Kina e Rusia angazhohen për mbrojtjen e barazisë dhe të drejtësisë ndërkombëtare
2023-09-21 11:36:05

Foto nga MPJ

Kina e Rusia u zotuan të kundërshtojnë hegjemoninë njëpolare e kundërvënien në bllok dhe të mbrojnë barazinë e drejtësinë ndërkombëtare, gjatë takimit që presidenti rus Vladimir Putin zhvilloi të mërkurën me diplomatin e lartë kinez Wang Yi në Shën-Petërburg.

Wang, anëtar i Byrosë Politike të Komitetit Qendror të Partisë Komuniste të Kinës dhe drejtor i Zyrës së Komisionit Qendror për Punët e Jashtme, ndodhet për një vizitë në Rusi nga e hëna deri të enjten.

Gjatë takimit, Putini theksoi se vizita e presidentit kinez Xi Jinping në Rusi në mars të këtij viti shënoi një epokë të re në marrëdhëniet ndërmjet të dy vendeve. Që atëherë, marrëveshjet e rëndësishme dypalëshe janë zbatuar të mënyrë të qëndrueshme, duke çuar në rezultate pozitive në fusha të ndryshme, si bashkëpunimi ekonomik e tregtar dhe shkëmbimet kulturore e sportive.

Putini deklaroi se evolucioni i gjendjes së tanishme ndërkombëtare tregon plotësisht vërtetësinë e vlerësimit strategjik të presidentit Xi se bota po kalon ndryshime të mëdha të papara në një shekull. Nëpërmjet përpjekjeve të përbashkëta të Rusisë, Kinës dhe palëve të tjera, BRICS-i e zgjeroi me sukses anëtarësinë e vet sivjet, duke e çuar bashkëpunimin e këtij blloku në një nivel të ri. Rusia është e gatshme të ruajë bashkërendimin e ngushtë me Kinën brenda kornizave shumëpalëshe si Organizata e Bashkëpunimit të Shangait dhe mekanizmi i BRICS, të kundërshtojë hegjemoninë njëpolare e kundërvënien në bllok dhe të mbrojë barazinë e drejtësinë ndërkombëtare.

Foto nga MPJ

Wang Yi, nga ana e tij, tha se krerët e shtetit të të dy vendeve zhvilluan një takim të suksesshëm këtë vit, duke hartuar së bashku një plan të ri për partneritetin e gjithanshëm strategjik të bashkërendimit Kinë-Rusi në epokën e re. Kjo ka përcaktuar një drejtim të qartë dhe ka dhënë një impuls të fortë për zhvillimin e mëtejshëm të marrëdhënieve dypalëshe.

Wang theksoi se Kina është e gatshme të punojë së bashku me Rusinë, duke e pasur konsensusin e rëndësishëm të arritur nga të dy krerët e shtetit si udhërrëfyes kryesor, të forcojë besimin e ndërsjellë strategjik, të thellojë bashkëpunimin praktik dhe të konsolidojë më tej opinionin publik dhe themelet shoqërore të miqësisë midis Kinës dhe Rusisë.

Sipas tij, e përballur me një situatë ndërkombëtare komplekse, bota po lëviz shpejt drejt shumëpolarizimit, globalizimi ekonomik po ecën përpara përballë erërave të forta, veprimet e njëanshme janë të paqëndrueshme dhe hegjemonizmi nuk është popullor. Si vende anëtare të përhershme të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, Kina dhe Rusia mbajnë përgjegjësi të rëndësishme për nxitjen e zhvillimit dhe përparimit botëror. Të dy palët duhet të forcojnë bashkëpunimin e tyre strategjik shumëpalësh, të mbrojnë të drejtat dhe interesat e tyre të ligjshme dhe të bëjnë përpjekje të mëtejshme për ta nxitur rendin ndërkombëtar drejt barazisë dhe drejtësisë.