“Perëndimi” një film psikologjik nga Klodi Kadillari dhe Dorina Toçi
2023-09-22 10:14:29

Klodi Kadillari  (Foto personale)

Klodi Kadillari  (Foto personale)

“Perëndim”  mban titullin filmi i ri i interpretuar nga aktorja Klodi Kadillari dhe me regji nga Dorina Toçi. Një film psikologjik që trajton jetën e një gruaje, e cila vuan nga çrregullimeve psikike, ndër to është vetizolimi, frika e së nesërmes, frika e paragjykimit, çrregullimet e stresit postraumës etj.

Artistja Klodi Kadillari përveç se aktore protagoniste në film, ka shkruar edhe skenarin. Klodi është e njohur si aktore, regjisore, autore libri, por dhe psikologe e gazetare,. Ajo nuk rresht së punuari me projekte rreth artit, punë të cilën e bën me shumë pasion.

Në intervistë për Radio Ejani Klodi Kadillari na tregoi rreth skenarit dhe skenat e këtij filmi, por edhe për filmin e saj “Mbiemri” realizuar dy vite më parë me të njëjtën  regjisore, film i cili është prezantuar në Festivalet Ndërkombëtare të Filmit, për të Drejtat e Njeriut.

Klodi Kadillari në xhirimet e filmit  Perëndimi ( FOTO PERSONALE)

Klodi Kadillari në xhirimet e filmit  Perëndimi ( FOTO PERSONALE)

CMG: Na trego për pjesëmarrjen e filmit “Mbiemri” në Festivalin Ndërkombëtar të të Drejtave të Njeriut. Si ndjehesh  dy vjet pas realizimit të tij?

Klodi Kadillari: Është e vërtetë që kam shumë pak ditë që kam mësuar këtë gjë, është kënaqësi dhe emocionet që kam marrë nga filmi “Mbiemri”. Pasi vetë regjisorja Dorina Toçi më tregoi se filmi “Mbiemri” i realizuar dy vite më parë ka patur një pjesëmarrje nëpër Festivale Ndërkombëtare të të Drejtave të Njeriut, kjo gjë më pëlqeu shumë, sepse të jesh pjesëmarrëse në atë festival, ka të bëjë me pjesën njerëzore. Si artiste një pjesë tënden, emocionet ja jep publikut, si dhe identifikohesh me atë çfarë ke dhënë. Filmi “Mbiemri” përveçse është shfaqur premierë në Akademinë “Marubi”, ka patur prezantimin e tij në Festivale në Francë, në Itali, etj. Ajo që më bën të lumtur si artiste është se filmi ka përcjellë mesazhe tek publiku dhe sigurisht që ndjehem mirë.

CMG: Ti ke marrë dy lajme të mira, “dy gëzime në një ditë”. Sot mësove për sukseset e filmit “Mbiemri” në Festivalet Ndërkombëtare, por gjithashtu edhe për filmin “Perëndimi”, që sapo ke dalë nga xhirimet dhe pritet të jetë pjesë e Festivaleve Ndërkombëtare.

Klodi Kadillari: Ka pak që i kemi përfunduar xhirimet e fundit, një pjesë e tyre u realizuan në Dhërmi, me një staf të madh dhe shumë profesionist. Dua të falenderoj regjisoren Dorina Toçi. Për herë të parë jam xhiruar nga një operatore dhe kameramane femër, për xhirimet me dron ka qenë një artist shumë i mirë kroat Bojan, një ndihmë tjetër ka qenë edhe nga shqiptaro-suedezi Musa Morina, si dhe një ruse, që është kujdesur për imazhin. Kemi qenë një staf shumë i mirë që mendoj që kemi realizuar xhirimet mirë dhe i jemi përmbajtur skenarit.

CMG: Le të mbetemi tek filmi i ri që pritet të prezantohet në disa shtete. Në këtë film ti nuk je vetëm aktore, por edhe skenariste. Si erdhi ftesa për këtë film?

Klodi Kadillari: Ka qenë një propozim i regjisores Dorina një muaj më parë, e cila kërkonte një skenar për një film me metrazh të shkurtër. Duke ditur se duhej një zë i emancipimit të femrës, e kërkon që skenari të përmbajë femrën. Pasi diskutova me të në lidhje me temën konkrete, për dhunën nga bashkëshorti, një femër që ka fëmijën me autizëm, po i tregoja për punën time në shoqatën ku punoj dhe jam në kontakt me ndjesitë e njerëzve. Ndërsa u ndalëm tek ajo që më ka prekur më tepër, ajo çfarë po e mundon shoqërinë tone, i tregova se ne si shqiptarë dallohemi për altruizmin dhe ajo çfarë na mundon më shumë është mëshira. Ne më shumë po i mëshirojmë njerëzit sesa po i afrohemi për t’u dhënë rrugëzgjidhje. Në atë moment u kap esenca e asaj çfarë kërkonte Dorina në mendjen e saj dhe ka qenë një goditje menjëherë. Më sugjeroi që ta zhvillonim këtë temë. Dorina përjetoi një rrëngjenthje të asaj që po i shpjegoja. Mendova të jetë një film psikologjik, ku një personazh i vetëm, ashtu sikur  unë që luaj rolin kryesor, përmes vorbullës, ecjes, mendimeve ankthit, lidhet, mblidhet dhe e tregon të gjithën atë çfarë e mundon. Eshtë zhanër i vështirë sepse pjesa e brendshme nuk tregohet, është zëri ynë, egoja jonë,  një gjë e padukshme dhe ta interpretosh të padukshmen përmes kameras  është një nga sfidat më të mëdha.

