"Pengimi i konkurrencës kineze nuk është një projekt i pjekur i zgjidhjes ekonomike"; "Tarifat ndëshkuese dhe pengesat tregtare do të dëmtojnë interesat e të dy palëve" ... për ditë me radhë, në Bashkimin Evropian janë bërë diskutime të zjarrta për planifikimin e nisjes së hetimit antisubvencion ndaj automjeteve elektrike kineze të njoftuar nga presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen. Industria gjermane e automjeteve shqetësohet se ky hetim do të ngjallë luftën e tarifave, duke dëmtuar interesat afatgjatë të kësaj industrie. Disa media perëndimore janë të mendimit se vendimi i BE-së tregon frikën e disa evropianëve prej konkurrencës së barabartë.
Gjermania dhe Franca, dy ekonomi kryesore të BE-së, mbajnë qëndrim të kundërt për këtë çështje. Qeveria dhe industria franceze e automjeteve e përkrahin politikën përkatëse të BE-së, kurse në Gjermani e kundërshtojnë. Arsyeja është e thjeshtë: interesat e industrisë gjermane të automjeteve në tregun kinez janë shumë të mëdha se ato franceze. Nga ky kënd, duket se BE-ja nuk ka balancuar interesat e përgjithshme evropiane në mënyrë racionale e të barabartë.
Për industrinë e automjeteve elektrike, Evropa është një treg shumë i rëndësishëm me konkurrencën e ashpër. Tani pjesa që zënë automjetet elektrike kineze në tregun e BE-së është rreth 8 %, që nuk është shumë e lartë. Nga ana e çmimit, automjetet elektrike kineze shiten më shtrenjtë në tregun evropian sesa në tregun e brendshëm kinez, dhe megjithëse çmimi i shitjes së tyre është më i ulët se i markave evropiane, përsëri është e paarsyeshme që të zhvillohet hetim antisubvencion ndaj automjeteve elektrike kineze nga BE-ja.
Foto nga CFP
Vitet e fundit, industria kineze e automjeteve elektrike ka shfaqur aftësi të fortë konkurruese në treg, sepse sipërmarrje kineze kanë promovuar me vijim inovacionin, dhe njëkohësisht zinxhirët industrialë e furnizues përkatës të Kinës janë më të plotë se të vendeve të tjera. Si rajoni kryesor i prodhimit të automjeteve tradicionale me karburant, transformimi evropian në zhvillimin e automjeteve me energji të re është më i ngadaltë se i Kinës dhe i ShBA-së. Disa vende e kompani prodhimi automjetesh evropiane shqetësohen se tregu evropian do të pushtohet nga automjete elektrike kineze dhe kjo është arsyeja e nisjes së hetimit antisubvencion nga BE-ja.
Për një kohë të gjatë, Kina është një treg i rëndësishëm për sipërmarrjet evropiane të makinave. Qeveria kineze nuk ka vendosur asnjë pengesë për hyrjen e këtyre sipërmarrjeve në tregun kinez, duke u siguruar atyre marrjen e përfitimeve të mëdha të qëndrueshme. Zbatimi i hetimit antisubvencion dhe i proteksionizmit shkel jo vetëm parimin e konkurrencës së barabartë e të hapur të ekonomisë së tregut, por edhe shpirtin e tregtisë së lirë të zbatuar gjithmonë nga BE-ja.
Kina dhe BE-ja kanë hapësirë të gjerë bashkëpunimi e interesa të përbashkët në industrinë automoblistike. Vitet e fundit, BMW-ja, "Volkswagen" e kompani të tjera evropiane e kanë zgjeruar biznesin e automjeteve me energji të re në Kinë, duke krijuar marrëdhënie partneriteti e bashkëpunimi me sipërmarrjet kineze. Sipas të dhënave të kompanisë këshilluese amerikane "Rhodium", vitin e kaluar, investimet evropiane në industrinë kineze të automjeteve arritën në 6.2 miliardë euro, duke shënuar rekord të ri historik. Edhe sipërmarrjet kineze, me CATL-in si përfaqësuese, kanë bërë investime dhe kanë ndërtuar fabrika në Gjermani, Hungari e vende të tjera evropiane. Kjo konkurrencë e mirë dhe ky bashkëpunim do të jenë në favor të forcimit të aftësisë konkurruese të industrisë evropiane të automjeteve me energji të re, dhe do ta ndihmojnë BE-në të arrijë objektivin e pakësimit të lëshimit të karbonit. (Fani)