foto: VCG
Presidenti amerikan Joe Biden dhe Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu u zotuan të mërkurën se do të punojnë së bashku drejt arritjes së një marrëveshjeje historike, për të krijuar marrëdhënie diplomatike mes Izraelit dhe Arabisë Saudite.
Në takimin e tyre të parë që kur zoti Netanyahu u rikthye në detyrën e kryeministrit në dhjetor, të dy udhëheqësit sinjalizuan dëshirën për të lehtësuar tensionet në marrëdhëniet e tyre. Megjithatë Presidenti Biden e bëri gjithashtu të qartë se ishte i vendosur të diskutonte dallimet mes tyre tyre.
Një prej çështjeve lidhej me kundërshtimin që zoti Biden ka ndaj planit të diskutueshëm për reformimin e sistemin gjyqësor në Izrael apo shqetësimit të tij mbi linjën e ashpër të Izraelit ndaj palestinezëve.
Në një deklaratë të Shtëpisë së Bardhë e lëshuar pas takimit thuhej se Presidenti Biden "përsëriti shqetësimin e tij për çdo ndryshim thelbësor në sistemin demokratik të Izraelit, në mungesë të konsensusit më të gjerë të mundshëm".
Presidenti Biden bëri thirrje gjithashtu për "masa të menjëhershme për të përmirësuar situatën e sigurisë dhe atë ekonomike, për të ruajtur qëndrueshmërinë e një zgjidhjeje me dy shtete dhe për të mbështetur përpjekjet për një paqe të drejtë dhe të qëndrueshme mes izraelitëve dhe palestinezëve", thuhej në deklaratë.
Në vend të një takimi në Shtëpinë e Bardhë, që do të ishte vendi më i preferuar nga zoti Netanyahu për takimin me Presidentin Biden, të dy udhëheqësit i zhvilluan bisedimet në Nju Jork, ndërsa po marrin pjesë në punimet e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së. Presidenti Biden ftoi zotin Netanyahu të vizitojë Uashingtonin para fundit të vitit.
Presidenti amerikan përsëriti angazhimin e tij për të parandaluar Iranin që të sigurojë armë bërthamore dhe gjithashtu përsëriti mbështetjen e tij për një zgjidhje me dy shtete për konfliktin izraelito-palestinez.
Por çështja më e rëndësishme e rendit të ditës ishte një nxitje e udhëhequr nga SHBA-ja për të krijuar marrëdhënie diplomatike mes rivalëve të vjetër, Izraelit dhe Arabisë Saudite, pjesa qendrore e negociatave më të gjera e komplekse, që përfshijnë garancitë për siguri nga ana e SHBA-së, ndihmë civile bërthamore të kërkuar nga Riadi, si dhe lëshime nga izraelitët ndaj palestinezëve.