Përgjatë viteve ’20-’30 të shekullit të kaluar, vetëm pak më shumë se një dekadë nga shpallja e pavarësisë së Shqipërisë, sheshet e qyteteve nisën të popullohen nga statujat madhështore të heronjve kombëtarë. Menjëherë pas Çlirimit monumentet filluan të shtohen, ndërsa sot është e pamundur që të mos gjesh të paktën një statujë në çdo qytet. Artisti i Popullit, Odhise Paskali mund të cilësohet pa mëdyshje si themeluesi i skulpturës shqiptare dhe një nga personalitetet më të rëndësishme të artit shqiptar. Një pjesë e mirë e veprave që kanë zënë hapësirat urbane, janë produkt i frymëzimit dhe të krijimtarisë së tij.
Monumentet urbane në Shqipëri janë thesare të pasur të historisë dhe kulturës së vendit. Në këtë udhëtim të shkurtër, do të zbulojmë disa nga monumentet që fokusojnë vetëm personazhe historikë apo momente historike të së shkuarës së popullit tonë. Pa dyshim se janë shumë më shumë se kaq.
Skenderbeu ne Tirane - foto kult plus
1. “Monumenti i Skënderbeut” në Tiranë
Skulptori: Odhise Paskali
“Monumenti i Skënderbeut” në Tiranë është ngritur në vitin 1968 dhe ndodhet ne zemrën e Tiranës. Ky monument është një vepër e skulptorëve Odhise Paskalit në bashkëpunim me Andrea Mano dhe Janaq Paço. Ai u vendos në Tiranë me rastin e 500 vjetorit të vdekjes së heroit kombëtar. Për nder të tij sheshi njihet me emrin "Skënderbej". Që kur është vendosur në shesh ai shërben si pikë reference për vendasit dhe turistët që vizitojnë kryeqytein shqiptar.
Monumeni i Skenderbeut, Kruje- foto Gazeta Shqiptare
2. “Monumenti i Skënderbeut" në Krujë:
- Skulptori: Odhise Paskali
Ky monumental prezanton një pamje të Skënderbeut, heroit dhe udhëheqësit shqiptar të shekullit XV, që u bë një simbol i rezistencës kundër pushtimit osman. Statuja ndodhet në qytetin e Krujës, në qendrën e tij historike. Skënderbeu është figura më e rëndësishme në historinë shqiptare dhe europiane. Pamja e tij në këtë monument është një kujtim i mbresëlënës i një periudhe të lavdishme ku shqiptarët ruajtën lirinë e tyre.
Nënë Shqipëri në Tiranë - foto Pinterest
3. Monumenti "Nënë Shqipëri" në Tiranë:
- Skulptori: Kristaq Rama
Skulptori Kristaq Rama është autor i këtij monumenti madhështor. Në qendër të veprës është një grua që personifikon "Nënën Shqipëri, një frymëzim për popullin shqiptar për lirinë dhe pavarësinë. Statuja gjendet në afërsi të Tiranës, ekzaktësisht tek Varrezat e Dëshmorëve. Kjo pamje monumentale është një kujtim i vazhdueshëm për luftën dhe sakrificën e popullit shqiptar në rrugën drejt lirisë.
Partizani fitimtar - foto Java news
4. "Partizani fitimtar", në Austri
- Skulptori Odhise Paskali
Vepër e skulptorit Odhise Paskali e cila është vendosur në ish-kampin nazist të Mauthausen që prej 1968, në kujtim të atyre që humbën jetën në kampet e përqendrimit, si kontribut i Shqipërisë në luftën kundër nazi-fashizmit.
Një kopje e këtij monumenti ishte prezent edhe në Çorovodë deri në vitin 1990, kur u hoq, ndërsa në Austri vazhdon të jetë ende. Imazhi i kësaj vepre do të stampohej në monedhat 1 lekëshe që u emetuan nga Banka e Shqipërisë. Monumenti shpreh përpjekjet dhe kontributin e shqiptarëve në luftën për liri dhe pavarësi.
Monumenti i Pavaresise ne Vlore- foto wikipedia
5. "Monumenti i Pavarësisë” në Vlorë:
- Skulptori: grup autorësh
Monumenti i Pavarësisë është një monument në Vlorë, kushtuar Shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë, i ndërtuar nga Kristaq Rama, Muntaz Dhrami, Sh.Hadëri në Vlorë në vitin 1972 dhe i mbuluar me bronz. Është i lartë 17 metra. Ky monument ngrihet në qendër të qytetit në Sheshin e Flamurit. Në qendër të grupit skulpturor është figura e Ismail Qemalit, kryetarit të parë të shtetit shqiptar.
