Gëzim dhe Angjelina Nika një jetë plot art dhe emocion
2023-09-23 10:00:55

Angjelina Nika me grupin e valleve Rozafati (Foto personale)

Angjelina Nika me grupin e valleve Rozafati (Foto personale)

Gëzim dhe Angjelina Nika vijnë për herë të parë në një rrëfim të jetës së tyre artistike. Angjelina është angazhuar në këngë, valle e teatër që e vogël. Në SHBA ka marrë çmimet “Albanian Exelence”, koreagrafja më e mirë e festivalit të 18-të të Nju Jorkut, çmimin “Nënë Tereza” etj. Këtë vit ajo bashkë me ansamblin që drejton mori pjesë në Festivalin Folklorik të Gjirokastrës. Ndērsa bashkëshorti i saj, këngëtari i njohur Gëzim Nika numēron plot 40 vite në skenë me këngën popullore. Disa prej interpretimeve të tij janë hite dhe sot, që  kēndohen nga i madh e i vogël. Gëzim Nika vjen shpesh në Shqipëri me projekte të ndryshme artistike si dhe  për gëzime familjare. Ai është vlerësuar për kontributin e tij në muzikën popullore me mjaft tituj dhe çmime, ndër to dhe “Mjeshtër i Madh”. Në një intervistë për Grupin Mediatik të Kinës çifti i artistëve Angjelina dhe Gëzim Nika tregojnë për jetën e tyre artistike në Shqipëri dhe SHBA.

Gezim dhe Angjelina Nika ne interviste per CMG

Gezim dhe Angjelina Nika ne interviste per CMG

CMG: Përshëndetje Gezim dhe Angjenila, faleminderit për këtë intervistë për Bio Folk.

Gëzim Nika: Përshëndetje dhe faleminderit! Sot më duket interesante sepse më ke ftuar me bashkëshorten Angjelinën. Kështu që vij me shunë kënaqësi në emisionin tuaj dhe përshëndesim të gjitha ata që e dëgjojnë këtë emision.

Angjelina Nika: Përshëndetje dhe faleminderit për ftesën, është kënaqësi të jemi të ftuar në këtë emision, dhe mbi të gjitha hera e parë që vij me Gëzimin.

CMG: Z.Nika keni 40 vite në skenë me këngën popullore me një sukses të jashtëzakonshëm. Si keni arritur ta ruani këtë sukses?

Gëzim Nika: Unë kam hyrë në këtë punë pa e ditur se çfarë do të ndodhë më vonë. Unë kam filluar me këngën si fëmijë në fshatin tim në Llukaj të Tropojës, ku  kam lindur dhe jam rritur. Në atë kohë babai ynë ka kënduar shumë mire dhe instrumentat e sharkisë dhe çiftelisë i ka prodhuar vetë, madje na bleu fizarmonikë, vëllait tjetër violinë, sharki dhe çifteli. Ne ishim pesë vëllezër dhe bashkë me babain bëheshim gjashtë dhe të gjithë merreshim me muzikë dhe na është bërë si pjesë e jetës.

Unë fillova të merrem me muzikën para 40 viteve, duke kënduar edhe në shkollë, por dola në skenë në vitin 1982, me dy këngë që kanë mbetur dhe sot. Këto këngë i kemi organizuar në shtëpinë tonë dhe një duet që e kam bërë me Fatmira Breçanin më vonë, por më përpara e kam kënduar me dy vajza nga fshati im në Llukaj. Ndërkohë pas një viti u zgjodha nga këngëtarët e mirë në atë kohë dhe në vitin 1983 mora pjesë në Festivalin Folklorik të Gjirokastrës me këngën “Në Dardani bien tupanat”, me tekst të Hamit Alisë dhe muzikë të Kol Susaj. Kjo ishte një këngë e suksesshme dhe çdo vit kam realizuar këngë të tjera.

 Në muajin shkurt të vitit 1984 u zhvillua festivali i gjashtë, i cili ishte me krijimtari dhe poeti që në atë kohë ishte drejtor i Pallatit të kulturës, i ndjeri Marash Mhilli që për mua ka qenë një njeri shumë i talentuar dhe me veprat e tij ai nuk vdes kurrë, realizoi tekstin e këngës që e njohin të gjithë sot “Jakup Ferra mor ku je”, me muzikë nga Kol Susaj. Me këtë këngë u vlerësova për herë të parë me çmimin e parë. Më vonë kam realizuar mjaft këngë të suksesshme si “Liridona”, “Shqipëri o nëna ime”. “O sa mirë me qenë shqiptar”, “Plak u bëfsha po s’të mora”, “Vallet e vendit tim” e shumë të tjera. Ndoshta janë rreth 200 këngë, që unë kam kënduar gjatë gjithë këtyre viteve.

