Lideret e vendeve te Mesdheut (Foto Times of Malta)
Ministrat e Teknologjisë nga nëntë vende të Mesdheut u zotuan të rrisin bashkëpunimin për përdorimin e inteligjencës artificiale.
Vendimi u mor në takimin e ekonomisë digjitale, që u mbajt në Maltë, ku morën pjesë ministrat e Teknologjisë nga Malta, Spanja, Kroacia, Qiproja, Franca, Greqia, Italia, Portugalia dhe Sllovenia.
Ministri maltez i Ekonomisë, Silvio Schembri, bëri thirrje për më shumë bashkëpunim dhe shkëmbim njohurish mbi përdorimin e inteligjencës artificiale midis vendeve mesdhetare.
Në një deklaratë të përbashkët të lëshuar pas takimit, vendet e MED9 ranë dakord të investojnë në infrastrukturë të fuqishme për inteligjencën artificiale, të zhvillojnë qendra për kërkim dhe zhvillim në rajonin e Mesdheut dhe të vazhdojnë të inkurajojnë inovacionin, shkruan “Xinhua”.
Ata gjithashtu do të marrin në konsideratë se si inteligjenca artificiale mund të përdoret më së miri në shërbimin publik, për të punuar së bashku për të zhvilluar talentet e inteligjencës artificiale dhe për të përdorur teknologjitë e besuara të saj në luftën kundër krimit kibernetik dhe për të mbrojtur sistemet dhe të dhënat. (Irma)