Pas promovimit të Panairit të Kantonit në Tiranë javën e kaluar është me interes të mësojmë sa kompani shqiptare pritet të aplikojnë për të ekspozuar produktet e tyre në stendat e këtij panairi. Përveç mjaltit “Morava” që tashmë nga shtatori ka hyrë në tregun kinez dhe do të marrë pjesë në edicionin vjeshtës së Panairit të Kantonit, a do të ketë produkte të tjera “Made in Albania” që synojnë tregun kinez? Analisti i ekonomisë Bardhi Sejdarasi komenton në intervistë për Grupin Mediatik të Kinës këtë panair.
Analisti Bardhi Sejdarasi në intervistë për CMG
Pritshmëritë e pjesmarrjes së biznesese shqiptare në Panairin e Kantonit në Kinë
Nga 15 tetor- deri më 4 nëntor të këtij viti Panairi i Kantonit do të mirëpresë mbi 25 mijë kompani kineze dhe kompani nga të gjitha vendet e botës, të cilat do të prezantojne produktet dhe shërbimet e tyre. Në mjediset e këtij panairi më i madhi në Kinë dhe nivel global për shkëmbimet tregtare pritet të marrin pjesë dhe kompani shqiptare. Para disa ditësh për herë të parë u promovua në Tiranë Panairi i Kantonit, me nismën e grupit shqiptar Euroasia, në bashkëpunim me Ministrinë e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Ambasadën e Kinës në Shqipëri dhe Dhomën e Tregtisë dhe Industrisë në Tiranë, me pjesmarrjen e përfaqësuesve të Qendrës Operacionale të Promovimit të Panairit të Kantonit. Analisti i ekonomisë Bardhi Sejdarasi komenton në intervistë për Grupin Mediatik të Kinës këtë panair.
CMG: Ju ishit moderator i këtij promovimi. Si analist i çeshtjeve ekonomike si e vlerësoni nismën e promovimit të Panairit të Kantonit në Tiranë?
Aplikimi në Panairin e Kantonit
Bardhi Sejdarasi: E prita me kënaqësi ftesën për të moderuar një event të tillë. Vitin e kaluar bashkë me Grupin Euroazia kemi bërë një promovim të tillë online, ku merrnin pjesë më shumë se 60 kompani përfshirë Republikën e Maqedonisë së Veriut dhe Kosovën me idenë që të promovonim një produkt që ka vlerë ndërkombëtare. Panairi i Kantonit është një ndër panairët më të mëdhenj në botë, që promovon vlerat që ka një ekonomi, siç është ajo kineze, por dhe vlerat e ekonomive të vendeve që marrin pjesë në të.
Në promovimin që bëmë në Tiranë ishte një nismë interesante që Grupi Euroazia kishte interes sepse përveç aktorëve shqiptarë, siç ishte Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Tiranë, kishte dhe përfaqësues të Konfindustrias, të Shoqatës së Miqësisë Shqipëri-Kinë, por dhe investitorë, madje dhe studentë.
Ky promovim sjell një përvojë të re të menaxhimit të panaireve në Shqipëri sepse Panairi i Kantonit është lehtësisht i aksesueshëm, sepse mund të gjendet online, të aplikohet për t’u bërë më pas pjesë e këtij panairi. Vlera kryesore e Panairit të Kantonit është produkti që servir në fushat që përfshin.
Përfaqësuesit e bizneseve shqiptare që morën pjesë në këtë promovim kanë nevojë të marrin pjesë në një panair të këtij niveli, sepse ky panair jo vetëm ofron produkte dhe shërbime, por dhe mënyra se si organizohet dhe shtrirja e tij. Subjektet shqiptare dhe të huaja gjejnë hapësirë në këtë panair dhe veçanërisht në shkëmbimet e tij që kanë vlerë tregtare.