Gezim dhe Angjelina Nika (Foto personale)

Gezim dhe Angjelina Nika (Foto personale)

CMG: Angjelina ju keni qenë valltare në ansamblin “Dardania” në Tropojë. Si u njohët më Gëzimin?

Angjelina Nika: Duke dëgjuar Gëzimin tani që flet për veten më ktheve 40 vite mbrapa. Në vitin 1984 jam njohur me Gëzimin, kur këndoi për herë të parë këngën e Jakup Ferrës dhe aty jam dashuruar.

CMG: Çfarë të bëri përshtypje te Gëzimi, interpretimi i këngës apo paraqtitja e tij?

Angjelina Nika: Ajo që më bëri përshtypje te Gëzimi, një djalë i bukur, serioz, i veshur bukur si dhe zëri i tij. Ai ka qenë gjithmonë i sjellshëm me mua. Dashuria nuk pyet sepse Gëzimi më dukej më i bukuri në botë dhe ashtu vazhdon të jetë dhe tani.

CMG: Keni dhënë dhe vazhdoni të jepni një kontribut të madh me vallen popullore në SHBA, duke u mësuar fëmijëve të emigrantëve vallet tona popullore. Flasim për këtë angazhim tuajin si koreografe në SHBA?

Angjelina Nika: Punoj shumë për këtu ku kam arritur, ku deri tani kam grupin “Rozafati” dhe mësoj në disa lagje të Nju Jorkut. Ndërkohë tani punoj në pesë lagje të Nju Jorkut që do hapin “Rrënjët shqiptare” dhe mundohem që rininë dhe fëmijët shqiptarë që kanë lindur në SHBA t’u mësojmë gjuhën dhe vallen shqipe.

Grupi Rozafati (Foto personale)

Grupi Rozafati (Foto personale)

CMG: Si arrini t’i siguroni kostumet popullore për valltarët?

Angjelina Nika: Kostumet popullore kur vij në Shqipëri i blej te Edlira.

CMG: Gëzim, cila nga këngët tuaja kërkohet më shumë kur merrni pjesë në evente të ndryshme muzikore?

Gëzim Nika: Kënga kryesore e imja mbetet “Shqipëri, o nëna ime”, këngë që mund ta këndosh dhe pesë herë në një mbrëmje dhe është e pamundur mos ta këndoj në çdo eveniment. Ka dhe shumë këngë të tjera që kërkohen, por nga këngët e mia mbetet kjo këngë më e preferuara. Unë kam bërë dhe shumë këngë të tjera që vërtetë janë këngë të bukura.

Angjelina Nika (Foto personale)

Angjelina Nika (Foto personale)

CMG: Përveç interpretimeve solistike keni bërë dhe disa duete me Fatmira Breçanin, por unë do të veçoja duetin e fundit me Albërie Hadërgjonaj.

Gëzim Nika: Me thënë të drejtën Albërien e dua fort sepse është një këngëtare shumë e madhe dhe në karrierën time muzikore ndoshta e quaj duetin më të qëlluar këtë kolazh me Albërien. Kam bërë duete dhe me të tjera këngëtare, me Fatmirën duete shumë të suksesshme më përpara. Gjithashtu kam kënduar në duet dhe me një tjetër këngëtare Shpresa Gojani, një vajzë e talentuar. Me dëshirën e Soni Malaj, timen dhe të Fatmirës realizuam një këngë së bashku, një trio tropojane, që doli një këngë interesante dhe e bukur. Jam i kënaqur që këto duete kanë dalë mirë.

Gezim Nika (Foto personale)

Gezim Nika (Foto personale)

CMG: Gjatë sezonit veror vini në Shqipëri, ku nuk mungoni në eventet artistike dhe festat familjare. Si ishte ky sezon në lidhje me aktivitetet muzikore?

Gëzim Nika: Unë vij në Shqipëri çdo vit, vij dhe dy-tre herë në vit, por sidomos në verë. Këtë vit kam qëndruar këtu deri më 20 shtator, ku kam kënduar nëpër diskoteka, dasma dhe çdo evenimet tjetër. Unë vij me gjithë zemër çdo vit në këtë vend sepse e dua Shqipërinë si jetën time

CMG: Çfarë malli ke kur shkon në vendlindjen tënde Tropojë?

Gëzim Nika: Unë në Tropojë jam gjithmonë, ku edhe në SHBA ëndrrat i shoh në Tropojë. Jam i lidhur me vendlindjen sepse aty kam lindur dhe jam rritur, kam mësuar me thirr nënë dhe babë, ke mësuar gjuhën, ke mësuar të këndosh, me fol e me ec. Nuk dua të bëhem patriot, por del prej shpirti dhe nuk mundesh me qenë tjetër. Unë jam shqiptar tropojan.