Sot që vij nga xhirimet, mendoj që vetë si Klodi kam arritur një sukses shumë të madh, sepse mendoj se kam folur me pjesën e brendshmë, për të arritur në rolin e kësaj femre që ka mankth, stres dhe askush nuk  e kupton, por vetëm vetëvetja e saj. Na ka ndodhur gjithmonë teksa shohim njerëz të vuajtur apo dhe lypsa, etj ne themi “sa gjynah”, tregojmë mëshirë dhe kthehemi një hap prapa dhe falenderojmë Zotin që nuk është rasti ynë, e kjo nuk është zgjidhje, kjo është thjeshtë mëshirë. Në fund kjo femër  i jep një mesazh shoqërisë, duke i treguar me tone të forta që “po shkoj, se vetëm mëshirë më keni dhënë dhe asgjë tjetër” dhe kjo është goditja më e madhe. Ky është dhe mesazhi që i gjithë filmi përcjell.  

Klodi Kadillari në xhirimet e filmit  Perëndimi  (Foto personale)

Klodi Kadillari në xhirimet e filmit  Perëndimi  (Foto personale)

CMG: Sipas mendimit tënd edhe si skenariste e këtij filmi, cila do të ishte zgjidhja në situata të tilla?

Klodi Kadillari: Zgjidhja është që duhet të prekim problemin, të jemi të drejtëpërdrejtë dhe problemi i tjetrit të bëhet edhe i yni, vetëm kjo është zgjidhja, sepse vetëm kur e prek dhimbjen mund të japësh ndihmën absolute.

CMG: Në këtë skenar ke futur copëza nga jeta jote?

Klodi Kadillari: Sa i përket skenarit aty jam unë, janë njerëzit që punoj, është shoqëria shqiptare, janë ata njerëz që kanë kaluar nëpër sfida të ndryshme që ndoshta natyra i ka provokuar, rrethanat psiko-sociale i ka sjellë "pa dashje" sepse njeriu nuk do që të vuajë, ata gjendjen sot në këto kushte. Kjo u bë një inspirim për mua që të mblidhja copëza të jetuara nga njerëz që përballen çdo ditë me këto simptoma, më dhanë një frymëzim  që të hyja në ndjenjat e njerëzve, në përjetimet e tyre dhe të sillja një "voice over", pra këtë film të metrazh të shkurtër, që po pres të publikohet së shpejti në Festivalet e Drejtave të Njeriut, sepse kjo është gjëja më e madhe që kërkoj si artiste. Ajo që më bën të mbushem plotësisht e të jem e realizuar është që përmes artit, të trasmetojmë e shërojmë shumë dhimbje .

Doja të ndaja diçka me ju, para disa muajsh isha e ftuar në Festivalin e Poezisë në Maqedoninë e Veriut ku moderoja, por mora pjesë edhe me një poezi. Unë nuk mbahem të shkruaj poezi, por ajo që kisha shkruar ishte një poezi e krijuar në momentet pasi kisha humbur babain tim. Ka qenë një dhimbja ime në vetvete, mbyllja ime emocionale, brenda katër mureve dhe aty më vjen një frymëzim për të shkruar fort të brendshmen time.  E brendshmja e njeriut nuk të le asnjëherë në rrugë, e brendshmja është pjesa më e pastër. Në qoftë se do t’i komunikosh dikujt, komunikoji me pjesën e bredshme të zërit. E shkruaj poezinë dhe më pas shoh që ishte një festival i poezisë që organizohej në Maqedoni, zëri i brendshëm më tha që të merrja pjesë e të konkuroja me këtë poezinë. Shkoj të marr pjesë dhe aty ishin miqtë e mi që e organizonin këtë festival, të cilët më thonë që të jem edhe prezantuese e festivalit. Duke i ditur rregullat e festivaleve, mendova që ta tërhiqja konkurimin e poezisë. Por ata insistuan me idenë që çmimet nuk vendoseshin nga organizatorët, por nga një juri profesionale. Mora pjesë me poezinë time, shkova e moderova dhe festivalin. Gjëja më e bukur që ndodhi ishte  se poetët konkurentë votonin për poetët e tjerë. Kur ndalem të prezantoja çmimin e publikut ndërsa kisha medaljen në dorë, ftova në skenë kryetarin e komunës për të ndarë çmimin fitues, por profesori Zeqir më thotë që, Çmimin e Publikut me poezinë “Bija e atit” e fiton Klodi Kadillari, unë edhe tani që flas e kujtoj që përjetova një rrënqethje sepse nuk e besoja. Kam falenderuar tim atë për atë forcë që më dha sepse ishte dhimbmja e tij për të dhënë mesazhe të pastra, e të paqta në atë poezi që unë transmetova tek publiku. Dua të them se gjithçka e brendshme dhe që jep mesazhe të forta e ndihmon publikun.

