“Një ftesë për ty” nga Erjon Beci
2023-09-24 09:21:05

Erjon Beci në Kënga Magjike (Foto nga youtube)

Erjon Beci në Kënga Magjike (Foto nga youtube)

Erjon Beci  u ngjit për herë të parë në skenë në vitin 1988, kur ishte 10 vjeç. Ai u cilësua si "Zëri më i bukur i fëmijëve në Tiranë" për të vijuar rrugëtimin e muzikës me studime në  Liceun artistik, madje spikati   kur këndoi me kantautorin e mirënjohur italian Totto Cotugno në Pallatin e Kongreseve në Tiranë, në vitin 1995. Përveç këngës Erjoni dashuronte dhe aktrimin, duke u diplomuar aktor në Akademinë e Arteve të Bukura në Tiranë. Në atë periudhë ai punoi si prezantues dhe regjisor i  spektakleve "Kafazi i Artë 2", "Big Brother Albania 2" etj. Duke ndërthurur pasionin për aktrimin me regjisurën dhe muzikën, Erjoni mori pjesë në festivalet "Kënga Magjike", "Top Fest", etj. Prej 10 vjetësh ai jeton në Gjermani ku vazhdon të interpretojë herë pas herë në mbrëmjet live. Erjoni është rikthyer në tregun muzikor shqiptar pas një dekade mungesë me  këngën e tij të re "Një ftesë për ty". Në CMG ai rrëfen për mungesën në skenat shqiptare, nostalgjinë dhe planet për të ardhmen.

Erjon Beci në intervistë për Radio Ejani

Erjon Beci në intervistë për Radio Ejani

CMG: Ti ke vite që ke interpretuar në skenat shqiptare dhe je marrë me artin në përgjithësi, por tashmë je rikthyer.

Erjon Beci: Po jam rikthyer dhe është kënaqësi të jem në këtë intervistë për herë të parë pas 10 vitesh.

CMG: Na bëri sot  bashkë kënga “Një ftesë për ty”. A mund të na zbulosh më tepër rreth kësaj kënge?

Erjon Beci: Kjo është një këngë e krijuar vite më parë, por nuk e di përse ka fjetur gjatë ose ndoshta sepse unë po flija gjatë në lidhje me muzikën në jetën time private. Mesa duket erdhi momenti dhe unë kisha dëshirë të sillja diçka pas shumë kohësh e ta ndieja përsëri edhe një herë këtë emocion, të cilin e kisha lënë shumë vite më përpara.

Erjon Beci (Foto  instagram)

Erjon Beci (Foto  instagram)

CMG: 10 vite më parë ke qenë pjesëmarrës në “Kënga Magjike” e një mungesë ka e gjatë. Ke interpretuar më herët shumë bukur baladat e muzikë të mirë shqiptare e tashmë vjen me këtë këngë të re, të realizuar nga ti vetë. Na fol për fabulën e kësaj kënge dhe kujt i dedikohet kjo ftesë?

Erjon Beci: Po ta mendosh thellë nuk është një ftesë për dikë personalisht. Dua të ftoj njerëzit një herë që ta dëgjojnë e t’i japin pak vëmendje e gjithashtu të vazhdojnë të më duan se jam djalë i mirë (qesh). Seriozisht është një këngë e lehtë, ka melankoli brenda, është brenda natyrës time artistike dhe krijimeve të zakonshme, por këtë herë e shprehur në një mënyrë më të qetë. Krahasuar me personalitetin tim që kam pasur në skenat e Shqipërisë  me këtë që po prezantohem tani mund të them se është një ngjyrë tjetër e imja dhe më vjen keq që se kisha bërë më përpara kur isha më i ri.

Erjon Beci (Foto  instagrami)

Erjon Beci (Foto  instagrami)

CMG:  Kënga “Një ftesë për ty” brenda ka ritme verore, pavarësisht se në fabulë je shumë i thellë, duket sikur i dedikohesh dikujt në forma të ndryshme, por nuk na i zbulove me detaje…

Erjon Beci: ( qesh). Ndoshta sepse do t’i jetë dedikuar dikujt para 10 viteve kur është krijuar e pastaj kjo mbeti në sirtar.

CMG: Kjo ftesë është ende e hapur tani?

