Pse Shqipëria rriti fort eksportin e vajit të ullirit?
2023-09-22 10:54:06

Thatësira e stinës së pranverës 2023, e cila preku shtetet kryesore prodhuese dhe eksportuese të vajit të ullirit në botë, si Spanja dhe Italia, shtoi mungesën e produktit në Europë dhe i rriti çmimet e shitjes nga 25 deri në 60 përqind më shumë, në bursat e huaja. Për rrjedhojë, mungesa e vajit të ullirit në tregun europian ka krijuar bum kërkese gjatë këtij viti, sidomos nga industrialistët italianë, për vajin e ullirit në kontinentin tonë. 

Kryetari i KASH Agim Rrapaj në intervistë për CMG

Kryetari i KASH Agim Rrapaj në intervistë për CMG

Sipas të dhënave të Ministrisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural te Shqiperise, për periudhën janar -qershor 2023, Shqipëria eksportoi 1,400 ton vaj ulliri, kundrejt 326 ton vaj ulliri të eksportuar për të gjithë vitin 2022, ose 4 herë më shumë.

Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural parashikon të vijojë me strategjinë për nxitjen e eksporteve bujqësore, nëpërmjet zbatimit të 3 masave. Së pari, ajo po punon të shtojë kapacitetet grumbulluese, depozituese, paketuese dhe te etiketimit te vajit te ullirit. Financimi për këto qëllime do të jetë pjesë e programit IPARD III te Bashkimit Evropian, i cili pritet të fillojë së shpejti. Do të vijojë të ndiqet skema me 50 përqind të financimit nga fondet e IPARD dhe 50 përqind nga fermerët aplikues.

Masa tjetër për kulturën e ullirit do të jetë vijimi i organizmit të fermerëve, për bashkimin e ngastrave me ullinj. Kjo iniciativë është e vështirë, për shkak të mendësisë së fermerëve që ngurrojnë në bashkimin e ngastrave.

Prodhimi i vajit të ullirit (Foto Vizion Plus)

Prodhimi i vajit të ullirit (Foto Vizion Plus)

Së treti, për këtë vit, Ministria parashikon ngritjen e laboratorëve të akredituar pranë Universitetit Bujqësor të Tiranës, me qëllim ofrimin falas të analizave për cilësinë e vajit të ullirit. Rreth kësaj teme flet në intervistë për Grupin Mediatik të Kinës Agim Rrapaj, specialist i zhvillimit rural dhe zinxhirit ushqimor, Kryetar i Këshillit të Agrobiznesit Shqiptar

CMG: Z. Rrapaj, ju si Këshill i Agrobiznesit Shqiptar po administroni një program të veçantë për kultivimin e ullirit, kësaj kulture 3 mijë vjeçare në Shqipëri dhe rritjen e cilësisë së prodhimit të vajit të ullirit tek ne. Cilat janë objektivat e programit tuaj?

Agim Rrapaj: Shqipëria zë një vend të rëndësishëm në prodhimin e vajit të ullirit në Evropë. Është ndër 10 vendet prodhuese cilësore të vajit të ullirit në botë. Njëkohësisht është një vend prodhues me 12 milionë rrënjë ullinj, nga të cilat rreth 11 milionë janë në prodhim.

Është një proces që vijon të rritet edhe më tej dhe fermeri shqiptar ullirin e ka, siç thatë edhe ju, ndër bimët shumëvjeçare dhe mjaft dobiprurëse. Në Shqipëri punojnë rreth 118 mijë familje me bimën e ullirit.

Prodhohen rreth 150 mijë tonë ullinj në vit dhe rreth 35 mijë tonë vaj. Shqipëria konsumon pak vaj ulliri per frymë, rreth 3-4 kg për banor, ndërkohë që vendet përreth nesh konsumojnë shumë herë më tepër. Në vend të parë në botë është Italia, që konsumon deri në 12 kg për banor në vit.

