Justin Gjata, Pianist (Foto e posterit te koncertit nga facebook)
Artisti i ri me origjinë shqiptare Justin Gjata, pas koncerteve recitale për piano në Michigan, Hawaii, Alaska, Boston, Chicago,etj, performoi ditët e fundit në Qendrën Kulturore të Kishës Orthodokse në Tiranë. Në këtë koncert ai i emocionoi edhe artdashësit që ishin të pranishëm, duke interpretuar me gjuhën e shpirtit disa pjesë nga Bach, Beethoven, Schumann, Chopin dhe Liszt, artistë nga tre epoka me famë në muzikë, epoka barok, muzika klasike dhe ajo romantike.
Pianisti 21-vjeçar Justin Gjata, ka lindur në SHBA në një familje shqiptare, ndaj vendosi të kthehet në Shqipëri me një koncert recital për t’i përcjellë publikut emocione me një repertor të zgjedhur. Në këtë koncert, artisti i ri u prezantua si pianist me një vizion të qartë ndaj muzikës. Para një publiku artdashës, por dhe artistëve të njohur shqiptarë si Prof.Robert Radoja, pianisti Lambert Jorganxhi, si dhe personalitete të artit e kulturës në Tiranë Justin Gjata shpalosi talentin, shoqëruar me emocionet e tij. Për Radio Ejani rreth këtij koncerti të pianistit Justin Gjata, flet kompozitori Lambert Jorganxhi.
Lambert Jorganxhi në piano (Foto personale)
CMG: Si i ftuar në koncertin e pianistit Justin Gjata, si e vlerësoni atë?
Lambert Jorganxhi: Pata kënaqësinë të isha i ftuar në koncertin recital të pianistit Justin Gjata, i cili na përfaqëson në SHBA. Është një pianist i ri me një talent dhe me një formim shumë të mirë, shkollë profesionale, si dhe me një bagazh kulturor dhe artistik. Është shumë i formuar për moshën që ka. Në koncertin e tij unë dëgjova pjesë që luajti Justin nga kompozitorë botërorë si Bach, Beethoven, Liszt dhe autorë të tjerë në pianistikë. Unë pata mundësinë të luaja së bashku me mikun tim Gaqo Apostolin për ta përshëndetur, si dhe luajta një pjesë nga materialet e mia të kolonës zanore “Ripërpunimet”. Është një mundësi shumë e mirë që i jepet shqiptarëve, artistëve tanë që na përfaqësojnë jashtë, të cilët rikthehen në atdhe, për të qenë një vlerë e shtuar në këtë vend. Ata vijnë me talentin e tyre, për të dhënë kontributin e tyre në Shqipëri. Ishte shumë kënaqësi për gjithë performancën që realizova në koncertin e tij. Shpresoj të kemi edhe artitistë të tjerë që të sjellin kontributin e tyre, me muzikën që na përfaqësojnë nëpër botë.
Lambert Jorganxhi dhe Justin Gjata (Foto personale)
Ndërsa Justin është shprehur për mediat rreth këtij koncerti:
“Unë dhe babai jemi shumë të lumtur për këtë koncert. Jam shumë krenar që jam këtu në atdhe, është ëndërr për mua. Unë punoj në piano rreth 5 orë në ditë, gjithashtu shpenzoj kohë edhe për të lexuar partiturat pa piano fare. Kështu është jeta ime, duhet të kesh shpirtin me muzikë. Publiku e meriton shprehjen e muzikës nga shpirti. Më pëlqen të vij këtu sërish e të bëj koncerte në atdhe, pasi është shumë speciale” ka theksuar Justin.
Ky koncert u mbajt në Qendrën Kulturore të Katedrales Orthodokse në Tiranë, me mbështetjen e Federatës së Paqes Universale për Tiranën. Me këtë rast pianistit Justin Gjata iu dha titulli “Youth Ambassador of Peace”.
Pianisti Justin Gjata (Foto gazeta Panorama)
Justin Gjata, ka lindur në 5 Gusht 2002 në Chicago, Illinois, SHBA. Ai ka kryer konservatorin “Roosevelt” në Chicago, ndërsa filloi të marrë mësime për piano në moshën 5 vjeçare, ndërsa në moshën 9 vjeçare nisi violinën. Mësuesi i tij i pianos është i mirënjohuri Victor Moreno. Në vitin 2020 Justin fitoi konkursin e shkollës për piano solo me “Coronation” të Mozart, ndërsa dy vjet më vonë përfundoi Kolegjin në degën e pianos dhe nisi studimet në Konservatorin ‘Roosevelt’ në Chicago për piano performancë nën drejtimin e Dr Winston Choi. Ai do të diplomohet nga Konservatori në maj të vitit 2024.
Intervistoi Sava Lena