Foto nga CMG
Kina lançoi një sistem energjie inteligjente, “truri i zgjuar” i parë i vendit i aftë për të realizuar menaxhimin e koordinuar të dhjetëra burimeve të energjisë në të njëjtën kohë, njofton “CGTN”.
I njohur si Tianshu-1, sistemi, i zhvilluar nga Korporata Shtetërore e Investimeve të Energjisë (SPIC), integron funksionet e monitorimit, parashikimit, rregullimit dhe funksionimit të energjisë, duke u ofruar përdoruesve shërbime inteligjente dhe efikase.
Mundësuar nga të dhëna të mëdha, modele të mëdha dhe algoritme të inteligjencës artificiale, ai mund të fuqizojë industrinë e energjisë dhe të ndihmojë bizneset të përmirësojnë efikasitetin e energjisë, si dhe të promovojnë ruajtjen e energjisë dhe reduktimin e emetimeve.
Sistemi sinkronizon dhjetëra kategori të energjisë, të tilla si energjia elektrike, energjia termike dhe gazi, si dhe integron një gamë të gjerë funksionesh dhe aplikacionesh si zhvillimi, menaxhimi, analiza dhe parashikimi, funksionimi dhe mirëmbajtja, deklaroi Jiang Lizhe, inxhinier i lartë në fushën e energjisë inteligjente në “SPIC”.
Zbatimi i tij në skenarë të shumtë ka treguar një rritje të efikasitetit gjithëpërfshirës të përdorimit të energjisë në mbi 75 për qind, duke reduktuar konsumin e përgjithshëm të energjisë me mbi 15 për qind dhe duke ulur kostot e kursimit të energjisë me mbi 30 për qind, tha Jiang.
Deri më tani, sistemi inteligjent është vendosur në 30 provinca, bashki dhe rajone autonome dhe 1288 qarqe në të gjithë vendin.
Deri në fund të vitit 2023 kjo pritet të jetë platforma më e madhe e integruar e energjisë inteligjente në botë duke koordinuar dhe menaxhuar mbi 40.000 megavat kapacitet energjie. (Fatosi)