Vendet vakante në spitale, Italia planifikon të rekrutojë infermierë nga India
2023-09-25 11:04:15

Foto nga ATSH

Ministri italian i Shëndetësisë, Orazio Schillaci, deklaroi se nevojitet sa më shpejt rekrutimi i një numri të caktuar infermierësh nga vende të tjera dhe tashmë është identifikuar India, shkruan “Il Messaggero”, citon “ATSH”.

“Kemi nisur procesin e rekrutimit dhe synohet të sjellë në Itali disa mijëra infermierë nga gjiganti aziatik. Ky është një operacion jetik për sistemin shëndetësor kombëtar, në të kundërt rrezikon kolapsin dhe ndalimin e aktiviteteve”, shtoi ai.

Kalabria ka marrë rreth 170 mjekë nga Kuba, ndërsa vendi në tërësi po përpiqet të mbushë boshllëqet në stafin infermieror duke imituar vende të tjera si Gjermania, Suedia, Mbretëria e Bashkuar, Irlanda, Kanadaja dhe Japonia.

Në Itali numërohen gjithsej 465 mijë infermierë, por regjistrimet nëpër universitete kanë pasur një rënie prej 10 për qind të aplikimeve.

Deri më sot, mungesa e infermierëve është rreth 65 mijë. (Irma)