CMG: Panairi i Kantonit zhvillohet në dy edicione, të pranverës dhe vjeshtës. Sivjet është edicioni i 133-të i këtij Panairi dhe edicioni i pranverës u zhvillua nga 15 prill deri më 5 maj, ndërsa edicioni i vjeshtës do të zhvillohet nga 15 tetori deri më 4 nëntor. Mendoni se promovimi dhe mbështetja që iu bë nga institucionet përkatëse shqiptare do të jenë të mjaftueshme për të nxitur bizneset shqiptare që të aplikojnë për pjesmarrje në Panairin e Kantonit?
Bardhi Sejdarasi: Eshtë një specifikë e veçantë që lidhet me produktet shqiptare që mund të eksportohen apo importohen në Kinë. Për shkak të largësisë së madhe që kemi, si dhe të transportit duhet të specifikojmë bizneset që kanë mundësi për të qenë eksportues. Këto biznese mund të aplikojnë dhe të bëhen pjesë e këtij panairi ndërkombëtar, por në takimet biznes me biznes duhen gjetur mundësi që të zhvillohen shkëmbime tregtare midis dy vendeve.
Në përgjithësi edhe grupi organizator Euroazia ka tentuar që të afrojë biznese dhe kompani që kanë produkte konkuruese. Në promovim atasheu tregtar i Ambasadës së Kinës përmendi një nga produktet kryesore shqiptare në panair, mjaltin “Morava”.
CMG: Ky produkt ka qenë i ekspozuar edhe në panaire të mëparëshme në Kinë. Nga njoftimi që atasheu tregtar i Ambasadës së Kinës në Tiranë dha në promovim, që nga shtatori i këtij viti mjalti “Morava” do të jetë pjesë e tregut kinez, si dhe e Panairit të Kantonit. Përveç mjaltit “Morava” ka produkte të tjera konkuruese shqiptare që mund të ekspozohen në këtë panair?
Panairi i Kantonit (Foto Canton Fair 2023)
Bardhi Sejdarasi: Sigurisht që ka. Doja të përmendja kushtet që duhet të plotësojë një kompani për të qenë pjesë e këtij panairi. Ne vjet jemi përpjekur të negocionim me rreth 5 kompani nëpërmjet Business Albania, drejtor i përgjithshëm i së cilës unë jam, për t’i çuar ato në këtë panair.
Ka shumë produkte përveç mjaltit, ku do të veçoja perimet e konservuara, që prodhohen nga disa kompani në Shqipëri, të cilat kanë potencial të madh, sepse tregu kinez duke qenë shumë i madh kërkon dhe sasi të mëdha produktesh. Sa i përket distancës së madhe duhet të jenë produkte të konservuara të cilat të kenë garanci.
CMG: Flasim vetëm për produkte ushqimore dhe të përpunuara?
Bardhi Sejdarasi: Jo, kemi dhe bimët mjekësore të cilat ne i tregtojmë në Japoni, në Korenë e Jugut, në SHBA. Kam folur me disa nga drejtuesit e Shoqatës së Bimëve Mjekësore dhe më kanë thënë se ka potencial për tregtimin e tyre. Bizneset e kësaj kategorie ishin shumë të interesuar për kontakte, por edhe eksportet tradicionale të mineraleve ku do të veçoja naftën, që përsëri janë të interesuara.
CMG: Po vaji i ullirit?
Bardhi Sejdarasi: Patjetër edhe vaji i ullirit është një produkt shumë sinjifikati, por sasitë që kërkohen në një treg të tillë, si tregu kinez janë shumë të mëdha. Po i referohem disa treguesve të freskët të 8 mujorit. Kina është quajtur fenomen sa i përket shkëmbimeve tregtare me Shqipërinë,kjo për arsyen e thjeshtë se nëse me shtetet e BE-së kemi patur probleme të raportit të import-eksportit, për shkak të vlerës së valutës euro, me Kinën kemi patur një bum të jashtëzakonshëm importesh deri në 15 miliardë lekë nga janari deri në gusht të këtij viti. Pjesa kryesore e këtyre importeve nga Kina kanë qenë makineritë, të cilat janë shumë të kërkuara nga tregu shqiptar.
