Pensionistët dhe pensionet (Foto Konica.al)
Më 21 shtator 2023, Ministri i Financave dhe Ekonomisë, Ervin Mete prezantoi në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë projektligjin “Për fondet e pensionit privat”. Ky ligj përmirëson bazën ligjore të fondeve të pensionit privat dhe nxit kursimet për pension, për t’i ofruar qytetarëve shqiptarë një pension më dinjitoz.
Në nivel të pensioneve, qytetarët e Shqipërisë kanë ndër pensionet më të ulta në rajon dhe alternativa e pensioneve private, të mbështetura nga një bazë ligjore e përshtatshme, mund të ndihmojë fuqimisht në rritjen e pensionit mesatar në vend.
Skemat private të pensioneve janë një instrument i dobishëm dhe i nevojshëm për rritjen e kursimeve për pension, duke përmirësuar standardin e jetesës përmes ofrimit të një pensioni shtesë, krahas pensionit të përfituar nëpërmjet skemës publike të pensioneve.
Nisur nga stadi aktual i zhvillimit të këtij tregu, lind nevoja e nxitjes së pjesëmarrjes në fondet private të pensioneve, përmes një rregullimi që rrit besimin e investitorit, si dhe përmes krijimit të lehtësive fiskale, apo elementëve të tjerë të domosdoshëm që nxisin kursimin e qytetarit për pensionin e tij.
Ministri i Financave Ervin Mete (Foto Top Channel)
Ministri i Financave Ervin Mete lidhur me këtë theksoi:
“Projektligji “Për fondet e pensionit privat” që propozohet sot për miratim ka si qëllim përmirësimin e bazës ligjore dhe rregullon tregun e fondeve të pensionit privat, për të krijuar kushte të favorshme për zhvillimin e këtij tregu dhe nxitjen e kursimeve për pension. Ky projektligj transpozon në të drejtën e brendshme Direktivën e Bashkimit Evropian (IORP II), si dhe parimet e modelet më të mira në fushën e pensioneve private.
Sipas të dhënave për periudhën 30.06.2023, totali i aseteve neto të fondeve të pensionit privat arriti në rreth 6,2 miliardë lekë, ndërsa numri i anëtarëve rezultoi rreth 37,600, me një rritje prej afro 3% krahasuar me fundin e vitit 2022. Me qëllim zhvillimin e mëtejshëm të këtyre skemave lind domosdoshmëria e përmirësimit të kuadrit ligjor, për të krijuar incentivat e mëtejshme për zgjerimin e pjesëmarrjes dhe për të rritur besimin e anëtarëve dhe investitorëve në këtë treg dhe tek operatorët e tij.”
Ligji adreson një sërë problematikash dhe mangësi të ligjit ekzistues, të miratuar në vitin 2009 dhe të pandryshuar apo përmirësuar gjatë gjithë këtyre viteve.
Efektet kryesore që synohet të arrihen nëpërmjet miratimit të këtij akti janë:
1. Mbrojtja e interesave të anëtarëve të fondit të pensionit privat, nëpërmjet vendosjes së standardeve më të larta për mirëinformim dhe transparencë, që nxisin besueshmërinë e investitorit në tregun e fondeve të pensionit privat;
2. Nxitja e pjesëmarrjes në skemë nëpërmjet rishikimit të politikës tatimore, me synim krijimin e lehtësive fiskale për anëtarët ekzistues apo të mundshëm, si dhe përfituesit e fondit;
Projektligji parashikon dy forma të fondeve të pensionit: “Fond pensioni me pjesëmarrje të hapur” dhe “Fond pensioni me pjesëmarrje të mbyllur”, siç parashikohet edhe në direktivën IORP II të Bashkimit Europian.
Kuvendi i Shqipërisë (Foto Kuvendi i Shqipërisë)
Krijimi i fondit me pjesëmarrje të mbyllur merr rëndësi të veçantë për zhvillimin e tregut privat të pensioneve në vend, pasi në këtë mënyrë shoqëritë shqiptare nxiten që përmes mundësisë për negocim me shoqëritë administruese, të krijojnë fonde pensioni për punonjësit e tyre, duke sjellë rritjen e pjesëmarrjes në këto skema.
Projektligji ka parashikuar dispozita mbi veprimtarinë promovuese të fondeve të pensionit dhe publikimin e performancës së fondit të pensionit, duke rritur ndjeshëm kërkesat për transparencë me qëllim mirëorientimin dhe mirëinformimin e investitorëve të fondit të pensioneve private.
Mungesa e këtyre dispozitave në ligjin aktual, pra ato që rregullonin informimin, marketingun dhe veprimtarinë promovuese të fondit, e bënte më pak të njohur këtë treg për qytetarët dhe punëdhënësit që duan të kontribuojnë për punëmarrësit e tyre. Për këtë arsye, parashikimi i një kapitulli të veçantë në lidhje me veprimtarinë promovuese të fondit të pensionit përbën një tjetër avantazh të projektligjit që propozohet për miratim.
Projektligji për pensionet private parashikon politika lehtësuese fiskale për nxitjen e pjesëmarrjes në fondet e pensionit privat, të cilat pritet të ndikojnë pozitivisht në zhvillimin e tregut të pensioneve private.
Rritja e pensioneve (Foto A2CNN)
Projektligji gjithashtu ofron alternativa për krijimin e një portofoli investimi më të diversifikuar për pensionet private të qytetarëve shqiptarë, për të bërë të mundur rritjen e kthimit nga investimi. Kjo synohet të realizohet përmes zgjerimit të listës së instrumenteve financiare, ku mund të investohen asetet e fondit të pensionit, duke përfshirë: tituj borxhi të emetuara nga bankat, si dhe aksione ose kuota të sipërmarrjeve të investimeve kolektive me ofertë publike.
Projektligji i është nënshtruar një procesi të gjerë konsultues, me aktorët e tregut dhe palët e interesit. Gjithashtu, është marrë në konsideratë ekspertiza shumë e vlefshme e Bankës Botërore për hartimin e tij. Ai plotëson dhe modernizon më tej kuadrin ligjor për tregjet financiare jobankare në vend, të përafruar në masë të gjerë tashmë me Direktivat Evropiane, kjo e konstatuar dhe e vlerësuar edhe në takimet e mbajtura në Bruksel nga përfaqësues të qeverisë. në kuadër të negociatave të anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian.
Fatos Çoçoli