Erjon Beci: Jo, jo. Ka vazhduar jeta, nuk ka mbetur aty. Nuk kam çfarë të them për fabulën. Për mua është një këngë normale si të gjitha të tjerat pak a shumë fabulat e mia, por këtë herë e thënë në mënyrë më të lehtë e melankolike.

Erjon Beci (Foto  nga instagrami)

Erjon Beci (Foto  nga instagrami)

CMG: Erjon ti vjen si kantautor dhe pjesën më të madhe të këngëve të tua ke realizuar vetë, do doja të përmendja këngën pjesëmarrëse në “Kënga Magjike” përpara 10 viteve, ku ja ke dedikuar djalit. Pra këngët e tua vijnë jo në mënyrë rastësore, pra të gjitha duken si një dedikim.

Erjon Beci: Nëse flasim për këngën “Ati birit tim” është një këngë, e cila që në momentin që i lexon tekstin është një lutje për fatin që ti i drejton Zotit kur të vjen një fëmijë në jetë, gjëja më e shenjtë për çdo prind në botë e ty të lind një ndjesi e brendshme që të thuash: “O At’, bëhu edhe t’i At’ birit tim, pra është si një lojë fjalësh.

 Kur bëhesh baba për herë të parë,  mendon nëse e ke forcën për ta rritur, nëse do të mundesh, pra ke shumë pikëpyetje para vetes dhe kërkon ndihmën e një force të mbifuqishme, që në këtë rast është Zoti. Kam dashur djalit tim t’i them, që do jem gjithmonë aty për ty, do luftoj e do jap gjithçka sepse më ka bërë të kuptoj që paskam jetuar kot. Motivi që më dha ardhja e djalit tim më rilindi përsëri dhe më dha forcën qe ta shoh botën në një këndvështrim tjetër e të përqëndrohem për të qenë aty për të jo më si një djalosh, por si një burrë, si një baba.

CMG: Është krenar djali yt që ka një dedikim kënge?

Erjon Beci: Po sigurisht, por për fatin e tij , s’di të them të mirë apo të keq, por unë mendoj për fatin e keq të gjithë fëmijëve që janë rritur në botën e huaj e nuk kanë shumë lidhje të mirë me gjuhën shqipe, ai e di shumë mirë këtë këngë edhe pse si takon një brezi tjetër e kulture muzikore sepse është shumë i vogël vetëm 10 vjeç.

Erjon Beci (Foto nga instagrami)

Erjon Beci (Foto nga instagrami)

CMG: Këto 10 vitet e fundit që ti nuk ke qenë aktiv në muzikë, ka qenë kulmi i rrjeteve sociale. Çfarë të ka mbajtur kaq larg muzikës për një dekadë?

Erjon Beci: Nuk e di as vetë çfarë ishte kaq e fortë sa më bëri të largohem, sepse kur u largova nuk mendova se do e kisha më dëshirën e zjarrin e artistit për tu kthyer. Nuk kam bërë shkencë as atëherë e as tani nuk mendoj të bëj, por vetëm dua të bëj atë që ndjej. Kam gjetur qetësi e stabilitet në botën ku jetoj, nuk është se do bëhem milioner e të futem në treg fuqishëm, unë jam i thjeshtë e do vazhdoj të mbetem i tillë në formën e muzikës  ashtu si unë e konceptoj.

CMG: Ti ke disa pjesëmarrje në festivale shqiptare si  “Kënga Magjike”,  “Top Fest” me balada shumë të bukura, që nëse i dëgjojmë përsëri sot sigurisht që i kanë rezistuar kohës…

Erjon Beci: Është e çuditshme se si unë sot edhe pas 10 viteve vazhdoj të marr mesazhe nga njerëz të cilët më thonë: ‘Faleminderit që e ke shkruar këtë këngë. Ke qenë aty kur unë kam ndjerë mungesën e prindërve , apo mungesën e dashurisë, etj”. Siç duket këngët e mia i kanë qëndruar pranë njerëzve në momentet e tyre më të vështira.

CMG: Fabula e këngës e nëse çdo njeri e bën me ndjenjë atëherë çdo njeri e gjen veten…

Erjon Beci: Unë kur kam qenë aktiv në skenë nuk e kam marr këtë reagim në atë kohë, ndoshta sepse s’kam qenë pjesë e grupeve të ndryshme që e rrisnin njëri-tjetrin, por rrija anash e më pëlqente të qëndroja ashtu pak më i tërhequr.

