33-vjeçarja kineze e ka kthyer suksesin në ndihmë për të tjerët
2023-09-21 10:03:52


Foto nga ChinaDaily

33-vjeçarja He Yanqun është anëtare e grupit etnik Naxi në fshatin Qibie, qyteti Tacheng, qarku autonom Weixi Lishu, prefektura autonome tibetiane Dechen, në provincën Yunnan.

Ajo tregon se kur ishte e re, shumica e shokëve të saj e lanë shkollën herët për të punuar. Pasi nuk pati rezultate të mira në shkollë, në moshën 13-vjeçare ajo shkoi në qytetin Shangri-La, në Yunnan veriperëndimor. U martua dhe pati një fëmijë para se të mbushte 20 vjeçe.

“Punoja arkëtare dhe kisha edhe një lokal. Më vonë, kurseva mjaftueshëm para për të blerë një shtëpi në Shangri-La dhe u vendosa aty. Jam anëtare e grupit etnik Naxi, e lindur në fshatin Qibie të qytetit Tacheng. Edhe pse u divorcova pak pasi lindi fëmija, ndjeva se po bëja një jetë shumë më të mirë se bashkëmoshatarët e mi”,- tregon He.

Por, më pas, gjërat morën tjetër rrjedhë. Në vitin 2015, nëna e saj u diagnostikua me tumor në tru. Ajo e çoi për të kërkuar trajtim jashtë fshatit, në qarkun autonom Weixi Lishu. Edhe pse mjekët në spitalet publike e këshilluan të hiqte dorë, ajo s’mund të bënte diçka të tillë.

“E shoqërova gjatë dy operacioneve të trurit në Yunnan.

Gjatë operacionit të dytë, ajo kaloi 25 orë në sallën e operacionit dhe më pas ishte në repartin e terapisë intesive për katër muaj. Kursimet e mia mbaruan, kështu që mësova se si të kujdesesha për pacientët në spital. Pastaj, e ktheva nënën time në fshat për t'u shëruar. Ajo ishte e paralizuar dhe për dy vjet nuk më ka njohur, por unë u kujdesa për të derisa ajo ndërroi jetë pak para Festës së Pranverës të këtij viti”,- tregon He.

Në vitin 2017 u krijua mundësia për të regjistruar një familje në fshat që përballej me vështirësi reale, e cila do të quhej “kartelë për zbutjen e varfërisë”. Në atë kohë, të gjithë në fshat donin t’ia jepnin He-së këtë mundësi. Edhe pse kishte shumë njerëz që ishin edhe më të varfër se ajo, me fëmijë për t'u shkolluar, të tjerët këmbëngulën ta plotësonte formularin, sepse rimbursimi mjekësor për mbajtësit e kartelave për zbutjen e varfërisë ishte më shumë se 90 për qind.

Në vitin 2019, Tacheng  arriti një zbutje gjithëpërfshirëse të varfërisë. Gjatë atyre viteve, banesat në Qibie kishin filluar të zhvilloheshin dhe qeveria dha mbështetje, si ndërtimi i rrugëve, trajnimi, trajtimi i ujërave të zeza, përmirësimi i mjedisit dhe publiciteti, duke i inkurajuar njerëzit të hapnin biznese. Qibie u bë një model për turizmin rural në Yunnan.

“Mendova se meqë duhej të kujdesesha për nënën time në vendlindje, do të ishte më mirë të kishim një shtëpi të re, për të fituar ca para. E pyeta babanë nëse mund ta shisja shtëpinë në Shangri-La dhe të ngrija një tjetër. Megjithëse ishte pak hezitues, ai e mbështeti vendimin tim. Në atë kohë, ne bëmë gjithçka që mundëm vetë, nga puna e projektimit deri te blerja e materialeve dhe ndërtimi. Dalëngadalë ndërtuam shtëpinë e parë. Por, nuk kishim para të mjaftueshme për ta dekoruar, kështu që mora një hua prej rreth 1 milion juanë (140.000 dollarë) nga kooperativa lokale e kreditit rural. Vitin e kaluar, ndikimi i epidemisë së Covid-19 kishte filluar të zbehej, kështu që shumë turistë filluan të vinin. Brenda një viti, ne kishim shlyer një kredi prej 200.000 juanësh dhe i përdorëm paratë e mbetura për t'u zgjeruar duke ndërtuar një shtëpi tjetër dhe një oborr pranë saj. Tani, familja ime ka një shtëpi me 10 dhoma. Gjatë verës, shumë prindër i sjellin fëmijët e tyre këtu në udhëtime edukative. Kemi gjithashtu kërkesa nga agjencitë e udhëtimit dhe ekipet në udhëtime studimore, duke i pritur grupet njëri pas tjetrit.

Ndonjëherë, kur jemi plot, u rekomandoj vizitorëve shtëpitë e tjera aty pranë. Në fshatin tonë ne e ndihmojmë njëri-tjetrin, ndajmë përvoja dhe punojmë së bashku për të përmirësuar vazhdimisht ambientet tona, nga blerja e shtratit deri te rregullimi i dhomave dhe gjetja e klientëve”,- rrëfen gruaja.

Ajo nuk e harron kurrë ndihmën që i kanë dhënë bashkëfshatarët ndër vite. Ndaj, ajo shpreson që suksesi që ka arritur deri tani të ndihmojë të tjerët.

Punonjësit që ka në shtëpi janë të gjithë nga fshati i saj. Gjatë pushimeve verore të këtij viti, ajo ftoi disa studentë të kolegjit që ishin kthyer në vendlindje për ta ndihmuar në shtëpi.

He tregon se kur atyre u duhet të paguajnë tarifat e shkollimit, ajo është e gatshme t'i ndihmojë me shpenzimet.