Zhang Liang i Kinës, sportisti me numrin më të madh të medaljeve në kanotazh për meshkuj në historinë e Lojërave Aziatike
2023-09-25 21:35:10

Zhang Liang/CFP

Zhang Liang/CFP

Zhang Liang i Kinës ka bërë përsëri një paraqitje të jashtëzakonshme në Lojërat Aziatike të Hangzhou-t, duke marrë medaljen e dytë të artë në konkurrimin e radhës.

Pas triumfit të mëparshëm së bashku me Liu Zhiyun-in në kanotazhin me barkë dyshe çift për meshkuj, veterani 36-vjeçar doli sërish fitues të hënën, këtë herë si individ. 

Kjo fitore do të thotë se Zhang është tani sportisti mashkull me më shumë medalje në historinë e kanotazhit të Lojërave Aziatike. Falë arritjes së jashtëzakonshme të fitimit të medaljeve të arta në katër Lojëra Aziatike radhas, ai e ka shkruar emrin e vet në historinë e kësaj veprimtarie sportive prestigjoze.

Ndërsa ka përfunduar konkurrimin në Lojërat Aziatike të këtij viti, Zhang nuk është i kënaqur me arritjet e tij, por ka caktuar objektiva për Olimpiadën e Parisit vitin e ardhshëm. 

"Gjatë më shumë se dhjetë vjetëve të fundit, nga Guangzhou në Hangzhou, kam qenë pjesë e Lojërave Aziatike dhe kam dëshmuar përparimin e pabesueshëm të Kinës," vëren ai. "Do të shtoj përpjekjet dhe do të përpiqem të arrij sukses në Olimpiadën e Parisit."

Më vonë po atë ditë, vozitësit kinezë ruajtën formën e tyre, duke siguruar medalje ari në kanotazhin me barkë dyshe me katër veta si për femra, ashtu edhe për meshkuj, kanotazhin me katër veta për femra pa timoniere dhe me tetë veta po për femra me timoniere.

Sheng Lihao/CFP

Sheng Lihao/CFP

Kina po vazhdon gjithashtu të arrijë rezultate të mira edhe në qitje. Në finalen individuale 10 metra me pushkë me ajër për meshkuj, ylli në rritje 19-vjeçar Sheng Lihao thyeu rekordin botëror me një rezultat të jashtëzakonshëm prej 253.3 pikësh, duke kaluar rekordin e mëparshëm prej 252.8 pikësh. 

Ky rezultat jo vetëm i dha atij medaljen e artë, por shënoi gjithashtu rekordin e parë botëror të thyer nga një sportist kinez në Lojërat Aziatike të këtij viti.

Megjithatë, në një kthesë të befasishme të ngjarjeve në garën ekipore 10 metra pushkë me ajër për meshkuj, ishte India që mori medaljen e artë, me gjithsej 1893.7 pikë, duke thyer rekordin botëror prej 1893.3 pikësh të vendosur nga Kina më pak se një muaj më parë në Kampionatin Botëror në Baku të Azerbajxhanit.