
CFP
Ministri i Brendshëm i Kosovës, Xhelal Sveçla tha në mbrëmje se situata është vënë nën kontroll. Ai tha se tre nga sulmuesit janë vrarë, ndërsa janë arrestuar gjashtë persona, dy prej të cilëve të plagosur që ishin me uniforma dhe të armatosur, ndërsa katër të tjerë u gjetën me radiolidhje, që sipas policisë dyshohet se ishin në kontakt me grupin sulmues.
“Policia e Kosovës ka zbuluar një sasi të jashtëzakonshme armatimi të rëndë, armatim këmbësorie, eksploziv, uniforma, logjistikë, ushqime, pajisje për barrikada dhe lirisht mund të themi se ishin pajisje për disa qindra sulmues të tjerë. Do të thotë përgatitjet ishin që në mënyrë masive të sulmojnë policinë e Kosovës, të sulmojnë institucionet e Republikës së Kosovës dhe seriozisht të cënojnë integritetin territorial dhe sovranitetin e Republikës së Kosovës”, tha ministri Sveçla.

CFP
Ai tha se policia është duke kontrolluar edhe disa dhjetëra pelegrinë që ndodheshin në manastir për të vërtetuar nëse ndonjë nga sulmuesit është fshehur mes tyre.
Policia e Kosovës tha se për shkaqe sigurie ka mbyllur dy vendkalimet kufitare me Serbinë në veri, Jarinjë dhe Bërnjak.
