Shqipëria drejt një sezoni turistik veror 5 mujor
2023-09-21 10:00:47

Plazh në Shqipëri (Foto Telegrafi)

Plazh në Shqipëri (Foto Telegrafi)

Situata me sezonin turistik vijon te jetë e kënaqshme edhe në muajin shtator, pasi interesi për të kaluar pushimet në Shqipëri është i madh. Me një përllogaritje nga tur operatorët, kjo verë ka një rritje të konsiderueshme të vizitorëve dhe sezoni veror ka tendencë të shtrihet më gjatë në muaj se vitet e tjera.

RrahmanKasa (Revista Monitor)

Rrahman Kasa (Revista Monitor)

Kreu i Unionit Turistik Shqiptar Rrahman Kasa komenton këtë sezon veror dhe karakteristikat e tij.

“Realiteti është në këto shifra, ndoshta 40% më shumë gjithësesi mbetet për t’u parë pas sezonit pasi jemi akoma shpejt, pasi sezoni nuk ka përfunduar. Flasim për ato të bashkëpunimit kontraktual, pra me kontrata, jo për turistët e rastësishëm. Sipas këtyre të marrëveshjeve i bie që ta mbyllim sezonin në 10 apo 15 tetor, i cili siç jeni vënë në dijeni më parë ka filluar në 15 maj. Jemi duke shkuar drejt një sezoni 5 mujor. Është një arritje për Shqipërinë, ndryshe nga vendet e zhvilluara që janë të konsoliduara dhe kanë 100 vite turizëm. Vendet  fqinje  si Greqia dhe ishujt e saj të famshëm kanë 6 muaj sezon dhe ne po shkojmë në 5 muaj turizëm dhe kjo është një arritje. Kështu që jemi brenda pritshmërive dhe mund t’i kalojmë ato “-u shpreh Kasa.

Sipas Kasës, prenotime nga të huajt  ka edhe për muajin tetor.

“Kemi deri nga mesi i tetorit. Nëse flasim për shifra normal që vijnë duke u reduktuar numrat pra nuk janë njëlloj si në pikun, por kjo ka të bëjë me tregjet. Kemi tregje që vazhdojnë deri në mesin e tetorit, siç është tregu polak, baltik, nordik që vijnë deri në mes të tetorit. Kemi tregje të tjera siç janë cekët, hungarezët, sllovakët apo të tjerë që përfundojnë sezonin në fund të shtatorit. Kjo është shumë e rëndësishme dhe më shumë rëndësi ka interesi ekonomik, sepse çdo hotel apo strukturë akomoduese kërkon të rrijë sa më gjatë sepse prodhon më shumë të ardhura për biznesin.”

Plazhi i Durrësit (Foto Standard)

Plazhi i Durrësit (Foto Standard)

Kreu i Unionit Turistik Shqiptar Rrahman Kasa flet për tendencat se nga kanë dominuar turistët këtë sezon veror.

“Kemi turistë nga e gjithë Evropa dhe kemi rritje të qytetarëve italianë, por ajo që përbën një veçori për këtë lloj turizmi janë sepse vijnë gjatë muajve korrik dhe gusht. Gjatë kësaj periudhe edhe hotelet nuk e kanë problem të mbushin kapacitetet e tyre. Por gjithsesi ka një numër të shtuar që vijnë në Shqipëri dhe shpenzojnë para dhe çdo valutë që është shpenzuar është e rëndësishme për ekonominë, qoftë e vogël apo e madhe, varet se ku shpenzohet pasi ka edhe ekonomi të vogla që kanë nevojë për valutën e ulët. Ka ekonomi të tjera që kanë nevojë për më shumë dhe ka nevojë koordinimi. Besoj që këto do kordinojnë njëra- tjetrën dhe të gjejnë vetveten. Shqipëria është në kohën që nuk mund t’i thotë jo asnjë lloj turisti, asnjë lloj të ardhure që hyn në Shqipëri, pasi çdo e ardhur rrit ekonominë kombëtare”, vërejti ai

Plazh në Dhërmi (Foto Business Magazine Albania)

Plazh në Dhërmi (Foto Business Magazine Albania)

Edhe të ardhurat në ekonomi nga ky sezon turistik parashikohet të jenë më të mëdha.

“Mendoj që ka më shumë të ardhura sivjet, duke i llogaritur me shpenzimet për person. Kjo ka ardhur si pasojë e rritjes së çmimeve. Besoj që sivjet sasia e të ardhurave nuk do të jetë 40% më e lartë siç është rritja e numrit, por akoma më e lartë për shkak të rritjes së çmimeve dhe inflacionit. Nëse vjet kemi gjeneruar 2.7 miliardë euro, unë mendoj se do të shkojmë drejt rreth 4 miliardë eurove. Është një vlerë më e madhe sesa 40% i rritjes së numrit.”

Plazh në Dhërmi (Foto Business Magazine Albania)

Plazh në Dhërmi (Foto Business Magazine Albania)

Pjesë e përshtypjeve  janë edhe komentet apo feedback-u negativ.

“Fedback negativ normal që do ketë. Ne jemi koshientë që nuk mund të kënaqim gjithë njerëzit dhe nuk është vetëm tek ne por edhe fenomen global, por e rëndësishme është sasia. Nëse ne i referohemi komenteve negative, nga informacionet që kemi që ky fedback nuk i kalon 10%, dhe është normale. Po t’i referohemi edhe vetë Italisë apo Greqisë apo edhe vendet e tjera këto komente janë shumë herë më të larta në përqindje sa ato qe kemi ne. Nuk besoj se do të jetë ndonjë problem. Normalisht nuk mund të vijnë të gjithë ata turistë që kanë ardhur vitin tjetër sepse shumica prej tyre janë turistë që shkojnë nga një vend në tjetrin dhe duan të zbulojnë destinacione të reja. Kjo është një pjesë e madhe që kanë qenë edhe në Shqipëri, por e rëndësishme është që shumica të kenë përshtypje të mirë për vendin tonë  dhe ta transmetojnë te të tjerët.”- tha Kasa.