Panairi i Kantonit është një vlerë e shtuar sepse subjektet shqiptare, pavarësisht nëse do të arrijnë të bashkëpunojnë me partnerët kinezë, me rëndësi është që të bëhen pjesë e këtij panairi dhe të informohen, sepse informacioni është gjëja më e rëndësishme e një panairi.
Ashtu si janë rritur importet nga Kina në Shqipëri, e njejta gjë mund të ndodhë dhe me eksportet e produkteve shqiptare në tregun kinez. Për këtë qëllim duhet ndarë sa më shumë informacion për bizneset shqiptare, jo vetëm për ato kompani që morën pjesë në promovimin e Panairit, por dhe kompani që kanë potencial për të shkuar në tregun kinez dhe më pas për të konkuruar. Ka shumë produkte shqiptare që mund të prezantohen në tregun kinez sepse janë autoktone dhe të pëlqyeshme.
Ndërkohë kompania Euroasia Group nuk është marrë vetëm me promovimin e panairit, por merret dhe me sektorin e energjisë elektrike, të makinave elektrike, por dhe turizmin. Ky promovim dhe pjesmarrja e lartë e Qendrës Operacionale të Promovimit të Panairit të Kantonit, si dhe interesimi i posaçëm i Ambasadës së Kinës në Tiranë e bëjnë këtë event me vlerë për tregun shqiptar.
Promovimi i Panairit të Kantonit në Tiranë (Foto Tirana Diplomat)
CMG: Në promovimin e Panairit të Kantonit morën pjesë përfaqësues të disa prej kompanive shqiptare. Cilat janë këto kompani dhe a treguan ata interesim për të qenë pjesë e këtij panairi? Si mund ta realizojë një kompani shqiptare aplikimin për pjesëmarrje në Panairin e Kantonit?
Bardhi Sejdarasi: Të gjitha mundësitë janë të hapura. Pjesmarrja e Konfindustrias që përfaqëson shumë biznese në Shqipëri, por dhe e Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë së Tiranës do të bëjë që informacioni që u prezantua në atë event të shpërndahet te bizneset e interesuara.
Sa i përket mundësive për pjesëmarrje, një është të aplikosh nëpërmjet Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë së Tiranës, por dhe direkt online në faqen e internetit të Panairit të Kantonit. Ndërkohë përfaqësues të Qendrës Operacionale të Promovimit të Panairit të Kantonit në këtë event shpjeguan në mënyrë të zgjeruar dhe të detajuar format e aplikimit për pjesëmarrje. Insstitucionet shqiptare pjesëmarrëse në promovim mund ta shpërndajnë këtë informacion. Pas promovimit kontaktova me disa nga bizneset pjesëmarrëse në promovim të cilat ishin shumë të interesuara për të patur kontakte dhe për të ditur në shumë informacione rreth panairit.
Faqja e internetit të këtij panairi ofron informacione shumë të gjera rreth aplikimit për pjesëmarrje. U shpreh gjithashtu interesimi i Ministrisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural sepse ka shumë biznese nga sektori i bujqësisë që duan të ekspozojnë prodhimet e tyre, siç është vaji i ullirit, por dhe produkte të tjera që janë të gatshme për të arritur në tregun e Kinës.Më shumë duhet të bëjnë të gjithë aktorët në treg për sa i përket promovimit.
CMG: Promovimi që u bë në Tiranë u fokusua te Shqipëria, por në dijeninë tuaj a treguan interes përfaqësuesit e Qendrës Operacionale të Promovimit të Panairit të Kantonit edhe për vendet e tjera të rajonit tonë?