Nënë Tereza në Tiranë - foto Top Channel
6. “Shtatorja e Nënë Terezës” në Rinas:
Skulptori: Ilirjan Shima
Në realizimin e kësaj vepre, skulptori ka punuar për më shumë se një dekadë. Për artistin, Shima kjo skulpturë është një nga veprat më domëthënëse pasi lidhet drejtëpërdrejtë me figurën e shenjtores Nënë Tereza. Përurimi i kësaj vepre, përkoi me 30 vjetorin e ardhjes në Shqipëri të Papa Gjon Palit të dytë, i cili u mirëprit nga Shën Tereza e Kalkutës, nobelistja e paqes. Kjo është shtatorja e dytë e misionares e vendosur në Tiranë, pasi zëvëndësoi shtatoren e mëparshme të vendosur në hyrje të aeroprtit të Rinasit.
Luftëtari i Panjohur në Korçë - foto ATSH
7. “Ushtari i panjohur” në Korçë
- Skulptori Odhise Paskali
Statuja e luftëtarit Kombëtar u krijua në nder të patriotëve korçarë, që u organizuan dhe morën pjesë për çlirimin e vendit nga pushtuesit osmanë. Skulptori i shquar shqiptar Odhise Paskali, e përjetësoi veprën e tyre me një monument kushtuar Luftëtarit Kombëtar që zbret nga mali në vitin 1933. Monumenti ndodhet në qëndër të qytetit dhe njihet si "Luftëtari Kombëtar" ose "Ushtari i Panjohur".
Disa here monumenti eshte larguar nga sheshi qendror, por është rikthyer sërish në mes të pedonales së Korçës si një nga simbolet e qytetit.
Monumenti i Çerçiz Topullit - foto Gazeta Shqiptare
8. Monumenti i Çerçiz Topullit në Gjirokastër
- Skulptori Odhise Paskali
Statuja kushtuar heroit të Popullit Çerçiz Topulli, vepër e skulptori Odhise Paskali, ndodhet në zemër të sheshit me të njëjtin emër. Monumenti i Çerçiz Topullit u ngrit në Gjirokastër, në mars të vitit 1934. Ky monument është realizuar nga Odhise Paskali, ndërsa financimi u mundësua nga kontributi i shqiptarëve brenda e jashtë vendit.
Interesant është fakti se në monument është një vrimë plumbash e shkaktuar nga një ushtar italian gjatë pushtimit të Shqipërisë gjatë Luftës së Dytë Botërore.
Luftetari i Panjohur ne Korçe - foto ATSH
9. Monumenti "Partizani i Panjohur"
- Skulptori Andrea Mano
Ky monument u ngrit për të nderuar partizanët shqiptarë që dhanë jetën në luftë kundër fashizmit.
Ai është vepër e realizmit socialit e krijuar në vitin 1949 dhe mbahet si monumenti i parë i ngritur pas Luftës së Dytë Botërore duke zënë vendin e xhamisë së vjetër, e cila u shkatërrua gjatë luftimeve për çlirimin e Tiranës.
Vepra është realizuar në bronz nga skulptori Andrea Mano.
Isa Boletini ne Shkoder- foto wikimapia
10. Statuja e Isa Boletinit në Shkodër
- Skulptori Shaban Hadëri
Kjo statujë është punuar në bronx në vitin 1986 nga skulptori Shaban Hadëri. E vendosur në një park të vogël, kjo statujë madhështore prej bronzi 4,6 m e lartë u ngrit në vitin 1986 për lavdinë e Isa Boletinit, i cili mori armët kundër Perandorisë Osmane, Serbisë dhe Malit të Zi.
Këta skulptorë janë kujdesur që të shprehin me mjeshtëri artistike vlerat dhe figurat që ata përfaqësojnë në monumentet e tyre. Statujat apo monumentet janë pika kulmore të artit skulptural dhe trashëgimisë kulturore të Shqipërisë. Ato janë shembuj të një trashëgimie të pasur kulturore dhe historike, pasi dëshmojnë për ngjarjet dhe personalitetet që kanë ndikuar në rrugën drejt lirisë dhe pavarësisë në Shqipëri. Ato janë vendet ku shqiptarët dhe vizitorët mund të mësojnë më shumë për historinë dhe kulturën e këtij vendi të bukur.
Neritana Kraja