Mbrëmjen e 23 shtatorit u hapën në qytetin Hangzhou të Kinës Lindore Lojërat e 19-të Aziatike. Kryetari i shtetit kinez Xi Jinping mori pjesë në ceremoninë e hapjes, duke shpallur zyrtarisht nisjen e këtij aktiviteti. Në këtë ceremoni, ishin të pranishëm liderët dhe mysafirët e vendeve dhe rajoneve të ndryshme të Azisë.
Në stadiumin që ndodhet afër lumit Qiantang, delegacionet sportive nga 45 vendet e rajonit u pritën ngrohtësisht nga të pranishmit. Delegacioni kinez, si mikpritës, hyri i fundit në stadium. Ai përbëhet nga 1329 persona, 886 prej të cilëve sportistë që do konkurojnë në 38 disiplina.
Në emër të komitetit organizativ dhe popullit të Zhejiangut, kreu i komitetit organizativ të lojërave dhe kryetari i provincës Zhejiang Wang Hao në fjalimin e rastit shprehu mirëseardhjen e tij më të ngrohtë për sportistët nga vendet e rajonet e ndryshme të Azisë. Ai uroi sportistët, duke shpresuar që ata të arrijnë rekorde, të realizojnë ëndrrat dhe të shtojnë miqësinë, të lumturohen dhe të marrin një përvojë të paharrueshme në Hangzhou.
Kryetari i Komitetit Organizativ të Lojërave Aziatike të Hangzhout dhe presidenti i Komitetit Olimpik të Kinës, Gao Zhidan u shpreh në fjalimin e rastit se nën kujdesin dhe udhëheqjen e vendosur të kryetarit të shtetit Xi Jinping dhe qeverisë kineze, këto lojëra po hapen në mënyrë të mrekullueshme. “Ne do të promovojmë frymën olimpike, duke u përpjekur për rekorde sportive dhe hartuar së bashku një pamje të re për një komunitet me fate të përbashkëta të Azisë.” - tha Gao.
Në fjalën e tij, kryetari në detyrë i Këshillit Olimpik të Azisë, Raja Singh shprehu respektin më të sinqertë për qeverinë kineze, Komitetin Olimpik të Kinës, qeverinë e provincës Zhejiang, qytetin Hangzhou, Komitetin Organizativ të Lojërave Aziatike, qytetarët e Hangzhout dhe të gjithë punonjësit, duke i vlerësuar si të mrekullueshme përgatitjet për lojërat. Ai shprehu gjithashtu bindjen se “çdo pjesëmarrës në lojërat e Hangzhout do të marrë me vete një kujtim të bukur dhe të paharrueshëm”.
Më pas, kryetari i shtetit i Kinës Xi Jinping shpalli zyrtarisht hapjen e Lojërave të 19-të Aziatike të Hangzhout. Në këtë moment, u ndez flaka digjitale dhe i gjithë stadiumi u përfshi nga duartrokitjet dhe brohoritjet.
Pas shfaqjeve artistike, një “pishtarmbajtës digjital” i formuar nga 100 milionë pjesëmarrësit e stafetës iu bashkuan pishtarmbajtësit kinez Wang Shun, duke ndezur së bashku kullën kryesore të flakës aziatike dhe ndriçuar fort qiellin. Pas ndezjes së saj, të gjithë të pranishmit kënduan këngën tematike të Lojërave Aziatike të Hangzhout “E njëjta dashuri” dhe stadiumi u përmbush nga zërat e gëzueshëm.
Në ceremoninë e hapjes ishin të pranishëm mbreti i Kamboxhias, presidenti i Sirisë, princi i Kuwaitit, kryeministri i Nepalit, kryeministri i Timorit Lindor, kryeministri i Koresë së Jugut, kryetari i dhomës së ulët të Malajzisë dhe përfaqësuesit e familjeve mbretërore të Bruneit, Katarit, Jordanisë dhe Tajlandës.
Në këtë ceremoni ishin të pranishëm edhe zyrtarët e lartë të Kinës, kryetarët ekzekutivë të Hong-Kongut dhe Makaos, ish-kryetarja e partisë Kuomintang (KMT) të Kinës, Hong Xiuzhu, si edhe zyrtarët e Këshillit Olimpik të Azisë. (Jiang Lei)