Foto nga CFP
Zv.presidenti i Kinës Han Zheng mbajti të enjten një fjalim në debatin e përgjithshëm të sesionit të 78-të të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, ku i bëri thirrje botës t'i përmbahet multilateralizmit dhe të përmirësojë qeverisjen globale.
Ai vuri në dukje se vendet anëtare të OKB-së duhet të mbrojnë barazinë, drejtësinë, paqen e sigurinë, të kërkojnë përfitimet e zhvillimin e përbashkët, si edhe të nxitin hapjen e përfshirjen dhe zhvillimin e qytetërimit njerëzor.
Zv.presidenti kinez u shpreh po ashtu se duhet të mbahen parasysh shqetësimet e arsyeshme për sigurinë të vendeve të ndryshme dhe të respektohen sovraniteti e tërësia territoriale e të gjitha vendeve, duke i zgjidhur mosmarrëveshjet nëpërmjet dialogut e konsultimeve në mënyrë paqësore.
Han Zheng theksoi se Kina i përkrah të gjitha përpjekjet për zgjidhjen paqësore të krizës së Ukrainës dhe dëshiron të vazhdojë të luajë një rol konstruktiv për rivendosjen sa më parë të paqes.
Duke folur për problemin e zhvillimit, Han u shpreh se Kina do të promovojë më tej bashkëpunimin për nismën "Një brez, një rrugë" dhe Agjendën e Zhvillimit të Vazhdueshëm 2030 të OKB-së, duke shtuar se Kina do të japë kontribut për ndërtimin e bashkësisë së zhvillimit global.
Sipas tij, vendet e qytetërimet e ndryshme duhet ta respektojnë njëri-tjetrin dhe të mësojnë nga njëri-tjetri, për të realizuar lulëzimin e përbashkët dhe përfitimet e ndërsjella.
Duke folur për problemin e të drejtave të njeriut, Hang Zheng theksoi se të gjitha vendet duhet të nxitin kauzën ndërkombëtare të të drejtave të njeriut nëpërmjet bashkëpunimit, duke kundërshtuar politizimin e problemit të të drejtave të njeriut dhe standardet e dyfishta në këtë çështje. (Fani)