Bardhi Sejdarasi: Panaire të tilla të një niveli kaq të lartë nuk fokusohen vetëm te një treg, ndaj në përgjithësi synohet tregu rajonal. Këtë e bën Panairi i Kantonit, apo Panairi i Berlinit për turizmin si dhe panairet italiane ku tentohet Shqipëria si një qendër, nga e cila mund të shpërndash më pas këtë ide edhe në vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor. Kujtoj që vjet gjatë promovimit online të Panairit të Kantonit u tregua një interesim i veçantë nga Maqedonia e Veriut, Serbia, Mali i Zi dhe Kosova. Tregu kinez është aq i madh saqë është e pamundur të ezaurohet brenda një tregu të vogël sado potenciale që të ketë ai, kurse tregu rajonal ka vlerë më të shtuar dhe kanë interesa dhe bizneset e këtyre vendeve. Interesim të tillë kanë edhe vendet e Europës Juglindore që të bëhen pjesë jo vetëm e Panairit të Kantonit, por dhe e tregut kinez, duke vendosur kontakte të drejtpërdrejta në sektorin e importit dhe të eksportit.
CMG: Në Panairin e Kantonit, siç thanë promovuesit kinezë, marrin pjesë dhe shumë supermarkete nga më të njohurat në botë, një ndër to Wallmart, por dhe supermarkete nga Gjermania, Franca, Spanja dhe Italia. Kompania e mjaltit “Morava”, që do të jetë pjesë e panairit, a mund të hyjë në kontakt të drejtpërdrejtë me këto supermarkete për të tregtuar në to prodhimet e veta?
Bardhi Sejdarasi: Pikërisht ky është qëllimi i panairit. Unë kam kontaktuar me biznese që kanë produkte të certifikuara që pranohen pa asnjë hezitim në tregun ndërkombëtar dhe kanë si qëllim jo vetëm paraqitjen në stendën e panairit, por të krijojnë kontakte me bizneset pjesëmarrëse në të. Në çdo panair parësore është lidhja e kontratave për shitje të produkteve apo shërbimeve që ofron.
Mjalti Morava (Foto Facebook)
Pjesëmarrja supermarketeve të tillë botërorë ka të bëjë dhe me synimet e tyre për të gjetur tregje të reja, si dhe të gjejnë produkte të reja. Bizneset shqiptare në këtë rast vetëm fitojnë. Aktualisht në supermarkete në SHBA, Japoni apo Korenë e Jugut si dhe në vende të tjera mund të gjenden produkte shqiptare. Promovimi i çdo produkti “Made in Albania” ka vlerën e vet.
CMG: Bumi i madh turistik që ka patur Shqipëria sivjet, si dhe promovimi i bërë Shqipërisë nga mediat më të njohura ndërkombëtare, veçanërisht kulinarisë dhe produkteve ushqimore autoktone, do të ndihmonte në rritjen e interesimit të konsumatorëve të huaj për prodhimet shqiptare?
Bardhi Sejdarasi: Ky tregues është i identifikuar. Nëse shikoni numrin e madh të turistëve të huaj, qoftë edhe kinezë që vizitojnë Shqipërinë, kulinaria zë vendin e parë në përshtypjet e tyre. Këtu duhet ta kenë vemendjen e tyre dhe bizneset shqiptare sepse xhiroja e këtij viti pritet të jetë deri në 4 miliard euro dhe përfshin jo vetëm konsumin e produkteve brenda Shqipërisë, por dhe kur t’i shohin në vitrinat e supermarketeve, apo në panaire në botë, ta kërkojnë atë produkt. Kjo bën që jo vetëm të promovohen produktet shqiptare që të kenë rritje, por tregon dhe rritje të bizneseve në Shqipëri.
Sa më shumë konkurrues të jemi në një treg, sa më me standarde t’i kemi produktet dhe shërbimet, aq më shumë vlera materiale dhe morale fitojmë.
Intervistoi Eda Merepeza