Censi i popullsisë dhe banesave 2023
2023-09-25 10:41:43

Mbledhja e të dhënave për Censin (Foto ATA)

Mbledhja e të dhënave për Censin (Foto ATA)

Data 18 shtator konsiderohet dita e Censit të Popullsisë dhe Banesave në Shqipëri.  Në të gjithë territorin e Republikës së Shqipërisë punonjësit e INSTAT, anketues, kontrollorë, mbikqyrës kanë dalë në terren për të numëruar popullsinë rezidente në Shqipëri dhe kushtet e tyre të banesës. Ky është një proces statistikor, por nga drejtues të INSTAT  konsiderohet me përmasa të mëdha dhe të një rëndësie të veçantë për vendin. Gjatë një aktiviteti për këtë nismë të rëndësishme, Drejtoresha e Përgjitshme e INSTAT, Elsa Dhuli flet për të veçantat e këtij censi.

Drejtore e INSTAT Elsa Dhuli (Foto Gazeta Panorama)

Drejtore e INSTAT Elsa Dhuli (Foto Gazeta Panorama)

“Kanë kaluar 100 vite, janë zhvilluar 11 cense, nga të cilët janë prodhuar statistika zyrtare dhe secili prej tyre ka pasur një veçori dalluese. Cila është veçoria dalluese e këtij censi? Është organizuar bazuar mbi një strategji organizimi, zbatimi, komunikimi. Ka pasur në vëmendje objektiva të qarta për synimin e arritur, për të realizuar një cens bazuar në akte legjislative të përmirësuara, bazuar në infrastrukturë teknologjike, bashkëkohore dhe moderne, në një sistem gjeo-hapësinor të përmirësuar. Përmendim 11 censet e mëparshme, datuar i pari në vitin 1923, por secili prej tyre ka patur karakteristikat e veta dalluese, në metodologji, zbatim, shpërndarje, në plotësim informacioni, duke arritur në censusin e viti 2011 dhe tashmë në të vitit 2023, një aktivitet që ndjek tërësisht rekomandimet e Kombeve të Bashkuara dhe të Komisionit Evropian lidhur me zhvillimin e censeve në mbarë Evropën dhe botën.”-shpjegon Drejtoresha e Përgjitshme e INSTAT, Elsa Dhuli.

Pamje nga Tirana (Foto RTSH)

Pamje nga Tirana (Foto RTSH)

Të dhënat e grumbulluara nuk do të jenë thjesht disa shifra më shumë por  statistikat dhe gjetjet do të japin ndihmë në investimet që duhen sipas zonave bazuar në numrin e popullsisë.

“Kjo nisur nga vetë rëndësia që ka ky aktivitet, jo vetëm për të ofruar informacione, për hartuesit e politikave dhe vendimmarrësit, bazuar në shifra, si në nivel qendror po ashtu dhe në nivel lokal. Për vetë-lehtësimin që do krijojë në rezultatet e prodhuara nga ky aktivitet për një planifikim më të mirë, për kopshtet, shkollat, spitalet, parqet, rrugët e të tjera. Gjithashtu do lehtësojë komunitetin e biznesit për vendimmarrje mbi planet e tyre zhvillimore, do të jetë një bazë për krijimin e regjistrave statistikorë të rezidentëve në vend, të ndërtesave dhe banesave dhe kjo për faktin që Censi i radhës të mos realizohet më derë më derë, por të arrijë standardet evropiane dhe të bazohet në regjistra administrativë. Së fundi por dhe më e rëndësishmja: Është një e mirë publike për të gjithë komunitetin tonë.”- shprehet Drejtoresha e Përgjithshme e INSTAT.

Të dhënat nga Censi  do të ofrojnë edhe krahasime të tendencave ndër vite.

“Çfarë do të ofrojë ky cens që e bën atë të rëndësishëm? Në radhë të parë ky aktivitet do të ofrojë të dhëna për popullsinë rezidente, mbi karakteristikat demografike, sociale, ekonomike në nivelin më të detajuar gjeografik në një km katror. Do të ofrojë të dhëna për të vlerësuar ndryshimet e popullsisë nga censi i kaluar apo nga censi i mëparshëm. Të dhëna për karakteristikat e banesave, për strehimin, shëndetësinë, punësimin migracion e të tjera. Patjetër, ky aktivitet nuk mund të realizohet pa rekrutimin e një armate të madhe e cila janë baza jonë kryesore për monitorimin e këtij aktiviteti. Një fushatë e gjerë komunikimi për të rekrutuar për të pasur pas vetes për të bërë pjesë të skuadrës tonë 7500 persona.”

Pyetësori i Censit (Foto Shqiptarja.com)

Pyetësori i Censit (Foto Shqiptarja.com)

Masat janë marrë për të shpërndarë anketues në të gjithë Shqipërinë.

“ Do jenë 5240 mijë anketues, të cilët do të trokasin derë më derë, do të montirohet procesi i tyre dhe  do të mbikëqyret jo vetëm në terren, por edhe nga ana teknologjike dhe e gjeoinformacionit. Patjetër që nuk mund të dalim në terren pa një trajnim të mirëfilltë. Nga një ekip proesionishtësh, për një periudhë prej 6 javësh kemi trajnuar 7500 persona, në mënyrë që të jenë të aftë të dinë të komunikojnë kur trokasin në derë, të dinë të përdorin tabletin, të dinë përmbajtjen e pyetësorit dhe shumë informacione të tjera. Ky aktivitet nuk mund të kryhet pa mbështetje financiare. Eshtë një aktivitet, në të cilin do të përdoret për herë të parë tableti për grumbullimin e informacionit, me një metodë tradicionale derë me derë me një tabletë në dorë, të pajisur me shenja dalluese të zyrtarizuara, të cilët do të identifikojnë të gjithë punonjësit e terrenit të INSTAT. Ky aktivitet është realizuar me një investim të konsiderueshëm.”

Censi 2023 (foto RTSH)

Censi 2023 (foto RTSH)

Drejtoresha e INSTAT bën transparente edhe pyetet që do t’u bëhen qytetarëve.

“Do të pyesim për ndërtesën, për banesën, për njësitë ekonomike, për individin, për ekonomitë bujqësore, për vizitorët dhe për të larguarit. Grumbullimi i informacionit do të kryhet me pajisje elektronike, por siguria që INSTAT iu ofron të gjithë komunitetit tonë kombëtar dhe ndërkombëtar është se ky informacion do të transmetohet në mënyrë të sigurt. Të dhënat individuale do të mbrohen sipas legjislacionit dhe në fund do të shpërndahen në mënyrë të agreguar.”

Drejtues të INSTAT thonë se procesi është dinamik dhe po shkon sipas pritshmërive. Intervistat do të vazhdojnë edhe pasdite për të  mundësuar kontaktimin me qytetarët, të cilët gjatë paradites kanë qenë të angazhuar me punë. Ky proces vlerësohet edhe nga ekspertët. Ata thonë për mediat se informacioni që do të mblidhet në kuadër të Censit 2023 ka rëndësi për zhvillimin e vendit dhe u bëhet thirrje qytetarëve që të deklarojnë informacionin  pa e shtrembëruar.