Erjon Beci verë 2023 (Foto nga instagrami)

Erjon Beci verë 2023 (Foto nga instagrami)

CMG: Gjatë kësaj periudhe që ke kënduar je marrë edhe me shumë gjëra të tjera, ke përfunduar liceun artistik për kanto, më pas Akademinë e Arteve për aktrim dhe ndërkohë ke qenë prezent si prezantues, si regjizor etj. Mund të na flasësh pak për publikun që nuk e njeh Erjonin më këtë lloj aspekti?

Erjon Beci: Publiku nuk e njeh këtë Erjon, edhe atëherë kur isha aktiv nuk flisja shumë për jetën time private, por që siç e the kam mbaruar Liceun Artistik dhe Akademinë e Arteve, dy institucionet më të mirat për të përgatitur artistë për publikun shqiptar. Unë mendoj që jam një artist i lindur dhe duhet të qëndroja para publikut me apo pa shkollë, shkolla të jep shinat dhe unë i kisha të dyja. Më vjen keq që u largova në momentin tim më të mirë të karrierës sime të re artistike duke e lënë publikun, pasi s’ka si publiku. Unë vazhdoj të këndoj në Gjermani, aty ku jetoj nga veriu në jug, çdo fundjavë dhe nuk bëj jetë publike as atje, sepse s’është ky është qëllimi im në vetvete dhe sigurisht e marr dashurinë e publikut shqiptar, kur i dëgjon tek të falenderojnë në shqip për prezencën tënde. Nuk e di nëse kjo këngë e re do të jetë një ndikim për të vazhduar të prodhoj muzikë, nuk e di ende.

CMG: Në atë kohë ti ke qenë regjizor i disa spektakleve të rëndësishmë. Mund të na i përmendësh edhe ato?

Erjon Beci: Pjesa e regjisë është një aspekt që e plotëson personalitetin e një artisti dhe meqënëse unë e kisha mbaruar shkollën pse të mos përpiqesha të bëja diçka. Kam bërë “Big Brother Albania”, disa spektakle shumë të rëndësishëm të modës në atë kohë, regjinë e “Kafazit të artë”, regji spektaklesh e regji filmash. Kam bërë dy filma të shkurtër , prezantues televiziv dhe spektaklesh komerciale si “Maratona e këngës popullore”, “Open Port” në Tv Klan, ka qenë 3 netë dy vite rresht me grupin Promotor, pra kanë qenë shumë gjëra por qëllimi im kryesor ishte për të bërë muzikë sepse ajo më lidhte shumë me publikun dhe më jepte kënaqësi.

CMG: Muzikën e ke filluar që i vogël, madje ke fituar çmimin e parë kur ke qenë 10 vjeç në një festival fëmijësh e shumë të tjera. Kthehemi tani pak pas në kohë për t’i rikujtuar?

Erjon Beci: Kam fituar çmimin e parë dhe të mendosh që unë nuk jam tip që i kam qëllim në vetvete çmimet. Kanë qenë festivalet e fëmijëve në atë kohë ku kam fituar “Zëri më i mirë mashkull” për  Tiranën. Shumë aktivitete i kisha me “detyrim” për të prezantuar shkollën sepse mësuesja e kishte zbuluar që unë dija të këndoja (qesh). Kështu që shkoja, fitoja çmimin dhe ikja. Por atëherë s’ka patur rëndësi, për mua, rëndësi për mua kishte kur unë fillova ta bëja aktivitetin  tim profesional pas Akademisë së Arteve, por atëherë nuk vinin çmimet (qesh).

CMG: Pas çmimit të parë kur ke qenë 10 vjeç, je përzgjedhur në korin e fëmijëve, kur në mes viteve ’90 artisti i ndjerë italian Toto Cotugno, interpretoi në Pallatin  e Kongreseve dhe ti ke qenë pjesë e korit. Çfarë kujton nga ai moment?

Erjon Beci: Ka qenë një moment shumë interesant, sepse ne ishim katër persona në korin e shkollës dy vajza e dy djem. Një moment Toto donte të merrte njërin nga djemtë  që të këndonte këngën “Volare”, meqënëse ai po vinte të merrte “Premium Volare” në Tiranë. Ai ishte artisti i parë “Big” internacional që erdhi në Tiranë. Kështu që më mori mua dhe tha: “Unë me këtë djalin do këndojmë bashkë”.  Unë isha 14-15 vjeç në atë kohë, e ai më mësoi disa mënyra të të kënduarit. Toto aty po bënte spektakël, duke shfrytëzuar një përsonazh për të bërë pak show për publikun. Ishte një kujtim shumë i bukur, por për fat të keq mungonin kamerat e rrjetet sociale për t’i patur si kujtime faktike. Ai ka ikur tashmë, por na ka lënë shumë shije të mirë me muzikën e tij. Unë madje kam një këngë të tij “Solo noi” në repertorin tim muzikor, që e këndoj në mbrëmjet live.

