kryeministri polak Mateusz Morawiecki në një tubim elektoral.

Morawiecki foli menjëherë pasi zëdhënësi i qeverisë Piotr Muller tha se Varshava zyrtare po shqyrtonte mundësinë e forcimit të kontrolleve në kufi, por se nuk ishte marrë ndonjë vendim pasi donte fillimisht të konsultohej me partnerët.

Morawiecki reagoi edhe ndaj kancelarit gjerman Olaf Scholz, i cili të shtunën i bëri thirrje qeverisë polake të japë sqarime për akuzat lidhur me një skemë për pagesa për dhënie vizash për emigrantët, që ka tronditur politikën polake.

Morawiecki tha se komentet e Scholz mund të jenë një paralajmërim për mbylljen e mundshme të kufirit me Poloninë.

“Do të ishte më mirë që të informoheshe për situatën aktuale dhe mos të ndërhysh në punët e Polonisë”, tha ai, duke iu drejtuar kancelarit gjerman.

Muller tha se qeveria polake nuk përjashtonte as forcimin e kontrolleve në kufirin me Gjermaninë. (Irma)