Kina nxit begatinë e përbashkët nëpërmjet hapjes dhe rigjallërimit rural
2023-09-26 11:50:30

Foto nga Xinhua

Si "kryeqyteti i mallrave të vogla" i botës, Yiwu në provincën Zhejiang të Kinës Lindore ka marrëdhënie tregtare me më shumë se 230 vende dhe rajone.

Gjatë një vizite inspektimi në Zhejiang kohët e fundit, presidenti kinez Xi Jinping u shpreh se mallrat e vogla të Yiwu-së janë kthyer në një treg të madh dhe në një industri të madhe, kur vizitoi tregun në Yiwu të Jinhua-së më 20 shtator.

"Të gjithë janë pjesëmarrës, ndërtues dhe kontribues," theksoi Xi, gjithashtu sekretar i përgjithshëm i Komitetit Qendror të Partisë Komuniste të Kinës (PKK) dhe kryetar i Komisionit Qendror Ushtarak, duke nxitur zgjerimin në tregjet brenda e jashtë vendit, si edhe duke i kërkuar provincës Zhejiang të luajë një rol kryesor dhe shembullor në nxitjen e begatisë së përbashkët.

Të dhënat e publikuara nga Administrata e Përgjithshme e Doganave e Kinës tregojnë se vlera e përgjithshme e importit dhe eksportit të mallrave në gjysmën e parë të këtij viti ishte 20.1 trilionë juanë (rreth 2.75 trilionë dollarë amerikanë), duke u rritur 2.1 për qind krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar dhe duke i kaluar 20 trilionë juanët për herë të parë.

Ndërmarrjet private janë ende forca kryesore e tregtisë së jashtme të Kinës. Në gjysmën e parë të këtij viti, numri i kompanive të tregtisë së jashtme që merren me import-eksport u rrit me 6.9 për qind krahasuar me të njëjtën periudhë të vjetshme. Vlera e importit dhe eksportit të ndërmarrjeve private ishte 10.59 trilionë juanë, 8.9 për qind më shumë se në të njëjtën periudhë të vitit 2022.

Duhet të bëhen përpjekje për të inkurajuar dhe mbështetur kompanitë private që të marrin pjesë aktive në ndarjen globale industriale të punës dhe shpërndarjen e burimeve, për të rritur forcën konkurruese thelbësore, vuri në dukje Xi gjatë turneut të tij të inspektimit.

Foto nga Xinhua

Pas vitesh zhvillimi, trenat e mallrave Kinë-Evropë, që nisen nga Yiwu dhe mbërrijnë në Madrid të Spanjës, kanë hyrë në rrugën e zhvillimit me cilësi të lartë dhe janë bërë një mënyrë e re transporti ndërkombëtar që është i përshtatshëm, i shpejtë, i sigurt, i qëndrueshëm, i gjelbër dhe ekonomik.

Linja hekurudhore e mallrave, e quajtur "Yixin'ou" në gjuhën kineze (Yiwu-Xinjiang-Europe) dhe që ka një gjatësi 13 052 km, është bërë një urë e rëndësishme që lidh kontinentin euraziatik. Deri në fund të korrikut të këtij viti, numri i përgjithshëm i trenave të mallrave që kanë qarkulluar në këtë linjë arriti mbi 6 000.