CMG: Tani ti kthehesh me synimet që i ke vendosur vetes për të vazhduar më tej apo jo?

Erjon: Kjo është pikëpyetja. E di sa mall kam, të jetuarit në Europë më ka bërë të mendoj që ne jemi një komb me një kreativitet të jashtëzakonshëm. Ne e duam dhe jetojmë me muzikën si në momente të mërzitura ashtu edhe ato të lumtura. Bota veriore nuk e ka këtë, ndoshta vendet mesdhetare po. Ne shqiptarët e kemi fatin që jemi mesdhetarë dhe pse mos ta shfrytëzojmë këtë. Nuk e di të sigurt, por ndoshta mund të kthehem dhe po u ktheva unë do vazhdoj të bëj muzikë të mire, që ka ndjesi intelektuale dhe dua të përcjell gjithmonë një mesazh me këngët e mia. Unë kam shumë hapësira artistike brenda vetes. Nëse gjej bashkëpunëtorët e duhur jo vetëm me nivel të lartë artistik, por edhe që të shesin për publikun, pse jo dhe unë kam nevojë që muzika ime të shitet.

CMG: Meqënëse kënga “Një ftëse për ty” që  sapo ke publikuar është punuar 10 vite më parë, ka ende të tjera në sirtarin tënd që janë krijuar në atë kohë?

Erjon Beci: Po ka shumë, por ndonjëherë kam frikë t’i nxjerrë duke parë evoluimin e muzikës shqiptare. Jo sepse jam i vjetër në muzikën time, sepse dëgjoj muzikë shumë “cool”, por duhet një studio kaq e mirë e postproduksionit për këto prodhime që unë i krijoj vetë, në mënyrë që ta sjellë në kohë këngën e ta bëj modern. Unë si personalitet jam i lindur të jem në kohë, e nuk do plakem kurrë nga ana e shpirtit tim artistik, pavarësisht anës fizike që është tjetër gjë, je i varur nga natyra dhe Zoti. Uroj shumë ndonjëherë, atë që është komerciale ta bëj artistike brenda, në mënyrë që dhe njerëzit të shohim që është vërtet komerciale, por të ketë patjetër art brenda këngës.

CMG: Ke dëshirë që të realizosh ndonjë bashkëpunim me artistë shqiptar?

Erjon Beci:Ka shumë artistë shqiptarë që i dua, është Piro Çako, Armend Rexhepagiqi, Flori Mumajesi që janë fenomenalë. Për të bërë duhet të përputhen shumë gjëra. Ne kemi një krijimtari muzikore të jashtëzakonshme si nga ana e muzikës së mirë, ashtu edhe asaj komerciale. Kjo e muzikës komerciale e ka marr dozën më të madhe sepse duhet, por nuk të bën të mendosh ndërsa muzika e mirë të bën të mendosh dhe që të mendosh duhet të kesh kohë.

CMG: Në përfundim të kësaj interviste çfarë do të shtoje diçka për dëgjuesit e Radio Ejani?

Erjon Beci: Në rradhë të parë i uroj të gjithëve të kenë shëndet, uroj që ne shqiptarët të evoluojmë aq sa kemi evoluar, por të vendosim disa baza dhe limite që na bëjnë të jemi njerëz më të mirë. Kemi nevojë të jemi më të mirë sepse ne si popull e kemi të mirën në brendësi. Mund të kujdesemi shumë më tepër për vendin tonë.

CMG: Pas kësaj interviste, ti do largohesh drejt Gjermanisë, aty ku jeton, por ne shpresojmë që të kthehesh sërish për të sjellë materiale të reja muzikore.

Erjon Beci: Unë dua shumë, por nuk e di se kur sepse nuk varet nga unë. Faleminderit shumë për këtë ftesë, më kishte munguar shumë ndjesia e të dhënit intervista dhe kjo fali shumë emocione të bukura.

Intervistoi: Sava Lena