Foto nga Facebook Ministria e Kultures
Starton në Tiranë Java e Kulturës Kineze, në sezonin e dytë të këtij aktiviteti, një nismë e Ministrisë së Kulturës, në bashkëpunim me Ambasadën e Kinës në Shqipëri.
Në njoftimin e dhënë nga Ambasada e Kinës kjo javë do të jetë e mbushur plot me aktivitete ku do të demonstrohet përvoja e kulturës popullore kineze dhe e trashëgimisë kulturore kineze.
Në programin e këtij eventi nuk do të mungojë festivali i ushqimit, ku të pranishmit do të mund të provojnë gatime të ndryshme kineze.
Ndërsa në mjediset e Muzeut Historik Kombëtar është hapur ekspozita “Përshëndetje, Pekin”, me fotografi skenike të kryeqytetit kinez.
Gjithashtu do të ketë edhe një shfaqje të kulturës jomateriale të Kinës, e cila do të udhëtojë mes traditave të arteve marciale dhe festimit të traditave folklorike kineze.
Gjatë kësaj jave nuk do të mungojë as koncerti i pianistes kineze Xinyi Guo, e cila do të performojë në Teatrin Kombëtar të Operas dhe Baletit.
Shtatë ditët e kulturës kineze do të jenë të mbushuara me folklor, kulinari, cirk, ekspozitë fotografike, koncerte e festa në shesh dhe do të përmbyllen më 1 tetor që përkon dhe me Ditën Kombëtare të Kinës.
Javët Kulturore Ndërkombëtare është një nismë e Ministrisë së Kulturës, që sjell tingujt, imazhet, aromat dhe shijet e vendeve të ndryshme të botës.
Falë programit dinamik e gjithëpërfshirës, Javët Kulturore Ndërkombëtare do të krijojnë një atmosferë të jashtëzakonshme e do të shpërndajnë mesazhe të forta paqeje dhe pranimi të njëri-tjetrit. (Irma)