
Foto nga Panorama
Forcimi i bashkëpunimit ekonomik të vendeve të rajonit të Ballkanit Perëndimor dhe çuarja më tej e projekteve të Procesi të Berlinit do të sjellë të martën në Tiranë krerët e dikastereve të Ekonomisë të këtyre vendeve, njofton “RTSH”.
Ky ministerial ka në fokus ecurinë e zhvillimit të projekteve të ndryshme ekonomike, një përpjekje e vazhdueshme e shteteve të Ballkanit, për të lehtësuar bashkëpunimin rajonal.
Procesi i Berlinit është një iniciativë e udhëhequr nga Gjermania, qëllim i së cilës është bashkëpunimi rajonal në mes gjashtë shteteve të Ballkanit Perëndimor, me vizionin që të ndihmohen në përmbushjen e kritereve për t’u anëtarësuar në Bashkimit Evropian.
I nisur në vitin 2014 nga kancelarja gjermane Angela Merkel, komponenti më i rëndësishëm i Procesit të Berlinit, është e ashtuquajtura “Agjenda e Konektivitetit”, e cila synon që vendet e Ballkanit Perëndimor t’i lidhë mes tyre në fushat e transportit dhe energjisë, duke u zgjeruar edhe në bashkëpunimin ekonomik.
Samitet e mbajtura, më herët, në Gjermani, Austri, Francë, Itali, ndihmuan në vendosjen e komunikimit ndërmjet liderëve të Ballkanit, si dhe në ideimin e disa projekteve infrastukturore dhe të iniciativave rajonale.
Projektet e miratuara për secilin shtet të Ballkanit Perëndimor financohen pjesërisht nga mekanizmat e BE-së dhe pjesërisht nga vetë këto shtete. (Fatosi)
