Futbollisti Sokol Ymeraj
Endi Rrahmani
Agjensia sportive “Balkan Sport Scholars” është themeluar nga futbollisti Sokol Ymeraj, i cili luan dhe studion në Universitin e Nebraskës dhe nga Endi Rrahmani, që luan dhe studion në Universitetin Barton në Karolinën e Veriut në SHBA. Agjencia e tyre ka një rrjet të gjerë kontaktesh me shkollat me të mira në SHBA, me te cilat bashkëpunojnë për të siguruar bursa sportive për sportistët. Në një intervistë për Grupin Mediatik të Kinës (CMG) Sokol Ymeraj tregon për ekpseriencën e tij si futbollist në SHBA dhe hapjen e agjensisë sportive.
CMG: Keni hapur një angjensi për të transferuar futbollistë me bursa studimi nga vendet e Ballkanit në SHBA. Si lindi ideja e kësaj angjensie sportive?
Sokol Ymeraj: Hapja e kësaj agjensise sportive ishte një ide e imja, që vjen pas eksperiencës time në SHBA si futbollist në kolegjet amerikane. Unë kam ardhur në SHBA para tre vitesh me bursë të plotë sportive, ku trajneri më paguan shkollën, akomodimin, ushqimin dhe çdo gjë të mundshme. Pas kësaj eksperience shumë të mirë kam ecur shumë mirë në futboll dhe shkollë, ku kam marrë shumë çmime. Mbas eksperiencës time këtu mendova që të filloja të ndihmoja lojtarë të tjerë të apasionuar pas futbollit, por edhe për sportet e tjera. Mendova të hap angjensinë time për të sjellë lojtarë në SHBA.
CMG: Kjo agjensi sportive do të transferojë sportistë nga disa vende të Ballkanit?
Sokol Ymeraj: Emrin e agjensisë e kemi vendosur “Balkan Sport Scolars”, pasi kemi dëshirë të merremi me pjesën e Ballkanit.
CMG: Mendoni të sillni futbollistë të rinj apo dhe ata që kanë më shumë eksperiencë në fushën e futbollit?
Sokol Ymeraj: Janë disa rregulla dhe kushte që duhet t’i përmbahesh për të sjellë lojtarë në SHBA, sepse nuk është njësoj si të transferosh lojtarë nëpër klube profesioniste. Në kolegje në SHBA ka rregulla dhe luhet deri në një moshë të caktuar. Ka disa rregulla të tjera që duhet të vish dhe të transferohesh direkt pasi përfundon gjimnazin, ose lejohet deri diku te një ose dy vite ndërmjet shkollës së mesme dhe shkollës së lartë. Janë lojtarë të moshës 18-19 vjeç që ne synojmë të sjellim në SHBA. Gjithashtu mund të jenë dhe lojtarë që kanë filluar universitetin në Shqipëri dhe janë duke luajtur nëpër akademi të ndryshme. Edhe këta lojtarë po i shikojmë që mund t’i sjellim në SHBA.
Futbollisti Sokol Ymeraj gjate nje ndeshje futbolli
CMG: Nëse një futbollist i ri vjen në SHBA për të luajtur futboll dhe dëshiron të nisë dhe studimet atje. Si funksionon kjo gjë?
Sokol Ymeraj: Nëpërmjet federatës së kolegjeve në SHBA janë katër vite leje për të luajtur futboll ose sportin tënd. Ndërkohë në këto katër vite ke kohë për të plotësuar gjithashtu edhe studimet në bachelor. Kushdo që vjen këtu nuk është vetëm një lojtar, por zhvillon dhe studimet. Këtu mund të luash futboll dhe të stërvitesh në kushte normale dhe profesioniste, por vijon paralelisht dhe studimet. Je student-atlet, kështu e quajnë në SHBA.
CMG: Studimet duhet të ndiqen në fushën sportive apo dhe fusha të tjera?
Sokol Ymeraj: Studimet mund të jenë në fusha të ndryshme, por kjo varet nga zgjedhja e lojtarit. Mund të studiosh në fushën e sportit, të inxhinierisë, mjekësisë dhe kjo është totalisht zgjedhja e lojtarit.
CMG: Përveç futbollit do të ketë dhe sporte të tjera që përfshin kjo agjensi?
Sokol Ymeraj: Në kolegje ka sporte të ndryshme, futen 30 sporte dhe të gjitha sportet janë të hapura. Mund të jetë volejbolli, futbolli, tenisi, atletika apo basketbolli, të gjitha sportet janë të mundshme për tu transferuar.
Sokol Ymeraj gjate nje ndeshje
CMG: Si e mendon ecurinë e kësaj agjensie sportive në të ardhmen?
