
Foto nga VCG
Instituti i Statistikave bëri të ditur se hyrjet e shtetasve të huaj në Shqipëri për 8 muajt e parë të vitit arritën në gati 7.2 milionë persona, me një rritje prej 26.9% në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Vetëm në gusht në vend hyrë mbi 2 milionë shtetas të huaj, ose 18.3% më shumë sesa gushti 2022, shkruan “Panorama”.
Që nga qershori në vend hyn mbi 1 milion shtetas të huaj, për të arritur në 1.77 milionë në korrik dhe duke e kaluar për herë të parë pragun e 2 milionëve në gusht.
Sipas INSTAT-it, në gusht 2023, rajoni me numrin më të lartë të hyrjeve të shtetasve të huaj në Shqipëri është rajoni i Evropës me 1.951.489 shtetas, pasuar nga Amerika dhe Azia Lindore/Paqësori, përkatësisht me 40.106 dhe 12.335 shtetas.
Të dhëna nga Ministria e Turizmit bëjnë të ditur se kosovarët vijojnë të zënë pjesën më të madhe të hyrjeve në Shqipëri, me rreth një të tretën. Këtë vit, për herë të parë italianët kaluan të dytët me rreth 10%, të ndjekur nga vendet e tjera të rajonit, Mali i Zi dhe Maqedonia e Veriut.
Jo vetëm hyrjet e të huajve kanë arritur rekorde. Edhe daljet e shtetasve shqiptarë janë rritur ndjeshëm. INSTAT raportoi se daljet e shtetasve shqiptarë nga territori i Shqipërisë, gjatë muajit gusht 2023 ishin 842.940, me një rritje prej rret 9% nga vjet.
Numri i shtetasve shqiptarë të dalë nga territori i Shqipërisë gjatë tetëmujorit 2023 është 4.577.753, duke u rritur me 18.9%, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. (Irma)
