Raporti: Kina kalon SHBA-në për botimin e punimeve akademike më me ndikim
2023-09-21 10:29:25

Foto nga VCG

Kina kontribuoi me gati një të tretën e punimeve akademike të botuara në revistat ndërkombëtare më me ndikim në vitin 2022, duke shënuar herën e parë që tejkalon SHBA-në, për të siguruar pozicionin kryesor në nivel global, bëhet e ditur në raportin e publikuar të mërkurën nga Instituti i Informacionit Shkencor dhe Teknik të Kinës (ISTIC) në varësi të Ministrisë së Shkencës dhe Teknologjisë, citon “Xinhua”.

Ndër 54.002 punime të botuara vitin e kaluar në 159 revista me faktorët më të lartë të ndikimit në 178 disiplina, 16.349 kanë pasur autorë kinezë.

Përafërsisht 27 për qind e afro 350.000 publikimeve me cilësi të lartë të paraqitura në 371 revista ndërkombëtare me faktorë të lartë ndikimi dhe citate kishin si autorë të parë ekspertë nga institucionet kineze.

Këto punime gjeneruan afro 650.000 citate, me Kinën që renditet e para në botë si për numrin e punimeve të botuara ashtu edhe për numrin e citimeve.

Në vitin 2022, Kina renditej e dyta për sa i përket numrit të punimeve akademike dhe artikujve rishikues të botuar në 16 revista kryesore, sipas raportit.

Ai përputhet me Indeksin e Natyrës 2023 të botuar në qershor, i cili zbuloi se në vitin 2022, Kina tejkaloi Shtetet e Bashkuara të Amerikës për sa i përket proporcionit të punimeve të botuara në revistat kryesore në fushën e shkencave natyrore. (Elona)