
Foto nga ATSH
Autoriteti Portual Durrës bëri të ditur se sipas të dhënave statistikore gjatë 8 muajve të parë të vitit, në katër terminalet portuale janë përpunuar në total 923 mjete lundruese, të cilat kanë transportuar në rrugë detare rreth 2 milionë e 400 mijë tonë mallra.
Peshën kryesore të volumit të mallrave të përpunuara e mbajnë importet me 1.5 milionë tonë mallra, ndërsa eksportet zënë rreth 837.720 tonë, shkruan “ATSH”.
Sipas APD-së, volumin më të madh të mallrave e mban terminali i kontejnerëve, i cili ka reflektuar rritje në masën 25% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Në terminalin e trageteve po ashtu ka një rritje progresive, ku gjatë periudhës janar-gusht janë regjistruar 622.188 pasagjerë, ose 5% më shumë se viti 2022.
Autoritetet portuale njoftuan se gjatë kësaj periudhe janë përpunuar 690 tragete dhe 223 anije tregtare, të cilat kanë sjellë në Shqipëri pasagjerë dhe mallra të ndryshme.
Me vënien në funksion të sistemit operativ online “Navis 4”, ofrohet një standard i ri pune në fushën e përpunimit të kontejnerëve.
Porti i Durrësit është më i madhi në vend. Anijet tregtare që transportojnë mallra nga ose drejt Durrësit kanë lundruar deri tani nga ose drejt 67 porteve në 24 vende të botës. (Fatosi)
