Foto nga VCG
Në Ditën Ndërkombëtare të Paqes, në kuadrin e punimeve të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, Shtetet e Bashkuara njoftuan iniciativa të reja për të ndihmuar në konsolidimin e rolit që luajnë gratë për ndërtimin e paqes dhe forcimin e sigurisë në mbarë botën. Njofton korrespondentja e Zërit të Amerikës, Veronica Balderas Iglesias.
Ndërsa udhëheqësit botërorë vazhduan fjalimet në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, një tjetër aktivitet në Nju Jork, ku merrnin pjesë zyrtarë të lartë, u përqëndrua tek roli jetik i grave për paqen në mbarë globin dhe se si mund të mbrohen ato nga rreziqet me të cilat përballen.
Foto nga VCG
“Përdhunimi dhe dhuna seksuale në konflikte vazhdon të mos ndëshkohet. Gratë që punojnë për paqen përballen me ndëshkime kur flasin hapur për mizoritë. Shembujt ekzistojnë në Afganistan, ku roli i grave është zhdukur dhe ku shumë thonë se po bëhet një aparteid gjinor. Në Sudan, thirrjet e grave dhe vajzave duket ndonjëherë se janë harruar, megjithë vuajtjet dhe mizoritë që vazhdojnë”, thotë Sima Bahous, drejtuese e organizatës së OKB-së për gratë, “UN Women”.
Foto nga VCG
Ministrja e Jashtme e Rumanisë, Luminita Odobescu, theksoi se sa e rëndësishme është që gratë të mbajnë pozicione drejtuese dhe të kenë pjesëmarrje të barabartë dhe domethënëse në proceset e vendimmarrjes.
“Që ky proces të jetë i pakthyeshëm, arsimimi për barazinë gjinore dhe gjithëpërfshirjen është jetik. Arsimimi i fëmijëve dhe të rinjve është parësor për një të ardhme të qëndrueshme, por edhe për të rriturit dhe profesionistët në sektorë të ndryshëm, përfshirë ato në institucionet e sigurisë”, tha zonja Odobescu.