A përbën problem fitorja e Kinës në garën e makinave të pastra?
2023-09-26 19:49:15

Bashkimi Evropian do të hetojë lidhur me subvencionet e Kinës për automjetet elektrike. Hetimi i Komisionit Evropian do të përcaktojë nëse do të vendosen tarifa ndëshkruese për automjetet elektrike kineze, të shitura në një çmim më të ulët se modelet evropiane. Zyrtarët e BE-së thonë se epërsia e Kinës në çmim është rezultati i subvencioneve të pabarabarta. Pekini e mohon këtë.

CFP

CFP

BE-ja dëshiron të mbrojë prodhuesit e makinave elektrike nga konkurrenca kineze me çmime më të ulëta. Brukseli po nis një hetim mbi subvencionet e automjeteve elektrike prej Pekinit, që ndihmojnë në mbajtjen e kostos të ulët.

Ministria kineze e Tregtisë e ka dënuar vendimin e BE-së dhe e ka quajtur atë "proteksionizëm të hapur". BE-ja thotë se është e hapur për konkurrencën, duke përfshirë sektorin e makinave elektrike, por i shikon subvencionet e Kinës si të padrejta.

Gjatë bisedimeve tregtare mes Kinës dhe BE-së të hënën, pala kineze bëri thirrje për përmbajtje.

"Kina shprehu përsëri shqetësimin e vet të madh dhe pakënaqësinë e fortë për planin e BE-së për të nisur një hetim kundër subvencioneve ndaj automjeteve elektrike kineze," tha zv.kryeministri kinez He Lifeng. "Shpresojmë se pala e BE-së do ta trajtojë këtë çështje me kujdes dhe do të vazhdojë të mbajë një treg të lirë dhe të hapur. Kjo është në të mirë të konsumatorit europian, të  zhvillimit të gjelbër dhe me karbon të ulët të Europës, si edhe të bashkëpunimit global mbi ndryshimin e klimës," shtoi ai.

Vitet e fundit, Kina është bërë tregu më i madh global i makinave me energji të re. Shifra e automjeteve elektrike në qarkullim në Kinë është katërfishuar nga viti 2019 deri në vitin 2022, sipas Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë.

CFP

CFP

Politika dhe stimuj të ndryshëm janë zbatuar nga qeveria kineze nëpër vite për promovimin e automjeteve elektrike. Masat kanë pasur si qëllim për të luftuar ndotjen dhe për të pakësuar lëshimin e karbonit të vendit. Disa masa përfshijnë një sistem të kreditit të karbonit të ngjashëm me sistemin e BE-së.

Kina ka përshpejtuar më tej tranzicionin e saj në makinat elektrike nëpërmjet ndërtimit të një rrjeti të gjerë të pikave të ngarkimit të baterive. Prodhuesit vendës kanë qenë në gjendje të rrisin shpejt vëllimin e prodhimit të makinave elektrike. (Xu Guang)