Kina kryeson në botë për numrin e grupimeve tekniko-shkencore
2023-09-22 19:10:03

Foto nga VCG

Kina tani ka 24 grupime tekniko-shkencore, nga 21 vitin e kaluar, duke u bërë vendi me numrin më të madh të grupimeve të tilla, sipas edicionit të vitit 2023 të Treguesit Global të Inovacionit të publikuar të mërkurën nga Organizata Botërore e Pronësisë Intelektuale.

Grupimet tekniko-shkencore përcaktohen nëpërmjet analizës së aktivitetit të aplikimit për patenta dhe publikimit të artikujve shkencorë, duke dokumentuar zonat gjeografike në mbarë botën me densitetin më të lartë të shpikësve dhe autorëve të artikujve shkencorë, sipas Organizatës Botërore të Pronësisë Intelektuale.

Treguesi Global i Inovacionit rendit kapacitetet inovative të nivelit të lartë të vendeve dhe ekonomive anembanë botës çdo vit, dhe renditja e tij e grupimeve tekniko-shkencore identifikon përqendrimet e veprimtarisë së teknologjisë shkencore udhëheqëse në botë.

Kina ka pasur përparim të jashtëzakonshëm në inovacion që kur u përfshi në Treguesin Global të Inovacionit në vitin 2013, kur u rendit në vendin e 35-të.

Që atëherë, çdo vit Kina është ngjitur në mënyrë të qëndrueshme në renditje. Në vitet 2020, 2021 dhe 2022 Kina u rendit përkatësisht në vendin e 14-të, të 12-të dhe të 11-të, duke demonstruar trajektoren e saj të vazhdueshme në rritje në inovacionin global.

Kina ka krijuar bashkëpunim shkencor e teknologjik me më shumë se 160 vende dhe rajone. Shpenzimet e saj për kërkim dhe zhvillim i tejkaluan 3 trilionë juanët (rreth 418.2 miliardë dollarë) vjet, duke u rritur 10.1 për qind në krahasim me vitin 2021. (Çang Çuo)