Kjo panoramë është e lidhur ngushtë me cilësinë e vajit të ullirit. Ne shumicën e kultivarëve i kemi ullinj autoktonë, qindravjeçarë, të cilët i kanë rezistuar ndryshimeve klimatike dhe tashmë janë futur ndër ata kultivarë që prodhojnë një produkt një vit po dhe një vit jo.  Por ka kultivarë të tjerë, të cilët prodhojnë çdo vit dhe kjo bën një lloj kompensimi të prodhimit të ullirit ndër vite.

Programi ynë kishte si synim që ne të formalizonim sektorin. Duke patur 118 mijë ferma, ai është një sektor mjaft i gjerë. Krahas objektivit kryesor, kemi synuar që vaji i ullirit si tepricë fermere, të mos merret në shtëpi, sikurse ndodh, por të stokohet në qendra grumbullimi dhe në linjat e përpunimit, në mënyrë që të jetë i gatshëm për t’u kontrolluar dhe për t’u eksportuar, apo për t’u përdorur në tregun e vendit.

Ky ishte momenti i parë i rëndësishëm që ndërhymë dhe ia arritëm qëllimit. Në këtë periudhë, nga shtatori i vitit 2022 deri në shtator 2023, ne kryem rreth 300 analiza në 300 subjekte të prodhimit të vajit dhe ngritëm shtatë grupe pune me ekspertë mjaft të njohur të fushës, Njëkohësisht, aktivizuam grupin e panel-testit kombëtar, i njohur nga Organizata Botërore e Vajit. Ky panel-test, me ekspertë të njohur, bëri të mundur që ne të degustojmë në 300 subjekte prodhues, sasinë e vajit që ishte ekstra i virgjër.

Një veçanti e Shqipërisë është që prodhon një sasi të konsiderueshme vaji ekstra të virgjër. Kjo, për arësye të kultivarëve autoktonë që ne kemi, si dhe për arësye të mungesës së pesticideve dhe produkteve të tjera të mbrojtjes së bimëve, të cilat dëmtojnë cilësinë.

Ulliri shqiptar (Foto Bota sot)

Ulliri shqiptar (Foto Bota sot)

Mund të themi që ia arritëm që 70 përqind të prodhimit të vajit të ullirit të jetë ekstra i virgjër.

Problemi ynë qëndron në faktin që ambalazhimi, ruajtja dhe etiketimi nuk janë në nivelin që kërkon tregu sot. Megjithatë, për herë të parë, Shqipëria arriti që të eksportojë në Itali, që është vendi me kërkesat më të larta për cilësinë e vajit të ullirit.

Kjo tregon hopin e madh që është bërë në këtë drejtim dhe ndërgjegjësimin e fermerëve për domosdoshmërinë e shitjes së vajit në tregje me cilësi të lartë, sikurse janë Italia, Spanja apo vende të tjera.

Fakti që ne u futëm në tregun e Bashkimit Evropian me një produkt ushqimor, është një arritje e konsiderueshme.

Kjo erdhi si rezultat i disa faktorëve. Faktori i parë kishte të bënte me ofertën që ne përgatitëm. Përgatitëm një ofertë bindëse, duke bërë analiza konkrete, duke ballafaquar me terrenin të gjitha problematikat që ne kishim.

Kryetari i KASH Agim Rrapaj në intervistë për CMG

Kryetari i KASH Agim Rrapaj në intervistë për CMG

Bëmë të mundur që në një përiudhë kohe njëvjeçare, ne të ndryshojmë mendësinë dhe të ndërgjegjësojmë një pjesë të madhe të prodhuesve dhe përpunuesve të ullirit për vajin. Njëkohësisht, ne bindëm edhe importuesit italianë, që kanë kriteret më rigoroze për cilësinë, që ata në Shqipëri kanë një treg mjaft të dobishëm, sepse e kanë afër. Po ashtu, ata panë konkretisht në terren se me çfarë cilësie ne prodhojmë. Ky ishte hapi i parë i rëndësishëm.          

CMG: E arritët ju dhe Ministria?

Agim Rrapaj: Ne ndërtuam një model, ku ftuam disa veprimtarë. Veprimtarë shumë të rëndësishëm. Ju drejtuam Ministres së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, e cila na mirëpriti me këtë program dhe u muar personalisht me zbatimin e tij, deri në përfundim të fazës së parë të këtij programi njëvjeçar.

