Investimet shqiptare jashtë vendit shënojnë rekord historik
2023-09-27 12:02:19

Foto nga VCG

Të dhënat e Bankës së Shqipërisë tregojnë se investimet shqiptare jashtë vendit shënuan një rekord të ri historik në gjysmën e parë të këtij viti.

Për 6-mujorin 2023, vlera e investimeve të kompanive shqiptare jashtë vendit arriti në 126 milionë euro, 40% më shumë krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë, shkruan “Panorama”.

Ky është edhe niveli më i lartë historik i investimeve shqiptare jashtë vendit, të paktën për periudhën e serisë statistikore të Bankës së Shqipërisë, që fillon nga viti 2008. Në pjesën më të madhe, investimet shqiptare janë kanalizuar në kontribute direkte në kapitalin e shoqërive të kontrolluara jashtë vendit.

Këto injektime kapitali përbënin më shumë se 72% e fluksit të ri të investimeve shqiptare jashtë vendit. Pjesa tjetër konsiston kryesisht në formën e huave të dhëna nga aksionerët shqiptarë për kompanitë bija të vendosura jashtë vendit.

Këtë vit investimet e huaja direkte në Shqipëri po shënojnë vlera rekord, por, nga ana tjetër, një tendencë të ngjashme shfaqin edhe investimet shqiptare jashtë vendit. Sidoqoftë, bilanci neto i investimeve të huaja direkte për 6-mujorin 2023 ishte negativ, për një vlerë të përgjithshme prej 560 milionë eurosh, në rritje me 1.8% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Të dhënat statistikore për investimet e sipërmarrjeve shqiptare jashtë vendit ende nuk detajohen për shpërndarjen e tyre gjeografike apo sektoriale. Për këtë arsye, është e vështirë të thuhet me saktësi se në cilat shtete dhe në cilat sektorë janë më shumë të shtrira investimet shqiptare jashtë, apo në cilat prej vendeve apo sektorëve është mbështetur rritja e fortë e dy viteve të fundit. (Irma)