Gezim Nika gjate nje koncerti (Foto personale)

Gezim Nika gjate nje koncerti (Foto personale)

CMG: Angjelina ju ishit pjesëmarrëse me grupin tuaj të valleve në Festivalin Folklorik të Gjirokastrës. Si ishte pjesëmarrja me grupin në këtë festival?

Angjelina Nika: Morëm pjesë me grupin “Rozofati”, ku solla 19 fëmijë këtu, por edhe për mua ishte një eksperiencë shumë e mirë. Fëmijët kaluan shumë mirë dhe kur e pashë Rozafatin në atë skenë që kërcyen dy valle dhe një këngë, për mua ishte lumturi, dhe ata fëmijë që ishin brezi i tretë në SHBA kur i sheh që kërcejnë me aq kënaqësi dhe dashuri ato valle, për mua është një arritje.

CMG: Këshilloheni me Gëzimin për përzgjedhjen e materialeve muzikore apo dhe veshjet?

Angjelina Nika: Gëzimin e kam pasur gjithmonë krahun e djathtë, sepse më ka ndihmuar shumë për muzikën e valleve dhe tani kur të shkoj në SHBA kemi festivalin, do t’i them Gëzimit se më duhen katër valle. Gëzimi më ka ndihmuar qëkur e kam filluar këtë punë dhe deri tani. Ka 20 vjet që ai më ka mbështetur shumë dhe e kam pasur një shtysë.

Gëzim Nika: Unë e ndihmoj gjithmonë me sa kam mundësi dhe vallet i realizon vetë Angjelina, por te muzika mundohem ta ndihmoj sa më shumë.

Grupi i valleve Rozafati (Foto personale)

Grupi i valleve Rozafati (Foto personale)

CMG: Gjithë këto vite me vallen si valltare dhe koreografe e ke fituar tashmë identitetin tënd, apo të thërrasin prapë bashkëshortja e Gëzim Nikës?

Angjelina Nika: Jam munduar që ta fitoj, por prapë gruaja e Gëzimit më thërrasin.

CMG: Cila nga interpretimet e Gëzimit mbetet kënga juaj më e dashur?

Angjelina Nika: Me thënë të drejtën të gjitha këngët e Gëzimit janë hite dhe unë i dëgjoj të gjitha. Për mua Gëzim Nika është legjendë, nuk e them këtë gjë se e kam bashkëshort, por që do të duhen 500 vite me i ardh Shqipërisë. Ndoshta tani nuk kanë për ta vlerësuar njerëzit, por më vonë do ja dinë vlerat jo vetëm Gëzimit, por gjithashtu është Merita Halili, Parashqevi Simaku dhe disa artistë të tjerë që do t’ja dinë më vonë vlerat.

CMG: Si jeni ndejrë me vlerësimet dhe titujt e marrë në Shqipëri dhe SHBA?

Angjelina Nika: Ndjehesh e vlerësuar dhe mirë, por prapë kërkon më shumë. Unë këtë punë nuk e bëj për vlerësime, por e bëj se ma do zemra ime.

Gëzim Nika: Kur vlerësohesh ndjehesh mirë.

Gezim Nika ne skene (Foto personale)

Gezim Nika ne skene (Foto personale)

CMG: Keni menduar të realizoni ndonjë koncert recital së shpejti në Shqipëri?

Gëzim Nika: Unë bëj shumë shpesh koncerte recitale, jo një recital timin personal por çdo vit bëj 5-6 koncerte në Europë, SHBA e deri në Australinë e largët. Këtu në Tiranë nuk e kam realizuar ndonjëherë. Mendoj ta realizoj shumë shpejt, por  do dhe shumë angazhim kjo punë. Kështu që jam drejt asaj që do ta realizoj shpejt një recital timin.

CMG: Presim ndonjë material muzikor së shpejti?

Gëzim Nika: Deri në festat e fundivitit do të sjell mjaft materiale muzikore dhe këngë që janë kënduar dikur dhe do t’i rikthej me orkestracion të ri. Gjithashtu kam dhe tre kolazhe popullore dhe më besoni se janë shumë këngë të mira.

CMG; Faleminderit për intervistën dhe suksese gjithmonë.

Gëzim Nika: Shumë faleminderit. Kënaqësia ishte e jona se ishim të dy bashkë, një kujtim i bukur për ne, për fëmijët tonë dhe njerëzit tanë.

Angjelina Nika: Shumë faleminderit.

Intervistoi: Gazmend Agaj