Foto nga CFP
Në qershor të këtij viti, një udhëheqës i sikizmit u vra në Kanada. Ditët e fundit, pala zyrtare kanadeze u shpreh se India mund të jetë e lidhur me këtë ngjarje. Kjo akuzë ka acaruar marrëdhëniet ndërmjet Kanadasë e Indisë dhe të dy vendet kanë dëbuar nga një diplomat të lartë të njëri-tjetrit.
Sikizmi ka lindur në Indi dhe për shumë vjet një pjesë e besimtarëve sikë kanë kërkuar themelimin e një shteti të pavarur sik në Indi. Qeveria indiane e konsideron këtë kërkesë si kërcënim ndaj sigurisë kombëtare, kurse Kanadaja është një nga vendet me besimtarë më të shumtë sikë jashtë Indisë. Vlerësohet se ka 770 mijë besimtarë sikë që jetojnë në Kanada. Qeveria indiane e ka kritikuar shumë herë bashkësinë sike në Kanada për ekstremizëm dhe separatizëm, por pala kanadeze nuk ka ndërmarrë ndonjë veprim deri tani lidhur me këtë.
Mosmarrëveshja mes Kanadasë e Indisë për vrasjen e liderit sik ka tërhequr gjithashtu vëmendjen e bashkësisë ndërkombëtare. Shtëpia e Bardhë e ShBA-së shprehu "vëmendje të madhe" për këtë incident dhe tha se do të mbajë kontakte me palën kanadeze dhe se duhet të vazhdojë hetimi për t'i nxjerrë fajtorët para gjyqit. Edhe në Australi, ku ka rritje të vazhdueshme të emigrantëve indianë vitet e fundit, ky incident ka tërhequr vëmendje të madhe. Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme australiane u shpreh: "Ne e kuptojmë se këto njoftime do të shqetësojnë një pjesë të australianëve. Emigrantët indianë janë kontribues të rëndësishëm për shoqërinë tonë shumëkulturore plot me gjallëri." (Fani)