Të mërkurën u zhvillua në kryeqytetin italian Romë Simpoziumi i të Drejtave të Njeriut Kinë-Evropë 2023. Simpoziumi u fokusua në temën "Modernizimi dhe shumëllojshmëria e qytetërimit të të drejtave të njeriut" dhe në të morën pjesë mbi 130 ekspertë, studiues, zyrtarë qeveritarë, parlamentarë, përfaqësues të partive e organizatave shoqërore nga Kina, Italia, Greqia, Britania, ShBA-ja, Gjermania, Holanda, Spanja, Zvicra, Austria, Bullgaria, Çekia, Norvegjia, Polonia, Portugalia, Serbia etj.
Në fjalimin e mbajtur në simpozium, kryetari i Shoqatës Kineze për Studimin e të Drejtave të Njeriut Padma Choling u shpreh se bota është e larmishme dhe shumëllojshmëria është magjia e qytetërimit njerëzor. Çdo qytetërim mishëron mençurinë dhe kërkesat shpirtërore të një vendi a një kombi dhe ka vlera të veçanta. Gjatë procesit të modernizimit, Kina ka zgjedhur një rrugë të zhvillimit të të drejtave të njeriut në përputhje me kushtet e veta kombëtare, duke pasur arritje frutdhënëse. "Vendet e ndryshme duhet të nxitin qeverisjen globale të të drejtave të njeriut nëpërmjet bashkëpunimit, të promovojnë zhvillimin e lirë të të gjithë njerëzve gjatë modernizimit, të forcojnë shumëllojshmërinë e qytetërimit të të drejtave të njeriut nëpërmjet shkëmbimeve dhe të kërkojnë së bashku mënyrën e zgjidhjes së problemeve në fushën e të drejtave ndërkombëtare të njeriut ," tha Padma Choling.
Dekani i Fakultetit të Drejtësisë në Universitetin "La Sapienza" të Romës Oliviero Diliberto u shpreh në simpozium se kthimi në një vend të qeverisur sipas ligjit është bërë kursi themelor i Kinës. "Kodi Civil i Republikës Popullore të Kinës" ka nene të posaçme për të drejtën e personalitetit, çka është një risi e madhe, vuri në dukje ai.
Foto nga CFP
Nga ana e tij, anëtari i Dhomës së Lordëve të Parlamentit Britanik Neil Davidson u shpreh se, pas zhvillimit afatgjatë, vendet e ndryshme kanë formuar konceptet e veta të historisë, të sistemeve, të filozofisë, të traditave e të mënyrës së jetesës. Ky zhvillim nuk është i izoluar, por ka lindur nëpërmjet shkëmbimeve e mësimit të ndërsjellë me pjesët e tjera të botës. "Ne duhet të diskutojmë lidhur me çështjet e të drejtave të njeriut në bazë të pranimit të vlerave të njëri-tjetrit dhe të respektit ndaj njëri-tjetrit," theksoi Davidson.
Gjatë simpoziumit, pjesëmarrësit zhvilluan tre sesione paralele rreth temave "Shkëmbimet ndërmjet qytetërimeve dhe zhvillimi i konceptit modern të të drejtave të njeriut", "Modernizimi dhe zhvillimi i lirë i njerëzve" dhe "Zhvillimi i vazhdueshëm gjatë modernizimit dhe përparimi i qytetërimit të të drejtave të njeriut në kohën digjitale". Ata ishin gjerësisht të mendimit se duhet të hiqet dorë nga teoria e "Perëndimit në qendër" dhe "superioriteti kulturor" dhe të nxiten shkëmbimet e qytetërimit të të drejtave të njeriut në bazë të barazisë e respektimit të njëri-tjetrit. Pjesëmarrësit vlerësuan lart arritjet e mëdha të kauzës së të drejtave të njeriut të Kinës dhe pohuan kontributin e Kinës për nxitjen e përparimit të kauzës botërore të të drejtave të njeriut, duke kundërshtuar politizimin dhe instrumentalizimin e problemit të të drejtave të njeriut.
Simpoziumi i të Drejtave të Njeriut Kinë-Evropë u krijua në vitin 2015 dhe është një platformë akademike sistematike për shkëmbimet e bashkëpunimin dypalësh në fushën e të drejtave të njeriut. Simpoziumi i këtij viti u organizua nga Shoqata Kineze për Studimin e të Drejtave të Njeriut dhe Universiteti "La Sapienza" i Romës. (Fani)