CMG: Mbetemi tek filmi "Perëndimi" çfarë pret nga ky film?

Klodi Kadillari: Pres si artiste, si skenariste, si aktore që mesazhet e forta të këtij filmi të shkojnë tek zemrat e njerëzve dhe mos ndjejmë më mëshirën, por t’i japim zgjidhje problemeve. Janë shumë njerëz në shoqërinë tonë që janë të paragjykuar, të diskriminuar, kjo pjesë e shoqërisë që është e lën mënjanë nga vetë ne. Këshilla është që të merren e të afrohen, sepse përmes këtij filmi narrativë kuptojmë se çfarë përjeton një njeri kur nuk ka mbështetjen e familjes, kur nuk ka mbështetjen e shoqërisë dhe komunitetit. Është një mankth që përpëlitet brenda këtyre personave që vuajnë nga këto simptoma dhe askush nuk i kupton. Thjesht kërkoj që t’i kuptojnë, t’i marrin dhe afrojmë e mos i paragjykojnë apo t’i lenë në mëshirë të fatit. Kjo është ajo çfarë pres, kërkoj dhe uroj shumë që të godasë me këto mesazhe, sikurse planet i kam pasur shumë të vështira të xhirimeve. Por kjo vështirësi më përket mua si aktore dhe stafit, por vështirësitë hidhen mënjanë dhe publiku uroj të pëlqejë emocionet e mia të brendshme.

Pres që të pritet mirë dhe të kem bashkëpunime të tjera me shtëpi filmike brenda dhe jashtë vendit, se këtu mund të them se i kam thyer tabutë.

Klodi Kadillari në xhirimet e filmit  Perëndimi (Foto personale)

Klodi Kadillari në xhirimet e filmit  Perëndimi (Foto personale)

CMG: Çfarë do të thuash me "kam thyer tabu"?

Klodi Kadillari: Do tregoj diçka që më ndodhi në fund të xhirimeve. Unë si personazh në film futem në dush, aty ku konsiderohet si lajra  e mëkateve, larja e padrejtësive që shoqëria ja ka ngarkuar asaj në trup. Ishte momenti kur regjisorja dhe operatorja njëkohësisht Dorina më thotë "kap vetëm peshqirin", këto quhen plane të largëta, jo plane detaje dhe unë kam hyrë kaq shumë në rolin e personazhes që interpretoj, sa hyra në dush nudo. Kujtoj të gjitha peripecitë që ka përjetuar personazhi im, kam dalë nga vetvetja se në fund ky është qëllimi i aktores, kam harruar që isha nudo në atë skenë një moment qaj me dënesë e ulem në gjunjë, e kur kam hapur sytë shoh  Dorinën që po xhironte. Kisha hyrë kaq shumë brenda rolit duke e lënë veten të lirë. Tek e fundit arti do spontanitet, të aktrosh duhet të jesh spontane.

CMG: Përse filmi mban titullin "Perëndimi"?

Klodi Kadillari: Mban titullin "Perëndimi" sepse aty përfundon gjithçka.

CMG: Që do të thotë?

Klodi Kadillari: Kur familja, shoqëria nuk të jep asnjë mbështetje apo nuk të kuptojnë, atëherë sipas opinionit, ku e gjen veten një individ?  Është momenti që i drejtohet Zotit, ose e kundërta, apo kush nuk ka asnjë besim tek Zoti dhe i jep fund jetës. Më vjen keq të jap këtë mesazh, por është një protestë si skenariste për këtë shoqëri, që  të mos mëshirojnë më, por t’i japim zgjidhje problemeve, t’i mbajmë këta persona  më afër vetes.

CMG: Faleminderit dhe suksese në Festivalet Ndërkombëtare ku do konkuroni, por edhe me projekte të tjera në vazhdim!

Klodi Kadillari: Urimi dhe çmimi më i madh për mua është që kur unë të transmetoj si artiste mesazhe të forta. Dhe këtu gjej rastin që të falenderoj të gjithë  personat që bashkëpunuan në këtë film.

-“Perëndim” mban titullin filmi më i ri i interpretuar nga aktorja Klodi Kadillari dhe me regji nga Dorina Toçi, një prodhim i D’Art Chennel. Një film psikologjik që trajton jetën e një gruaje e cila vuan nga probleme të çrregullimeve psikike, ku një ndër to është vetizolimi, frika e së nesërmes, frika e paragjykimit, çrregullimet e stresit postraumës.

Intervistoi Sava Lena