Sokol Ymeraj: Mendoj se mund të bëhet diçka shumë e mirë. Shqiptarët nuk e dinë mirë këtë metodë, e cila është shumë e përhapur. Nëse kërkon në internet ose lexon diku, kjo është shumë e përhapur nëpër vendet e tjera si Italia, Anglia, Gjermania. Spanja ka një treg jashtëzakonisht të madh transferimesh të lojtarëve që vijnë të luajnë në kolegjet këtu dhe janë të gjithë lojtarë shumë të mirë, lojtarë që kanë luajtur me kombëtaret e moshave, lojtarë që janë në akademitë më të mira por që kanë dëshirë të vijnë në SHBA për të studiuar dhe luajtur futboll njëkohësisht. Ndërkohë që kur je në Europë nuk mund t’i bësh dot të dyja njëkohësisht.
CMG: Ju vetë keni shkuar në SHBA me bursë përmes një angjensie të tillë prandaj ju lindi dhe ideja e hapjes së një agjensie?
Sokol Ymeraj: Falë eksperiencës që kam pasur këtu, më erdhi kjo ide sepse në Shqipëri nuk ka asnjë agjensi që merret me transferimin e lojtarëve me bursa sportive në SHBA. Unë jam i pari që po e hap këtë agjensi dhe besoj se mund të bëj diçka shumë të mirë, ku është një rrugë shumë e mirë për shqiptarët sepse gjatë kohës që luan futboll, mbas katër vitesh do të kesh dhe një diplomë nga universitetet më të mira në SHBA. Mendoj se është një mundësi shumë e artë për lojtarët që do të vijnë për të luajtur, por njëkohësisht të vazhdojnë studimet në fushën që ato kanë dëshirë.
CMG: Si ka qenë eksperienca juaj si lojtar në këto tre vite në SHBA?
Sokol Ymeraj: Unë si çdo lojtar shqiptar kam pasur mundësi të shkoj në Europë dhe të provoj shumë rrugë për të luajtur. Kam luajtur dhe me ekipe profesioniste në Shqipëri me Flamurtarin dhe kur mendoj tani këtë eksperiencë them se kam bërë zgjedhjen e duhur, pasi eksperienca që kam pasur këtu ka qenë e mrekullueshme. Ndërkohë që jam duke u rritur çdo ditë si lojtar nga kushtet, stërvitja dhe niveli këtu, por jam duke u rritur dhe si person me studimet që janë shumë të mira sepse universitetet amerikane janë shumë të vlefshme. Kështu që eksperienca për mua ka qenë totalisht e mrekullueshme. Këtë agjensi e kam hapur me një shokun tim, i cili jeton në Karolinën e Veriut, ku dhe ai luan dhe studion në universitet. Kështu që jemi të dy që kemi pasur këtë ide prej shumë kohësh dhe morëm këtë iniciativë.
Sokol Ymeraj
CMG: Mendon se një futbollist duhet të jetë dhe i arsimuar?
Sokol Ymeraj: Mendoj se shkollimi ka të bëjë shumë sepse në futboll nëse dëmtohesh mund ta përfundosh karrierën si futbollist. Ndërkohë që nëse kjo ndodh dhe jeni i pafat, e ke një diplomë që mund ta përdorësh në fushën tënde.
CMG: Si e shikoni ecurinë e kombëtares shqiptare të futbollit për t’u kualifikuar në Euro 2024?
Sokol Ymeraj: Kombëtaren shqiptare të futbollit e shikoj si një sukses shumë të madh, por nuk jam shumë i habitur pasi cilësia e lojtarëve që ne kemi në kombëtare, trajneri dhe të gjitha kushtet mendoj se jemi aty ku ne e meritojmë dhe meritojmë plotësisht të jemi në vendin e parë. Besoj se e meritojmë të kualifikohemi për në Euro 2024 dhe nuk duhet ta shohim më si tabu këtë gjë pasi kemi ekip shumë të mirë dhe cilësor.
CMG: Mbani kontakte me ish kolegë të ekipeve në Shqipëri?
Sokol Ymeraj: Kam shumë shokë, miq, trajnerë dhe familjarë në Shqipëri dhe mbajmë kontakte të përherëshme. Pak problem është diferenca e orës, por zakonisht kontaktet i kam me të gjithë.
CMG: Kur do të nisi punën agjensia juaj për të transferuar sportistë në SHBA?
Sokol Ymeraj: Agjensia ka një javë që është hapur dhe ne ndërkohë kemi nisur nga puna dhe po shikojmë për të marrë lojtarë të talentuar, lojtarë që kanë si ambicje dhe ëndërr të shkojnë në SHBA.
CMG: Cilat janë kriteret që duhen të kenë lojtarët për t’u transferuar në SHBA?
Sokol Ymeraj: Lojtarët zakonisht i shikojmë në dy kritere, aftësitë e tyre sportive që i shikojmë nga videot që na dërgojnë, i vlerësojmë nga CV-ja dhe ekipet ku kanë luajtur. Gjithashtu i vlerësojmë dhe si persona, nëse janë ambiciozë, të aftë dhe të duhur për të shkuar në SHBA.
Intervistoi: Gazmend Agaj