Ajo bëri të mundur që, në bashkëpunim me Ministrin italian të Bujqësisë dhe Pylltarisë, z. Francesco Lollobrigida, të realizojnë heqjen e disa barrierave burokratike që ekzistonin në doganat tona. Kjo bëri të mundur që, përveçse ne kemi eksportuar si shtatëmujor janar-korrik 2023 rreth pesë mijë tonë vaj, ne arritëm të çonim vaj edhe për familjet shqiptare që janë në Itali. Mbi 500 mijë shqiptarë banojnë në Itali dhe kanë ullinj të tyre në Shqipëri, të cilët i vjelin dhe prodhimin e tyre e marrin atje.

Vaji i ullirit (Foto Top Channel)

Vaji i ullirit (Foto Top Channel)

Kjo përpara nuk lejohej. Tashmë Shqipëria ka një mundësi, që në vendet e Bashkimit Evropian, përmes filtrit që bën Italia, ne të çojmë vaj në të gjitha vendet ku ka shqiptarë: në Itali, Greqi, Gjermani, Francë, etj.

Kështu u zgjidh edhe një problem tjetër i madh që kishim në Shqipëri. Kjo bëri të mundur që i gjithë stoku i vajit të ullirit në Shqipëri të eksportohej. Të shkonte në treg, të shkonte tek konsumatori. Kjo ishte një arritje shumë e madhe që ne realizuam.

Elementi i dytë i rëndësishëm ka të bëjë me përdorimin e digjitalizimit. Ne përdorëm një platformë digjitale, që është në pronësi të shoqatës FedInvest Shpk. Është platforma “abaonline.com”. Përmes kësaj platforme, u hap një dritare e posaçme për ullirin, cilësinë e vajit të ullirit dhe mbështetjen e eksportit të vajit të ullirit. Këtë dritare e kanë parë mbi 15 mijë përdorues.      

Plantacionet e ullirit (Foto Gazeta Koha Jonë)

Plantacionet e ullirit (Foto Gazeta Koha Jonë)

CMG: Pra, fermerë?

Agim Rrapaj: Po. Fermerë të ndryshëm, prodhues dhe përpunues të ullirit. Njëkohësisht, e kanë parë të gjithë anëtarët e shoqatës FedInvest dhe shoqatës së Këshillit të Agrobiznesit Shqiptar, të cilët i kalojnë 100 mijë anëtarë. Ne arritëm të mundësojmë, pa asnjë lloj vështirësie dhe kostoje, pjesëmarrjen në këtë program të cilitdo që dëshironte të shiste dhe që kishte një situatë stok të vajit të ullirit.

Programi mundësoi jo vetëm prodhimin cilësor të vajit të ullirit, por njëkohësisht edhe tregtimin e tij në vende që kanë një treg me çmim të mirë për fermerët.

Element shumë i rëndësishëm në këtë drejtim, ka qenë edhe pjesëmarrja e shoqatave anëtare të Këshillit të Agrobiznesit Shqiptar. Mori pjesë shoqata “Bashkimi Kombëtar i Fermerëve Shqiptarë”, shoqata e Prodhimit dhe Përpunimit të Vajit të Ullirit, si dhe Këshilli i Ekspertëve të Agrobiznesit. Ky këshill luajti një rol të rëndësishëm, duke mundësuar një ballafaqim, në 22 takime që ne bëmë në shkallë vendi. Ne mundëm që të ballafaqoheshim me të gjitha problematikat dhe të nxirrnim konkluzione mjaft dobiprurëse për vijimësinë e këtij sektori. Kjo bëri të mundur që ne të zhvillojmë 100 analiza të thelluara në laboratorë të çertifikuar, të cilat aktualisht Bashkimi Evropian i ka pranuar.

Një varietet vaji ulliri (Foto Gjirokastra online)

Një varietet vaji ulliri (Foto Gjirokastra online)

Pra, ne arritëm, në një periudhë mjaft të shkurtër kohore, që të njohim mirë dhe të zbatojme kriteret e Bashkimit Evropian për cilësinë, duke pasur parasysh njohjen e terrenit dhe duke punuar së bashku.           

Intervistoi Fatos Çoçoli