Klaudja Karabolli është diplomuar për Gazetari dhe Komunikim në Universitetin e Tiranës dhe ka një Diplomë Master në Marketing Mediatik.
Ajo e nisi karrierën si gazetare në shtator 2015 në Report Televizion.
Klaudja Karabolli ( foto personale)
Si reportere politike, përgjegjësia kryesore e Klaudjës ishte të raportonte për Parlamentin dhe institucionet politike, një veprimtari që e kreu deri në gusht 2017. Shtatori i të njëjtin vit e gjeti Klaudjan në televizionin Fax News. Përveç punës si gazetare, prej më se një viti ajo drejton organizatën 'Lajmëtarja', me synim të mësojë dhe orientojë të rinjtë drejt komunikimit cilësor. Klaudja është dhe nënë e një vajze. Përvojën e saj profesionale dhe të mëmësisë ajo e ndan në një intervistë për Radio Ejani.
CMG: Klaudja, si nis dita juaj?
Klaudja Karabolli: Jam shumë e lumtur që të flas për audiencën tuaj. Dita ime nis me angazhimin tek “Lajmëtarja”, një iniciativë që ne kemi marrë përsipër për ta çuar përpara. Është një kohë cilësore që unë kaloj në punën time, por koha edhe më cilësore është familja.
CMG: Si nisi ideja për 'Lajmëtaren'?
Klaudja Karabolli: Ne e nisëm si një grup i cili ishte i përbërë vetëm nga vajza, por nuk e hoqëm asnjëherë mundësinë që mund të ketë edhe djem madje rrugës ata na janë bashkuar. Si një grup vajzash ne kemi arritur që të evidentojmë çfarë na shqetëson në shoqëri, çfarë duhet të bëjmë më mirë dhe si duhet ta menaxhojmë daljen tonë publike. Kështu vendosëm që zëri i vajzave në media që nuk dëgjohet sa duhet, të bëhej çështja jonë kryesore dhe për të të flitej më tepër. Gratë të ndihmojnë gratë për të gjetur rrugën e duhur, ky ishte një nga qëllimet primtare tek i cili ne po fokusohemi edhe sot.
CMG: A jeni në ecurinë e duhur, sipas asaj që keni synuar?
Organizata Lajmetarja ( foto Kaludja Karabolli)
Klaudja Karabolli: Në këtë vit të parë ne kemi ecur shumë mirë, pra mund të themi që jemi në rrugën e duhur. Kemi një kontakt të drejtpërdrejtë me të rinj. Kemi ndërtuar ura të forta komunikimi, ata pranojnë të tregojnë se çfarë i shqetëson apo entuziasmon në ditën e tyre dhe si të tillë kanë pasur edhe ecuri gjatë gjithë rrugëtimit me ne.
Kemi zhvilluar workshope, të cilat ju kanë ardhur në ndihmë me informimin e duhura për ta, për çdo çështje, por mbi të gjitha është parë kjo iniciativë edhe si një rrjetëzim mes tyre dhe nesh apo edhe institucioneve të tjera, si një eksperiencë e parë që ne kemi ndërtuar mes tyre dhe institucioneve.
Problemet që të zgjidhen duhet të fliten dhe “Lajmëtarja” këtë qëllim ka.
Po ashtu ju kemi dhënë atyre edhe një mbështetje të madhe se si mund të punojnë në media. Po shohim gjithnjë forma se si t’i mbështesim të rinjtë.
Nuk janë vetëm vajza që i kemi suportuar, por edhe djem që i janë bashkuar këtij komuniteti të këndshëm. Nuk kemi një realizim 100%, por nisja e mbarë është e dukshme.
CMG: A është bukur të bashkëpunosh vetëm me vajza?
Klaudja Karabolli: Po, është shumë bukur të punosh me vajza, ne jemi disa të tilla që edhe vetë kemi kaluar të njëjtat probleme dhe sfida. Dita jonë nis me një komunikim në zoom, apo nëpërmjet platformave të tjera. Pra, bëjmë komunikimin tonë, hedhim ide të reja dhe secila gjën veten në këto ide.
CMG: Cili ka qenë projekti juaj më i suksesshëm?
Klaudja Karabolli dhe vajza e saj ( foto personale)
Klaudja Karabolli: Projekti ynë më i suksesshëm ka qenë ai i cili përfshiu disa aktorë, duke nxjerrë në pah problemet që vajzat kanë në përfshirjen në media. Patëm mundësi të kuptonim dhe të dilnim me përfundime objektive se si mund t’i ndihmojmë gratë të jenë më të përfshira në media dhe të gjejnë më tepër veten e tyre. Janë bërë bashkë drejtorë të ndryshëm televizionesh, praktika në terren dhe deri tek shoqërimi me gazetarë profesionistë.
CMG: Ju jeni edhe nënë e një fëmije të vogël , si e menaxhoni kohën dhe si e ndryshoi vajza juaj jetën tuaj ?
Klaudja Karabolli: Është një sfidë që kanë të gjithë gazetarët, nuk jam e vetmja që punoj me orar dhe pa orar. Me organizatën unë i vendos vetë oraret dhe tani kam gjetur një vijë të artë. Bëj punën që dua dhe kaloj kohën që duhet me vajzën time. Ndërsa të jesh gazetar kërkon më shumë kohë. Vajza më ka ndryshuar gjithë jetën. Ajo më ka bërë mua një njeri më të mirë.
CMG: A mund të na jepni një mesazh për të rinjtë ?
Klaudja Karabolli: Të rinjtë duhet të jenë të qëndrueshëm në punën që bëjnë. Nuk duhet të heqin dorë nga ëndrrat, sado e lodhshme të jetë nuk duhet të heqin dorë nga qëllimi i madh apo nga puna e ëndrrave, pavarësisht vështirësive që ata hasin.
Organizata Lajmetarja ( foto Kaludja Karabolli)
Ne kemi të rinj të talentuar dhe unë i inkurajoj të mbështeten në instrumente që ju mbështesin. Por mos harroni objektivin tuaj në jetë.
Intervistoi Megi Latifi