BE-ja: Refugjatët ukrainas mund të jetojnë në BE deri në 2025-n pa aplikuar për azil
2023-09-21 12:15:55

Foto nga VCG

Refugjatëve ukrainas do t’u mundësohet të jetojnë në Bashkimin Evropian pa aplikuar për azil deri në mars të vitit 2025, sipas planeve të publikuara nga Komisioni Evropian të martën.

“Ne u qëndrojmë fjalëve tona. I kemi mbrojtur ata që kanë pasur nevojë dhe do të vazhdojmë kështu për aq sa të jetë nevoja”,- tha përmes një deklarate komisionarja e BE-së për Punët e Brendshme, Ylva Johansson.

Ukrainasit që i kanë ikur luftës janë përjashtuar nga procedurat e shumta për azil, të cilat i zbatojnë vendet anëtare të BE-së. Ata kanë qasje në përfitime shëndetësore, leje pune, edukim dhe strehim.

Katër milionë ukrainas janë strehuar në bllokun evropian prej nisjes së konfliktit, sipas Komisionit Evropian, citon “Panorama”.

“Kjo ka ndihmuar në krijimin e një ndjesie të normalitetit, pavarësisht kohës së luftës. BE-ja do të vazhdojë të punojë me vendet anëtare dhe partnerë të tjerë, për t’u siguruar që do të mbrohen ata që kanë nevojë”,- tha Johansson. (Elona)