Samiti i Grupit të 77-s plus Kinën (G77+Kina), i zhvilluar më 15 e 16 shtator në Havanë të Kubës, ishte një takim i rëndësishëm i udhëheqësve të ekonomive të reja.
Në fjalimin e mbajtur në samit, sekretari i përgjithshëm i OKB-së Antonio Guterres u shpreh se bota po i zhgënjen vendet në zhvillim, që janë ngërthyer nga një sërë krizash globale, si ndryshimi i klimës, borxhi i jashtëm etj. Ai i bëri thirrje Kinës e G77-s të punojnë së bashku për të krijuar një botë më të barabartë.
Në mjedisin e ndërlikuar global, vendet në zhvillim përballojnë vështirësi të ndryshme, duke përfshirë amullinë ekonomike, shtimin e borxhit, tronditjet gjeopolitike, keqësimin e mjedisit, sulmet e populizmit e të unilateralizmit dhe tensionet gjeopolitike. Përballë këtyre pengesave, Kina e vendet në zhvillim punojnë gjithmonë për të mbrojtur interesat e veta të ligjshme, duke nxitur zhvillimin e vazhdueshëm.
Li Xi, anëtar i Komitetit të Përhershëm të Byrosë Politike të Komitetit Qendror të PKK-së, u shpreh në samit se Kina dëshiron të punojë së bashku me anëtarët e G77-s për të thelluar bashkëpunimin Jug-Jug dhe për të vënë në jetë nismën “Një brez, një rrugë”, duke promovuar Nismën e Zhvillimit Global, me objektivin e një zhvillimi më të madh dhe solidariteti më të fortë.
Objektivat dhe arritjet kryesore të Grupit të 77-s plus Kinën përfshijnë, së pari, përkrahjen ndaj multilateralizmit. G77+Kina pranon se bashkëpunimi ndërmjet vendeve të ndryshme është i nevojshëm për zgjidhjen e problemeve globale dhe punon për mbrojtjen e ligjit ndërkombëtar e të konsensusit global dhe për promovimin e bashkëpunimit ndërkombëtar.
Gjithashtu, nëpërmjet veprimeve për zbatimin e Agjendës për Zhvillimin e Vazhdueshëm 2030, kjo organizatë ka forcuar bashkëpunimin Jug-Jug.
Foto nga CFP
G77+Kina punon gjithashtu për mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe të gjitha të drejtave të tjera të mbrojtura nga ligji ndërkombëtar e Karta e OKB-së. Nëpërmjet zgjidhjes së problemeve si koordinimi politik, liria tregtare, integrimi financiar, ndërlidhja njerëzore etj., organizata ka pasur përparim real në zhdukjen e prapambetjes së anëtarëve të vet.
Lidhur me çrrënjosjen e varfërisë, sipas konceptit të përgjegjësisë së përbashkët, por të ndryshme, kjo organizatë i kushton shumë rëndësi zhdukjes së varfërisë të çdo forme. Disa miliona njerëz kanë marrë përfitime nga mënyra e zhvillimit të gjithanshëm të organizatës, e cila ka krijuar mundësi të mira dhe ka ulur pengesat tregtare, duke nxitur rritjen ekonomike. Samiti premtoi për ndihmë ndaj më shumë njerëzve e komuniteteve të shkëputen nga varfëria, për të arritur objektivin e realizimit të një bote më të pasur e më të barabartë.
Për sa i përket ndryshimit të klimës, kjo organizatë punon për zgjidhjen e këtij problemi global dhe pranon se ndryshimi i klimës ka ushtruar ndikim të madh mbi vendet në zhvillim. Gjatë përballimit të epidemisë së COVID-19, Kina dhe partnerët e saj kanë luftuar së bashku kundër virusit nëpërmjet shkëmbimit të njohurive, dhënies së ndihmës me pajisje mjekësore e vaksina etj. Ky bashkëpunim ka treguar shpirtin e organizatës për promovimin e shëndetit botëror.
Siç u theksua nga folësit në Samitin e Havanës, G77+Kina është ende një forcë e fuqishme në diplomacinë botërore, e cila mbron të drejtat e vendeve në zhvillim duke nxitur bashkëpunimin ndërkombëtar. Pjesëmarrësit në samit pranuan të vijojnë përkushtmin për vlerat dhe objektivat e grupit përpara vështirësive si unilateralizmi e proteksionizmi. (Fani)